Koncepti i dashurisë
Llojet e dashurisë njerëzore
Ajetollah Dr. Riza Ramazani

Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!


 Dashuria është prirja drejt gjërave, të cilat i falin njeriut një ndjesi të këndshme (ose shijim), ndërkohë që urrejtja është e kundërta e kësaj, gjegjësisht dëbimi që ndjen njeriu, nga një gjë që e përjeton si të dhimbshme, të lodhshme ose të vështirë.1 Mulla Sadra e definon dashurinë si vijon: Dashuri është kur njeriu ndjen kënaqësi nga gjërat që janë të përshtatshme me natyrën e tij, qofshin ato racionale, të prekshme, të vërteta ose imagjinare...”


Për dashurinë mund të flitet vetëm nëse njeriu ka njohuri mbi një gjë të caktuar. Vetëm pasi ta ketë njohur një gjë, njeriu mund të zhvillojë në brendi një prirje ndaj saj. Kjo ndjenjë pra, nuk mund t’u veshet gjërave që janë të pajeta, për vetë faktin se atyre u mungon perceptimi dhe njohja. Aftësia për të dashuruar, pra, është një cilësi e gjallesës që posedon arsye. Në këtë kuptim, Imam Sadiku (paqja qoftë mbi të) ka thënë: Dashuria është një degëzim i njohjes.2


 E vërteta është se pikërisht njohja e gjërave e përbën thelbin e prirjes së njeriut ndaj tyre ose e ndjenjës së dëbimit që ndjen nga to. Njeriu ndjen prirje për një gjë, kur ajo i sjell atij dobi e përparësi, dhe nuk i ik asnjë mundimi për ta arritur atë.


Ka tre lloje të dashurisë: dashuria e natyrshme ose shqisore, dashuria imagjinare dhe dashuria e arsyes.


Dashuria shqisore është gjendja që krijohet falë ndijimit nëpërmjet shqisave dhe mund të ndahet në pesë kategori:


- dashuria shqisore e syrit: që nënkupton dashurinë e ndjerë ndaj diçkaje me pamje të bukur, për shembull ndaj fytyrave të bukura ose ndaj lumejve e sipërfaqeve të blerta. Njeriu ndjen kënaqësi kur i vështron këto gjëra.


- dashuria shqisore e dëgjimit: nënkupton ndjenjën e kënaqësisë njerëzore përballë këngëve dhe muzikës


- dashuria shqisore e nuhatjes: nënkupton atë ndjenjë pozitive që lind brenda njeriut, gjatë nuhatjes së erërave të këndshme


- dashuria shqisore e të shijuarit: që njeriu ndjen gjatë ngrënies së ndonjë ushqimi të shijshëm


- dashuria shqisore e prekjes: si shembulli i prekjes së gjetheve të luleve, që zgjon ndjenja të bukura brenda njeriut


 Dashuria imagjinare përbëhet nga perceptimet primitive të njeriut, si fuqia ose epshi. Kjo ndjenjë është më e fuqishme se shqisat njerëzore dhe i sjell njeriut një kënaqësi më të madhe, duke bërë që njeriu të jetë i gatshëm të sakrifikojë edhe disa kënaqësi shqisore vetëm e vetëm për ta arritur kënaqësinë që buron nga dashuria imagjinare.3


 Dashuria e arsyes, siç thotë edhe vetë emri, buron nga arsyeja njerëzore dhe bën që njeriu ta zbulojë pozitën e tij të vërtetë si njeri dhe t’i zbulojë prirjet e tija drejt njerëzve të tjerë dhe objekteve të tjera, duke u mbështetur në kritere dhe parametra të realtë. Shembuj të kësaj janë prirjet që njeriu i ndjen, për shembull, ndaj një mësuesi, ndaj një udhëheqësi ose ndaj një udhërrëfyesi. Kjo dashuri është e pandryshueshme, sepse e ka zanafillën në gjëra shpirtërore dhe nuk mbështetet në stimuj primitivë dhe sipërfaqësorë. Nëse njeriu i kufizon shqisat dhe imagjinatën e tij nëpërmjet arsyes, veprat e tija marrin një ngjyrim tjetër. Ato bëhen më të plota, më të vlefshme dhe më madhështore. Por nëse veprat njerëzore nuk vendosen nën kontrollin e arsyes dhe ngjasojnë më shumë me gjërat që njeriu i kryen për t’i përmbushur nevojat e tija primare si ushqimi ose pija, atëherë njeriu e humb pozitën e tij.4


 Njerëzit, pra, duhet ta gjejnë rrugën e vërtetë për dashurinë e tyre dhe t’i japin kësaj ndjenje një drejtim të caktuar, në vend që të fundosen në iluzione dhe vetëharresë ose të largohen nga rruga e tyre njerëzore e hyjnore, duke u marrë me gjëra të kalueshme. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!


 


1: Imam Muhammed Ghazali, Ihja Ulum el-Din (Ringjallja e shkencave fetare), vëll.4, fq.275
2: Mizbahu’l-Sheria, kapitulli i parë
3: Ihja Ulum el-Din (Ringjallja e shkencave fetare), vëll.4, fq.275; Ibn Sina, Trajtesë mbi dashurinë, fq.9-24
4:Mulla Sadra, Esfar, vëll.7, fq.167

publikuar më: 24.01.2013

Lexoni gjithashtu..

30.12.2016 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve (pjesa e tretë)
28.10.2016 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve (pjesa e dytë)
20.02.2015 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve
03.10.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e fëmijëve për prindërit
12.09.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e prindërve për fëmijët (pjesa III)
25.04.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e prindërve për fëmijët (pjesët I dhe II)
11.10.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja për dashurinë bashkëshortore (pjesa e dytë)
15.06.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja për dashurinë bashkëshortore (pjesa e parë)
03.05.2013 Koncepti i dashurisë: Si fitohet dashuria ndaj Profetit (s.a.v) dhe ndaj Ehl-i Bejtit të tij?
08.03.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj Profetit (s.a.v) dhe ndaj Ehl-i Bejtit të tij
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria e Zotit për njeriun (pjesa II)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria e Zotit për njeriun (pjesa I)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shenjat e dashurisë së njeriut ndaj Zotit (pjesa II)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shenjat e dashurisë së njeriut ndaj Zotit (pjesa I)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Si arrihet dashuria ndaj Zotit?
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria për Zotin e Madhëruar
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shkaqet e dashurisë njerëzore
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja e njeriut për dashurinë

Kthehu