Koncepti i dashurisë
Si arrihet dashuria ndaj Zotit?
Ajetollah Dr. Riza Ramazani

Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!


 Një pyetje e rëndësishme në lidhje me temën e dashurisë ndaj Zotit ka të bëjë me mënyrën e arritjes së saj. Nga Kur’ani dhe nga hadithet mund të kuptojmë se ekzistojnë dy rrugë për këtë: njëra teorike dhe tjetra praktike. Në lidhje me rrugën teorike, kemi përmendur tashmë se dashuria vjen si pasojë e njohjes. Në Islam, njohja e Zotit konsiderohet njohja më e lartë dhe më e rëndësishme. Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Njohja e Zotit të Madhëruar është më e larta e njohjeve.1


Niveli i njohjes ose i diturisë varet nga subjekti që kërkohet të njihet. Dhe ngase nuk ka ndonjë gjë më të lartësuar e më të vlefshme se Zoti, njohja e Tij dhe e cilësive të Tija e përbën diturinë më sipërore. Njohja (gnosa) e Qenies, Cilësive dhe e Emrave të Zotit është njohja më sipërore.


Duhet këtu të theksojmë se njohja nëpërmjet zemrës është theksuar shumë nga ana e gnostikëve (urefa). Ata thonë me plot bindje se njeriu mund t’i zbulojë realitetet e universit nëpërmjet përndritjes së shpirtit dhe të zemrës së tij. Në këtë pikë fshihet edhe dallimi i gnostikëve nga filozofët. Gnostikët besojnë në fuqinë e dashurisë së brendshme dhe natyrore, përpiqen për ta përforcuar atë dhe mundohen që, nëpërmjet abstenimit dhe asketizmit (zuhd), t’i eliminojnë pengesat nga kjo rrugë.


 


Argumentet racionale janë metoda më e mirë dhe më e sigurt për ta njohur Zotin, ndonëse janë një metodë e vështirë dhe kërkojnë një dituri paraprake. Por nëse kërkojmë metoda më të lehta dhe më të qarta akoma, atëherë mund ta shfrytëzojmë si një metodë ideale perceptimin shqisor dhe përvojën njerëzore, të cilën e fitojmë nëpërmjet studimit të fenomeneve në botën materiale dhe nëpërmjet studimit të rendit që fshihet në këto fenomene. Megjithatë, kjo metodë na mundëson vetëm një studim të efekteve të krijimit hyjnor dhe pika maksimale që mund të arrihet është mendimi se ekziston vërtet një Krijues i ditur. Por nuk mund as të vërtetohet dhe as të përgënjeshtrohet në është ky krijues Zoti ose thjesht një Krijues i krijuar nga një Krijues tjetër. Kjo pyetje mund të gjejë përgjigje të saktë vetëm nëpërmjet filozofisë dhe argumentimit të saktë racional.


 


Për individë të caktuar, zemra dhe prirjet e natyrshme të njeriut janë një rrugë e përsosur për ta njohur Zotin. Madje mund të thuhet se kjo gjë është e mundur për çdo njeri. Megjithatë, kjo mënyrë e njohjes nuk është diçka që mund të shprehet në formë të një shkence që mund të përcillet nga një njeri tek tjetri. Përkundër kësaj, dituria dhe filozofia mund t’u përcillen njerëzve të tjerë.


 


Në anën tjetër, duhet theksuar se metoda praktike e dashurisë ndaj Zotit është e mundur vetëm nëpërmjet abstenimit nga prirjet e kësaj bote. Zemra e njeriut është një enë, e cila nuk mund të mbushet me gjëra të kundërta me njëra-tjetrën. Në një zemër nuk mund të ekzistojnë dy dashuri që kundërshtohen ndërmjet veti. Nëse zemra është e mbushur me dashurinë për këtë botë, në të nuk ka më vend për dashurinë ndaj Zotit. Në lidhje me këtë, Profeti i shenjtë (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) thotë: Dashuria për këtë botë dhe dashuria ndaj Zotit nuk bashkohen kurrë në një zemër.2


Ndërsa Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Nëse e doni Zotin, atëherë zbrazeni nga zemrat tuaja dashurinë për këtë botë! 3


Po kështu, Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) thotë: Për Zotin! Ai që e do këtë botë dhe ndonjë gjë tjetër veç nesh (Ehl-i Bejtit), nuk e do Zotin.4


 Dashuria ndaj Ehl-i Bejtit është një mjet për ta arritur dashurinë ndaj Zotit. Me fjalë të tjera, dashuria ndaj Ehl-i Bejtit është në vijë të njejtë me dashurinë ndaj Zotit. Si e tillë, ajo nuk paraqet kurrfarë pengese për dashurinë ndaj Zotit, por përkundrazi, përbën një fillim dhe një themel të saj. Ai që e do Zotin, i do edhe njerëzit, të cilët Zoti i ka cilësuar si më të dëlirët në mesin e krijesave, dhe e përdor këtë dashuri, për ta fituar afërsinë me Zotin. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!


 


1: Mizan el-Hikme, vëll.6, hadithi.11935
2: Po aty, vëll.2, hadithi 3162
3: Po aty, vëll.2, hadithi 3167
4: Po aty, vëll.2, hadithi 3156

publikuar më: 24.01.2013

Lexoni gjithashtu..

30.12.2016 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve (pjesa e tretë)
28.10.2016 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve (pjesa e dytë)
20.02.2015 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve
03.10.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e fëmijëve për prindërit
12.09.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e prindërve për fëmijët (pjesa III)
25.04.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e prindërve për fëmijët (pjesët I dhe II)
11.10.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja për dashurinë bashkëshortore (pjesa e dytë)
15.06.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja për dashurinë bashkëshortore (pjesa e parë)
03.05.2013 Koncepti i dashurisë: Si fitohet dashuria ndaj Profetit (s.a.v) dhe ndaj Ehl-i Bejtit të tij?
08.03.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj Profetit (s.a.v) dhe ndaj Ehl-i Bejtit të tij
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria e Zotit për njeriun (pjesa II)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria e Zotit për njeriun (pjesa I)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shenjat e dashurisë së njeriut ndaj Zotit (pjesa II)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shenjat e dashurisë së njeriut ndaj Zotit (pjesa I)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria për Zotin e Madhëruar
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shkaqet e dashurisë njerëzore
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Llojet e dashurisë njerëzore
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja e njeriut për dashurinë

Kthehu