Koncepti i dashurisë
Dashuria e Zotit për njeriun (pjesa II)
Ajetollah Dr. Riza Ramazani

Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!


 


Në ligjëratat e kaluara u përmend se dashuria e ka zanafillën tek Zoti, sepse Ai i do krijesat e Tija dhe në veçanti njeriun. Dashuria e Tij për njeriun është diçka e veçantë, sepse Ai ia ka falur njeriut aftësinë për të qenë mëkëmbësi i Tij. Dashuria e Zotit për robërit e Tij, pra, manifestohet me shumë forcë, dhe falë mëshirës e mirësisë së Tij, robit të Zotit i falet sukses në udhëzimin hyjnor dhe në veprat e mira.1


Pas këtij shpjegimi hyrës, tani do të merremi pak me shenjat e kësaj dashurie, siç janë shprehur në fjalët e personaliteteve madhështorë të Islamit:


Robi e do Zotin ashtu, siç e do Zoti robin e Tij.2


Zoti bën që miqtë e Tij t’i duan robërit e vërtetë të Zotit. Kur dashuria e Zotit e mbush zemrën e një besimtari të devotshëm, ajo bëhet më e butë dhe e përndritur me dritën e mirësisë së Zotit, e cila i tërheq zemrat e besimtarëve.


Zoti i fal sukses në bindje robit të Tij.3


Zoti ia lehtëson adhurimin robit të Vet.


Zoti ia fal robit të Vet atë që i duhet.4


Zoti e lë robin e Tij të vuajë shumë.5


Zoti i mbulon mangësitë e robit të Tij dhe nuk i zbulon ato.6


Robit të tij, Zoti i fal një zemër përplot durim dhe sjellje të virtytshme.7


Zoti bën që robi i Tij ta përbuzë këtë botë, sepse ajo e largon prej Tij.8


Zoti e stolis robin e Tij me virtyte si durimi dhe paqja.9


Zoti e frymëzon robin e Tij për sinqeritet dhe drejtësi.10


Zoti i shpall dituri robit të Tij. 11


Zoti e shpërblen robin e Tij me shpërblimin e merituar të adhurimeve.12


Zoti e bën të besueshëm robin e Tij.13


 


Dashuria e Zotit për robin e Tij është aq e fuqishme sa nuk mund të përshkruhet. Ajo është e pafundme dhe i tejkalon kufijtë e arsyes sonë. Ne mund të fitojmë vetëm një përshtypje të përafërt të kësaj dashurie, nëpërmjet asaj që na është përcjellur në burimet islame dhe nëpërmjet arsyes sonë të kufizuar. Realiteti i plotë të kësaj çështjeje nuk mund të shprehet.


Në lidhje me dashurinë ndaj Zotit mund të thuhet se ajo është e ndërlidhur fort me asgjësimin në Zotin dhe me dorëzimin e plotë në duart e Tija. Këtë mund ta shpjegojmë më mirë nëpërmjet një tregimi që përcillet në Mesnevi-në e Rumiut: 


Një i dashuruar shkoi te e dashura e tij dhe i shpjegoi asaj për gjërat që i kishte bërë për hir të dashurisë që ndjente për të. Kishte dhënë para, e kishte humbur pushtetin, ishte përballur me dështime dhe shumëçka tjetër. Pas një bisede të gjatë, i dashuruari tha: Por e kaluara është e kaluar. Ma trego rrugën tani dhe më trego se çfarë detyrimesh kam ndaj teje, të dashurës sime! Atë që ma urdhëron, kam për ta kryer edhe sikur të më kushtojë sa jeta. Këmbë e kokë të jam dorëzuar ty. Kurrë s’kam për të të kthyer shpinë e kurrë s’kam për të të lënë. Urdhrit tënd ia dorëzoj trupin e shpirtin tim.


E dashura iu përgjigj: Ke bërë shumë, por gjithë ç’ke bërë deri sot, është krejt pa rëndësi. Ti s’e ke bërë atë që është më e rëndësishmja.”


Ç’është më e rëndësishmja?, pyeti i dashuruari.


E dashura i tha: Thelbi i dashurisë është që i dashuruari ta japë jetën për të dashurën dhe të pushojë së ekzistuari.


Pikërisht kjo është ekzistenca e vërtetë dhe vazhdimësia e mirëfilltë. Kjo vdekje nuk është tjetër veçse pavdekshmëria, që e bën emrin e të dashuruarit të jetojë deri në ditën e ringjalljes.


Kur të vdesësh gjen jetën e vërtetë
Emri gjer n’ringjallje të mbetet përjetë.
I dashuruari këtë kur dëgjoi
Psherëtiu njëherë e dha jetën në çast...14


 


Kjo është arsyeja përse Profeti pranohet si i dashuruari më i madh i Zotit. Ai i mori përsipër të gjithë problemet dhe vështirësitë e udhëzimit të njerëzve dhe u përpoq më shumë se gjithkush, që zemrat e njerëve të ringjalleshin e të gjenin udhëzim. Ai ishte gjithnjë i durueshëm dhe për njëzet e tre vjet i duroi të gjitha vështirësitë. Ndonjëherë i kërkuan që t’i mallkonte ata që e ofendonin. Por Profeti Fisnik vetëm thoshte: O Zot! Udhëzoji njerëzit e mi, se të paditur janë!


Në lidhje me këtë, Rumiu thotë:


Muhammedi më së dëliri donte të Dashurin e tij
Për të pastaj Zoti qiejt i krijoi
Dhe ngase i pashembullt qe në dashuri
Atë zgjodhi Zoti si profet të Tij.
Po të mos ish ky det i pastër dashurie
Qiejt s’do t’i krijonte Zoti kurrsesi...


Për shkak të ndikimeve të dashurisë, Kur’ani i jep një rëndësi të madhe dashurisë ndaj Zotit dhe i përmend ata që duhen nga ana e Tij. Në të njejtën kohë, Kur’ani e qorton dashurinë ndaj gjërave të tjera veç Zotit, ndonëse dashurinë për disa njerëz e grupe, e cila mbështetet në dashurinë për Zotin, e këshillon me ngulm. E tillë është dashuria për Profetin (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij), për Ehl-i Bejtin e tij (paqja qoftë mbi ta), për bashkëshortin/bashkëshorten, për fëmijët, për mësuesit, për popullin, për prindërit e për miqtë.


Këtu është me rëndësi të kuptohet se vihet theks mbi dashurinë për këta njerëz, vetëm ngase kjo dashuri ka një rol udhëzues dhe përsosës në afrimin e njeriut me Zotin, i cili është i Dashuri i vërtetë. Andaj, Zoti e qorton ashpër dashurinë ndaj një gjëje, e cila themelohet në ngasjet dhe në egon njerëzore, sepse kjo është e kalueshme dhe do të pushojë së ekzistuari herët a vonë. Një dashuri e tillë nuk është stabile, përkundër dashurive të tjera që ndërlidhen me vullnetin e Zotit, të cilat mbeten përgjithmonë. Paqja, mëshira dhe bekimet e Zotit qofshin mbi ju!  


 


1: Ihja ulum el-din, vëll.4, fq.304
2: Mizan el-hikme, vëll.2, fq.224, hadithi nr.3147
3: Po aty, thënie e Imam Aliut (a.s)
4: Po aty, thënie e Imam Sadikut (a.s)
5: Po aty, thënie e Profetit (a.s)
6: Po aty, thënie e Imam Sadikut (a.s)
7: Po aty, thënie e Imam Aliut (a.s)
8: Po aty, thënie e Imam Aliut (a.s)
9: Po aty
10: Po aty
11: Po aty
12: Po aty
13: Po aty
14: Rumi, Mesnevi, libri i gjashtë

publikuar më: 24.01.2013

Lexoni gjithashtu..

30.12.2016 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve (pjesa e tretë)
28.10.2016 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve (pjesa e dytë)
20.02.2015 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve
03.10.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e fëmijëve për prindërit
12.09.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e prindërve për fëmijët (pjesa III)
25.04.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e prindërve për fëmijët (pjesët I dhe II)
11.10.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja për dashurinë bashkëshortore (pjesa e dytë)
15.06.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja për dashurinë bashkëshortore (pjesa e parë)
03.05.2013 Koncepti i dashurisë: Si fitohet dashuria ndaj Profetit (s.a.v) dhe ndaj Ehl-i Bejtit të tij?
08.03.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj Profetit (s.a.v) dhe ndaj Ehl-i Bejtit të tij
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria e Zotit për njeriun (pjesa I)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shenjat e dashurisë së njeriut ndaj Zotit (pjesa II)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shenjat e dashurisë së njeriut ndaj Zotit (pjesa I)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Si arrihet dashuria ndaj Zotit?
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria për Zotin e Madhëruar
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shkaqet e dashurisë njerëzore
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Llojet e dashurisë njerëzore
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja e njeriut për dashurinë

Kthehu