Koncepti i dashurisë
Nevoja e njeriut për dashurinë
Ajetollah Dr. Riza Ramazani

Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!


 Përgjatë historisë njerëzore, tema e dashurisë ka qenë përherë e rëndësishhme dhe ka luajtur një rol të veçantë. Gjatë diskutimit tonë do të qartësojmë përse e zgjodhëm një temë të tillë për këtë varg ligjëratash. Megjithatë, për fillim duhet të theksojmë se dashuria është ndër nevojat themelore të njeriut. Kur kjo nevojë nuk përmbushet në ndonjë formë ose një tjetër, mungesa e saj shkakton shqetësim të brendshëm tek njeriut dhe tronditje të ndryshme në shoqëri. Andaj, secili njeri duhet të përpiqet për ta përmbushur këtë nevojë, sepse nevojat shpirtërore të njeriut janë po aq të rëndësishme sa nevojat trupore të tij. Siç mund të sjellë kequshqimi pasoja serioze për njeriun, edhe lënia pas dore e nevojave shpirtërore mund të sjellë rreziqe të ndryshme. Është me rëndësi, pra, që njeriu të merret fillimisht me njohjen e nevojave të tija shpirtërore dhe pastaj ta kthejë përmbushjen e këtyre nevojave në një qëllim dhe program parësor të jetës së tij.


Edhe nga këndvështrimi i psikologëve, dashuria rradhitet në mesin e nevojave më të rëndësishme të njerëzimit. Në çdo fazë të jetës së tij, njeriu ka nevojë për dashurinë, e cila në periudha të ndryshme përmbushet pjesërisht nga prindërit, pjesërisht nga motrat, vëllezërit e të afërmit, pjesërisht nga të njohurit dhe miqtë e pjesërisht nga bashkëshorti/bashkëshortja dhe fëmijët. Përgjatë jetës së tij dhe në përshtatshmëri me rrethanat, njeriu përpiqet përherë ta plotësojë këtë nevojë të tijën. Kurdoherë që të shfaqet një mangësi në këtë drejtim, ajo duhet të eliminohet sakaq, sepse mungesa e dashurisë shkakton humbje të mëdha dhe krijon një sërë problemesh individuale shpirtërore.


Dashuria ndaj njerëzve të tjerë është një art, të cilin njeriu duhet ta mësojë. Dashuria nuk është diçka që njeriu e fiton të gatshme dhe e ruan pranë vetes, pa patur një zgjidhje tjetër. Njeriu duhet të ketë kujdes që dashuria të luajë një rol të rëndësishëm në jetën e tij. Është e qartë se sa konflikte serioze shkaktohen, kur njerëzit nuk i njohin kriteret dhe parametrat e dashurisë. Kjo është arsyeja përse kjo temë duhet të theksohet më shumë. Dashuria mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm, kur bëhet fjalë për arritjen e qëllimeve individuale, shpirtërore dhe shoqërore të njeriut.


Tema e dashurisë, me aspektet e ndryshme të saj, ka një rëndësi aq të madhe në jetën njerëzore, sa vetë Zoti e shpalli fenë, si një mjet për t’ia falur njeriut dashurinë e vërtetë. Të gjithë mësimet e vërteta të fesë orientojnë drejt dashurisë. Dashuria ndaj Zotit, ndaj Profetit, ndaj Imamëve të dëlirë, ndaj dijetarëve e gnostikëve të kohës, ose dashuria ndaj prindërve, bashkëshortit/bashkëshortes, ndaj fëmijëve, miqve e të afërmve, të gjitha mund të argumentohen nga këndvështrimi fetar. Andaj kemi vendosur që në ligjëratat vijuese të hedhim dritë mbi dimensionet e ndryshme të kësaj teme, të merremi me çështjet e ndërlidhura me të dhe, gjatë diskusionit, të flasim në lidhje me aspektet e ndryshme të dashurisë.


Këtu dua të theksoj edhe një pikë me rëndësi. Ka njerëz që e përkrahin mendimin se njeriu nuk ka nevojë ta mësojë dashurinë, ndonëse shohin se shumë nga problemet që krijohen nëpërmjet dashurive kalimtare dhe imagjinare, nuk janë tjetër veçse pasoja të paditurisë në lidhje me dashurinë e vërtetë. Vërejmë për shembull se ndodh që dy persona të njihen dhe të ndjejnë një prirje ose tërheqje ndaj njëri-tjetrit. Por pas pak kohësh, shohim prapë se kjo tërheqje është shndërruar në një dëbim të dyanshëm, i cili çon përfundimisht në ndarje. Kjo prirje ose tërheqje kthehet shumë shpejt në një gjendje të zymtë e të pashpresë, ku secila palë hedh akuza në drejtim të palës tjetër. Në të vërtetë, kjo prirje kalimtare nuk ka të bëjë aspak me dashurinë e vërtetë dhe ka shkaktuar gjithnjë vetmi dhe mungesë të plotë dashurie tek njerëzit. Fatkeqësisht, shumë njerëz e kuptojnë këtë me vonesë. Shpresojmë se në ligjëratat e ardhshme do të mund të merremi më hollësisht edhe me këtë temë. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!

publikuar më: 24.01.2013

Lexoni gjithashtu..

30.12.2016 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve (pjesa e tretë)
28.10.2016 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve (pjesa e dytë)
20.02.2015 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve
03.10.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e fëmijëve për prindërit
12.09.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e prindërve për fëmijët (pjesa III)
25.04.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e prindërve për fëmijët (pjesët I dhe II)
11.10.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja për dashurinë bashkëshortore (pjesa e dytë)
15.06.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja për dashurinë bashkëshortore (pjesa e parë)
03.05.2013 Koncepti i dashurisë: Si fitohet dashuria ndaj Profetit (s.a.v) dhe ndaj Ehl-i Bejtit të tij?
08.03.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj Profetit (s.a.v) dhe ndaj Ehl-i Bejtit të tij
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria e Zotit për njeriun (pjesa II)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria e Zotit për njeriun (pjesa I)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shenjat e dashurisë së njeriut ndaj Zotit (pjesa II)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shenjat e dashurisë së njeriut ndaj Zotit (pjesa I)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Si arrihet dashuria ndaj Zotit?
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria për Zotin e Madhëruar
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shkaqet e dashurisë njerëzore
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Llojet e dashurisë njerëzore

Kthehu