Koncepti i dashurisë
Dashuria ndaj miqve (pjesa e tretë)
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!


Po të përqëndrohemi pak më tepër mbi temën e miqësisë dhe t’u hedhim një vështrim edhe disa vargjeve të Kur’anit dhe haditheve, do të vijmë në përfundimin se një miqësi, boshti i të cilës nuk është Zoti, nuk është një miqësi e besueshme dhe nuk meriton emërtohet kështu. Në këtë kuptim, miqësia është e ngjashme me dashurinë. Po ta kundrojmë nga afër kuptimin e dashurisë, do të shohim se dashuria e vërtetë dhe e mirëfilltë është ajo për Zotin, sepse vetëm Zoti mund të dashurohet në kuptimin e plotë të fjalës (si poseduesi absolut i çdo përsosurie). E njëjta vlen edhe për miqësinë, ndaj themi se Zoti është miku i vetëm i vërtetë. Në dashuri dhe në miqësi, gjithçka që ka të bëjë me ndonjë gjë tjetër përveç Zotit, e humb vlefshmërinë e saj nëse së paku nuk i shërben qëllimit për të na sjellë më pranë Tij. Dashuria dhe miqësia, pra, kanë vlerë dhe vazhdimësi vetëm kur mbështeten në Zotin. Nëse miqësia dhe dashuria rrotullohen rreth boshtit hyjnor, ato nuk do të jenë të dobishme vetëm në këtë botë, por edhe në tjetrën. Një dashuri e tillë ka për të qenë e përjetshme, sepse të gjitha miqësitë dhe dashuritë e tjera janë të kalueshme dhe përfundojnë në largim, ndarje dhe madje në armiqësi. Kur’ani thotë:


Atë ditë edhe miqtë armiqësohen, përveç atyre që janë të druajtur para Zotit. (Kur’an, 43:67)


Mevlana Xhelal ed-Din Rumiu (k.s.) thotë: 


Sjellje të mirë kërko e me të mirët rri! Shih sa vlerë fiton një varr i thjeshtë nga zemra, nga dora e nga fytyra e atij që rri shtrirë në të. Nga fqinjësia me këtë trup të dëlirë, varri mbushet përplot bekim e lavdi. Ndaj ki kujdes kush është fqinji yt, dhe një zemër në paç, kërko një tjetër që zemër kërkon. Pastaj toka e tij do të bëhet mik i shpirtit tënd dhe stoli për të dashurit e tu. Sa shpesh, ah, i varrosuri është më i mirë se njëmijë të gjallë. Ai e merr hijen e vete në varr dhe qindra mijëra jetojnë nën hijen e tij.[1]


Dashuria ndaj miqve mund të shprehet në shumë mënyra. Përshëndetja me njëri-tjetrin, shtrëngimi i duarve dhe përqafimi i njëri-tjetrit, sipas haditheve, janë mënyra të tilla.[2] Një tjetër tregues i dashurisë dhe respektit është të qenit miqësor, të buzëqeshurit dhe të folurit butë me njëri-tjetrin, pastaj edhe të dëgjuarit e kujdesshëm dhe respektimi i mendimit. T’i shprehet besim mikut është shumë me rëndësi, sepse dyshimi i shkatërron miqësitë. Rumiu thotë:


Kur vetëpëlqimi e dyshimi mbisundojnë,
njëmijë miq nga njëri-tjetri copëtojnë
Kur një mik i dashur të lëndon me një gabim
mos mbill sakaq në zemrën tënd dyshim.
[3]


Njeriu duhet t’i vizitojë shpesh miqtë e tij, për të biseduar me ta ose thjesht për t’u bërë shoqëri në punët e tyre. Dhuratat e bëra njëri-tjetrit janë të rëndësishme, njësoj si të ftuarit për të ngrënë bashkë. Miqësia bëhet edhe më e fuqishme kur miqtë e falënderojnë njëri-tjetrin dhe kur e shprehin vlerësimin që kanë për njëri-tjetrin. Përveç kësaj, njeriu duhet përherë të lutet për miqtë e tij, veçanërisht në namazin e natës.


Në mesin e gjërave që e fuqizojnë miqësinë është të duruarit e mangësive të njëri-tjetrit[4], të qenit të vazhdueshëm në vepra të mira[5], të kërkuarit ndjesë kur të gabohet[6], të ruajturit e të fshehtave të njëri-tjetrit, të mbrojturit e njërit-tjetrit[7], udhëzimi dhe këshillimi i ndërsjellë[8], bashkëveprimi, përkrahja morale, të mbrojturit e interesave të njëri-tjetrit[9] dhe mbajtja e premtimeve.[10]


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!






[1] Mesnevi, fletorja e gjashtë, vargjet: 3007-3013
[2] Usul el-Kafi, v.3, fq.236 / El-Muhabba fi’l-kitab ve’s-sunnah, fq.77, hadithi nr.2710
[3] Mesnevi, fletorja e pestë, vargjet: 2644-2645
[4] Mizan el-Hikme, v.3, fq.239, hadithi nr.5500
[5] Kenzu’l-Amaal, fq.54
[6] El-Muhabba fi’l-kitab ve’s-sunnah, fq.174, hadithi nr.814
[7] Bihar el-Envar, v.75, fq.467
[8] Sefinetu’l-Bihar, v.3, fq.590,  El-Muhabba fi’l-kitab ve’s-sunnah, fq.165, hadithi nr.765
[9] Ghurar el-Hikem
[10]



publikuar më: 30.12.2016

Lexoni gjithashtu..

28.10.2016 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve (pjesa e dytë)
20.02.2015 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve
03.10.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e fëmijëve për prindërit
12.09.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e prindërve për fëmijët (pjesa III)
25.04.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e prindërve për fëmijët (pjesët I dhe II)
11.10.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja për dashurinë bashkëshortore (pjesa e dytë)
15.06.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja për dashurinë bashkëshortore (pjesa e parë)
03.05.2013 Koncepti i dashurisë: Si fitohet dashuria ndaj Profetit (s.a.v) dhe ndaj Ehl-i Bejtit të tij?
08.03.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj Profetit (s.a.v) dhe ndaj Ehl-i Bejtit të tij
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria e Zotit për njeriun (pjesa II)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria e Zotit për njeriun (pjesa I)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shenjat e dashurisë së njeriut ndaj Zotit (pjesa II)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shenjat e dashurisë së njeriut ndaj Zotit (pjesa I)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Si arrihet dashuria ndaj Zotit?
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria për Zotin e Madhëruar
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shkaqet e dashurisë njerëzore
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Llojet e dashurisë njerëzore
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja e njeriut për dashurinë

Kthehu