Koncepti i dashurisë
Nevoja për dashurinë bashkëshortore (pjesa e dytë)
Ajetollah Dr. Riza Ramazani

Nevoja për dashurinë bashkëshortore (pjesa e dytë) by librariadielli


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!  


Nga natyra e saj dhe falë prirjeve të saja të brendshme, gruaja e kërkon dashurinë. Qenia e saj është e mbushur me dashuri e dhembshuri. Andaj ajo dashuron dhe kënaqet kur e dashurojnë. Sa më tepër që të ndjehet e dashuruar, aq më e lumtur bëhet. Ndërsa kur nuk e ndjen këtë, përmallet dhe e kaplon dëshpërimi. Andaj, i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) ka thënë: “Nëse një burrë i thotë një gruaje se e dashuron, ai ka për të mbetur përgjithmonë në zemrën e saj.”1


Një burrë duhet gjithnjë të ketë kujdes për tri gjëra në jetën e tij. Fillimisht, ai duhet t’i korigjojë pikëpamjet e veta dhe ta shohë jetën me një sy pozitiv.  Këndvështrimi  i tij filozofik mbi ngjarjet duhet të jetë gjithnjë pozitiv dhe ai duhet ta kuptojë jetën si një gjë të arsyeshme. Kjo ka për të bërë që ai të mos përqëndrohet në mangësitë e mundshme të bashkëshortes së tij, por edhe në këtë rast, t’i shohë anët pozitive.


Pas kësaj vjen qëndrimi i tij në lidhje me martesën. Këtë fenomen njerëzor dhe këtë nevojë të tij, ai duhet ta shohë si të shenjtë.  Ai duhet të kuptojë se nëpërmjet martesës, përgjegjësitë e tija zgjerohen dhe se tashmë, jeta e tij nuk ka të bëjë vetëm me vetveten. Nga “uni” individual krijohet një “ne”, gjë që ka pasoja dhe ndikime në përditshmëri. Pas martesës, pra, ai duhet t’i njohë përgjegjësitë e veta dhe me shumë shpresë ta planifikojë rrjedhën e ardhshme të jetës së tij.


Së treti është me rëndësi që ai ta shohë realisht bashkëshorten e tij dhe të sillet sipas kësaj. Ajo është tashmë partnere e jetës së tij dhe jo një shërbetore ose skllave. Ai duhet domosdo ta çmojë pozitën e saj si partnere dhe si njeri.  Bashkëshortja, pra, duhet të trajtohet me respekt dhe kurrë të mos shihet me një sy nënçmues ose të lëndohet me sjellje poshtërsuese.


Kur një burrë e vështron të shoqen me një vështrim  që është i vetëdijshëm për ekzistencën njerëzore, nuk ka dyshim se ka për ta pranuar pozitën e saj të lartë si njeri. Ta shohësh bashkëshorten si një njeri e si një individ që mund të ketë ndikim në zhvillimin dhe në përparimin tënd, ka një ndikim edhe mbi pikëpamjet e një burri. Prezantimi i gruas si një djall është një qëndrim krejtësisht i pabazë, jo-kur’anor dhe joislam. Ndërsa e përcjell rrëfimin mbi Ademin dhe Havvanë, Kur’ani nuk thotë se djalli e devijoi fillimisht Havvanë dhe se pastaj, ishte ajo që e bëri Ademin të mëkatonte. Zoti i tha Ademit që të rronte me bashkëshorten e tij në parajsë e t’i gëzonte frutat e saja. Kurdoherë që përmenden nxitjet djallëzore në Kur’an, ato përmenden me përemrin e dytë shumës, si për shembull: “Djalli i nxiti ata...” ose “djalli u dha këshilla mashtruese”  ose “djalli u betua se ua donte të mirën...”


 


Duhet të përmendim, gjithashtu, se supozimi se gruaja është krijuar për burrin nuk është edhe aq në harmoni me Kur’anin. Kur’ani thotë se burri e gruaja janë krijuar për njëri-tjetrin: “Ato janë për ju një mbulojë dhe ju jeni një mbulojë për to.” Kur’ani thotë se gruaja e qetëson burrin: “Dhe në mesin e shenjave të Tija është që ka krijuar për ju bashkëshorte nga mesi juaj, që të mund të jetoni në paqe me to. “ (Kur’an 34:10)


Në këtë varg, Kur’ani e shtjellon ndikimin qetësues të bashkëshortes dhe e përcakton këtë si një element themelor të gjendjes shpirtërore dhe emocionale të krijuar nëpërmjet martesës. Burri është i tërhequr nga dashuria e gruas.


Është gjithashtu me rëndësi që bashkëshortët t’i kuptojnë pozitat e njëri-tjetrit dhe qëndrimet mbrojtëse tëpalës tjetër kur bëhet fjalë për një temë të ndjeshme. Shpërfillja e këtij aspekti mund të shkaktojë shumë gjëra të pakëndshme. Andaj, një çift duhet të përpiqet për ta kuptuar njëri-tjetrin dhe për t’i kuptuar arsyet e ndërsjella në raste të tilla të ndjeshme, në mënyrë që së bashku ta sheshojnë rrugën drejt zhvillimit e përparimit dhe ta ndërtojnë jetën e tyre mbi themelin e dashurisë hyjnore.


 


1: Vesail’ush-shia, vëll.14,fq.10


 

publikuar më: 11.10.2013

Lexoni gjithashtu..

30.12.2016 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve (pjesa e tretë)
28.10.2016 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve (pjesa e dytë)
20.02.2015 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve
03.10.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e fëmijëve për prindërit
12.09.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e prindërve për fëmijët (pjesa III)
25.04.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e prindërve për fëmijët (pjesët I dhe II)
15.06.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja për dashurinë bashkëshortore (pjesa e parë)
03.05.2013 Koncepti i dashurisë: Si fitohet dashuria ndaj Profetit (s.a.v) dhe ndaj Ehl-i Bejtit të tij?
08.03.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj Profetit (s.a.v) dhe ndaj Ehl-i Bejtit të tij
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria e Zotit për njeriun (pjesa II)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria e Zotit për njeriun (pjesa I)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shenjat e dashurisë së njeriut ndaj Zotit (pjesa II)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shenjat e dashurisë së njeriut ndaj Zotit (pjesa I)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Si arrihet dashuria ndaj Zotit?
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria për Zotin e Madhëruar
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shkaqet e dashurisë njerëzore
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Llojet e dashurisë njerëzore
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja e njeriut për dashurinë

Kthehu