Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Në ligjëratën e kaluar folëm për rrugën teorike dhe praktike për ta arritur dashurinë ndaj Zotit. Tani do të shohim se çfarë tiparesh dhe shenjash shfaqin njerëzit, të cilët thonë se e duan Zotin. Kuptohet se këto cilësi, si edhe vetë dashuria, janë me intensitete të ndryshme tek njerëzit e ndryshëm. Këtu do të merremi me shenjat kryesore të dashurisë ndaj Zotit, ashtu siç përshkruhen në Kur’an dhe në hadithe.
Të qëndruarit larg mëkateve
Njëra nga shenjat kryesore të dashurisë ndaj Zotit është që i dashuruari të qëndrojë larg mëkateve dhe, në përgjithësi, larg gjithçkaje që është e papëlqyeshme për Zotin, sepse kur mëkaton, njeriu largohet nga Zoti. Dashuria ndaj Zotit nuk mund të bashkëjetojnë me mëkatin dhe mosbindjen, siç thotë edhe Imam Sadiku (paqja qoftë mbi të):
Ti s’i bindesh Zotit, ndonëse thua se e do Atë. Kjo nuk është e mundur dhe vetëm sa e bën më të dyshimtë sjelljen tënde. Po të ishte e sinqertë dashuria jote, ti do të ishe i bindur, sepse i dashuruari i bindet të Dashurit dhe nuk shfaq mosbindje.1
Bindja
Dashuria e vërtetë dhe e sinqertë kërkon që njeriu të reagojë ndaj dëshirave të të Dashurit dhe të shfaqë një bindje dhe besnikëri që buron nga dashuria ndaj Tij. Kjo bindje duhet të jetë edhe e brendshme, por edhe e jashtme. Kjo do të thotë se fjalët boshe të bindjes nuk mjaftojnë. Një i dashuruar i mirëfilltë i bindet të Dashurit si në brendinë e në fshehtësinë e tij, ashtu edhe në të jashtmen dhe të dukshmen. Kuptohet se bindja ndaj të Dashurit e përforcon dashurinë. Kështu, sa më tepër që përpiqet për t’i përmbushur dëshirat e për t’u bindur urdhrave të të Dashurit, i dashuruari fiton gjithë më tepër dashuri nga Zoti. Në një letër drejtuar Harith Hamedaniut, Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) shkruan: Bindju Zotit në veprat e tua, sepse t’i bindesh Zotit është më mirë se gjithçka tjetër.2
Pra mund të themi se bindja, droja para Zotit dhe largimi nga mëkatet, nga vetëpëlqimi dhe nga ngasjet e egos, janë në mesin e shenjave kryesore të dashurisë ndaj Zotit.
Dashuria ndaj Zotit si një prioritet
Një shenjë tjetër e dashurisë së njeriut ndaj Zotit është kur zemra e të dashuruarit është përplot dashuri ndaj Zotit. Ai e do vetëm Zotin, vetëm Atë e sheh si të Dashurin e vërtetë dhe i jep Atij përparësi para gjithçkaje tjetër. Thënia në vijim përcillet nga Imam Aliu (paqja qoftë mbi të):
Si mund të thotë dikush se e do Zotin, kur zemra e tij është e mbushur me dashuri për gjërat e kësaj bote?3
Ai është hareja dhe dhimbja e të dashuruarve. Ai është shpërblimi i veprave të tyre. Kur sheh diç tjetër veç të Dashurit, s’është dashuri, por veç ngasje e pavlerë. Kur e vërteta shkatërrohet nga një gjë tjetër veç Tij, atëherë shih përpos Tij kush mbetet vallë! Vetëm Zoti mbeti e të tjera kaluan. Andaj gëzohu, o dashuri, se dhimbjen lamë pas!4
Dashuria ndaj të zgjedhurve të Zotit
Kemi përmendur tashmë se dashuria e vërtetë është vetëm për Zotin. Por kjo nuk do të thotë se dashuria për Profetin e për të zgjedhurit e tjerë të Zotit (paqja qoftë mbi ta) është diçka e ndashme prej kësaj. Dashuria ndaj tyre është pjesë e rrugës së të Vërtetës dhe konsiderohet mjeti kryesor për ta arritur dashurinë ndaj Zotit. Imam Bakiri (paqja qoftë mbi të) përcjell se i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) ka thënë: Dashuria e një besimtari për një besimtar tjetër është nga pjesët më të mëdha të besimit. Dijeni se është nga miqtë e zgjedhur të Zotit ai që do për hir të Zotit, që zemërohet për hir të Zotit, që jep për hir të Zotit e që, kur nuk jep, nuk jep ngase kështu do Zoti.5
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!
1: Bihar’ul-Enver, vëll.7, fq.15
2: Neh’xhul-Belaga, letra 61, fq.354
3: Mizan’ul-Hikme, vëll.2, fq. 228, hadithi nr.3163
4: Mesnevi, libri i pestë, vargjet 586-590
5: El-Kafi, vëll.3, fq.189