Koncepti i dashurisë
Dashuria ndaj miqve
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Në mesin e prirjeve që gjenden tek çdo njeri është edhe prirja për shoqërim me njerëzit e tjerë. Në rastin e miqësisë, është me rëndësi që kjo prirje të orientohet në mënyrë që të japë një kontribut në zhvillimin dhe përsosjen e njeriut e në rrugëtimin e tij drejt të vërtetës. Nuk ka dyshim se është dashuria, ajo që e bën një grup njerëzish të mblidhen dhe t’i ndihmojnë njëri-tjetrit në arritjen e qëllimeve të tyre, në lehtësimin e rrugës dhe në eliminimin e problemeve.


Miqësitë janë të nevojshme në shumë aspekte. Nga njëra anë, miqësia bën që principet etike të njerëzve të rrënjosen në një mënyrë që e udhëzon njeriun dhe, nga ana tjetër, që vlerat si drejtësia, bashkëpunimi, modestia, uniteti dhe vendosmëria të forcohen edhe më. Ka gjasa që këto vlera të mos mund të arrihen në mënyrë tjetër veçse nëpërmjet shoqërimit me njerëz të duhur. Janë pikërisht miqësitë e tilla që e përshpejtojnë dhe e përmirësojnë zhvillimin e njeriut.


Për miqësinë kemi nevojë edhe kur duam t’i praktikojmë mësimet fetare. Feja e ka konsideruar një akt adhurimi kërkimin e miqve dhe e ka njohur miqësinë si një nevojë inherente të natyrës njerëzore, që është jo më pak e rëndësishme se ushqimi, uji ose gjumi. Imam Ridai (paqja qoftë mbi të), duke e përshkruar vlerën dhe shpërblimin e miqësisë, thotë: “Kushdo që fiton një vëlla për hir të t’u afruarit me Zotin, ka ndërtuar për vete një pallat në parajsë.”[1] Një miqësi me kriteret e duhura nuk është e dobishme vetëm në këtë botë por edhe në botën tjetër.


Njeriu ka nevojë për miqësinë, mes tjerash edhe për shkak të ndjesisë për unitet mes njerëzve. Një besimtar duhet të zhvillohet nga shkalla individuale drejt shkallës shoqërore dhe janë pikërisht miqësitë që e mundësojnë një gjë të tillë. Nga Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) përcillet thënia në vijim: “Miqtë janë një shpirt në dy trupa të ndryshëm.”[2]


Është me rëndësi, në këtë pikë, që njeriu të gjejë miq të vërtetë. Një gabim në zgjedhjen e miqve mund të ketë pasoja të rënda për psikën njerëzore. Ndaj mund të thuhet se një mik i vërtetë i përmbush nevojat shpirtërore të njeriut. Nëse njeriu bën një gabim pikërisht në zgjedhjen e miqve të tij, kjo ka për ta çuar drejt pasigurisë, shqetësimit dhe vetmisë. Kjo sepse një mik është simboli që e përshkruan dhe definon identitetin e njeriut, gjegjësisht gjendjen e tij në jetë. Siç thuhet shpesh: “Më thuaj kënd ke mik, të të them se kush je.” Ja përse zgjedhja e duhur e miqve është e një rëndësie jetike për ta ruajtur identitetin personal dhe për ta përforcuar atë edhe më. Kjo zgjedhje bëhet edhe më e rëndësishme kur të kihet parasysh se, në të shumtën e rasteve, njeriu përpiqet për t’iu përshtatur mikut të tij. Në rast të një zgjedhjeje të gabuar, kjo nënkupton se njeriu do të përfitojë cilësi dhe shprehi të liga e të pamoralshme. Njeriu, pra, duhet t’i zgjedhë me kujdes miqtë e tij dhe të mos shkojë në miqësinë e tij as drejt tepërimit në dashuri dhe as drejt shpërfilljes, sepse të dyja kanë pasoja të rënda shpirtërore. Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) thotë: “Mos tepëro në miqësinë tënde me një njeri, sepse mund të bëhet armik një ditë. Dhe mos tepëro në armiqësinë tënde me dikënd, sepse armiku i sotëm mund të bëhet miku yt nesër.[3]


Gjatë zgjedhjes së një miku, njeriu duhet ta vlerësojë personin në disa raste të ndryshme. Një shembull i mirë për një gjë të tillë do të ishte një periudhë e vështirë në jetë, e cila do të tregonte se sa i gatshëm është miku në fjalë për të ndihmuar. Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) thotë: “Sprovoje mikun tënd në kohë të vështira!”[4] Një mundësi tjetër për ta njohur më mirë një person është zemërimi. Shumë njerëz, pikërisht kur janë të zemëruar, e nxjerrin në pah identitetin e tyre të vërtetë. Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) ka thënë:  “Nëse miku yt zemërohet me ty tri herë dhe nuk të thotë asnjë fjalë të ligë, atëherë ruaje si mik.”[5] Edhe udhëtimi është një mundësi e mirë për ta sprovuar një mik, sepse gjatë udhëtimit del në pah identiteti i njeriut dhe i mundëson personit përballë që të vendosë se si duhet të sillet me të. Gjatë udhëtimit, njerëzit kalojnë një kohë aq të gjatë së bashku, sa është vështirë për personin të shtiret dhe ta mbajë fshehur identitetin e tij të vërtetë.


Një mundësi tjetër për ta njohur më mirë një mik është kur personi ta humbë pozitën ose pushtetin e tij, sepse miqësia e vërtetë ka për të vazhduar edhe përkundër këtij dështimi. Nga Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) përcillet thënia në vijim: “Kur e humb pushtetin dallohet miku nga armiku.”[6]


Disa nga gjërat, për të cilat njeriu duhet të ketë kujdes me miqtë e tij, është pyetja se sa e dëgjojnë atë, sa flasin për veprat e tija të mira me njerëzit e tjerë, sa mirë ndjehen në praninë e tij, sa përpiqen për ta njoftuar me njerëz të tjerë dhe sa e ndihmojnë me problemet e tija. Nga profeti Llukman (paqja qoftë mbi të) përcillet thënia në vijim: “Mikun tënd nuk ke për ta njohur, deri në çastin kur të jesh i varur prej tij.”[7] 


Mik i vërtetë nuk është ai
që si vëlla shtiret kur ti mirë të jesh
Ai është mik që të ndihmon
në kohë hutish e dyshimesh.


 


 Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!







[1] Mizan el-Hikme, v.1, fq.46, hadithi nr. 177
[2] Mizan el-Hikme, v.5, fq.296, hadithi nr.10219
[3] Nehxhu’l-Belaga, thënia numër 268
[4] Mizan el-Hikme, v.5, fq.312, hadithi nr.10324
[5] Mizan el-Hikme, v.5, fq.312, hadithi nr.10328
[6] Mizan el-Hikme, v.5, fq.312, hadithi nr.10323
[7] Mizan el-Hikme, v.5, fq.312, hadithi nr.10325



publikuar më: 20.02.2015

Lexoni gjithashtu..

30.12.2016 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve (pjesa e tretë)
28.10.2016 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve (pjesa e dytë)
03.10.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e fëmijëve për prindërit
12.09.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e prindërve për fëmijët (pjesa III)
25.04.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e prindërve për fëmijët (pjesët I dhe II)
11.10.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja për dashurinë bashkëshortore (pjesa e dytë)
15.06.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja për dashurinë bashkëshortore (pjesa e parë)
03.05.2013 Koncepti i dashurisë: Si fitohet dashuria ndaj Profetit (s.a.v) dhe ndaj Ehl-i Bejtit të tij?
08.03.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj Profetit (s.a.v) dhe ndaj Ehl-i Bejtit të tij
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria e Zotit për njeriun (pjesa II)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria e Zotit për njeriun (pjesa I)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shenjat e dashurisë së njeriut ndaj Zotit (pjesa II)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shenjat e dashurisë së njeriut ndaj Zotit (pjesa I)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Si arrihet dashuria ndaj Zotit?
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria për Zotin e Madhëruar
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shkaqet e dashurisë njerëzore
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Llojet e dashurisë njerëzore
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja e njeriut për dashurinë

Kthehu