Koncepti i dashurisë
Shkaqet e dashurisë njerëzore
Ajetollah Dr. Riza Ramazani

Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!


 Mund të thuhet se dashuria ekziston tek çdo njeri, në një lloj ose në një tjetër, ndonëse intensiteti i saj ndryshon mes personave. Parametri kryesor për këtë intensitet është njohja që ka personi në fjalë. Sa më e plotë që të jetë dituria jonë për njerëzit dhe gjërat e ndryshme, aq më e fuqishme është prirja jonë ndaj tyre.1 Ka shumë vargje të Kur’anit, të cilat flasin për nivelet e ndryshme të dashurisë:


Dhe në është prej të afërmve (me Zotin), paqe do të ketë për të, bekim e një parajsë plot begati. Dhe në është nga ata të djathtët, (i thuhet) “selame paç nga të djathtët!”. Por në është nga gënjeshtarët e devijuar, atij i takon uji i përvëluar dhe në zjarr të hidhet...(Kur’an 56:88-94)


 Ndonjëherë janë gjërat materiale, ndaj të cilave ndjen prirje njeriu. Kjo mund të jetë pamja e një personi tjetër, paratë ose pasuria. Por ndonjëherë mund të jenë gjëra krejtësisht jomateriale, që kanë të bëjnë me moralin dhe me tiparet e ndryshme njerëzore të ndonjë personi, si dituria, guximi, bujaria dhe të ngjashme. Dhe vetëkuptohet se individët e ndryshëm ndjehen të tërhequr ndryshe drejt këtyre gjërave. Normalisht, kur bëhet fjalë për gjëra të kalueshme, njeriu ose nuk ndjehet fare i tërhequr drejt tyre ose ndjen një tërheqje të kalueshme. Në anën tjetër, kur bëhet fjalë për gjëra që mbeten dhe që janë afatgjate, edhe prirja e njeriut ndaj tyre është shumë më intensive. Të gjithë këta faktorë kanë një ndikim në forcën e tërheqjes që njeriu ndjen ndaj një gjëje.


Mjeshtrit e etikës flasin për shumë burime të prirjeve njerëzore, disa prej të cilave do t’i përmendim në vijim:


1. Dashuria ndaj vetvetes


Nuk ka fare dyshim se çdo njeri e do veten e tij. Kjo dashuri ka të bëjë me prirjet natyrore të njeriut dhe manifestohet në forma të ndryshme, në mesin e të cilave, dy janë posaçërisht të rëndësishme.


Forma e parë e manifestimit të kësaj dashurie ndaj vetes është prirja e njeriut për të patur një ekzistencë të përjetshme, gjë që zhvillohet brenda tij nëpërmjet njohurive të thella dhe jo nëpërmjet të të dhënave sipërfaqësore. Realiteti i njeriut nuk kufizohet në trupin e tij material, dhe është i lidhur ngushtë me shpirtin e tij të përjetshëm. Pikërisht ky shpirt i përjetshëm kërkon diçka të përjetshme, gjegjësisht amshimin. Njeriu, pra, nuk duhet ta kufizojë vetveten në këtë trup tokësor të vetin, por ta përgatisë veten për atë “tejkalim” të përjetshëm. Njeriu dëshiron një ekzistencë të vazhdueshme. Kjo është një nevojë shumë reale e tij dhe duhet të ekzistojë një botë, në të cilën kjo nevojë do të përmbushet.


Një formë tjetër e manifestimit të dashurisë së njeriut për vetveten, është prirja e tij për përsosuri, e cila është e ndërthurur me prirjen e tij për një ekzistencë të vazhdueshme, për vetë faktin se përsosuria nuk është e mundur pa një ekzistencë të vazhdueshme. Kështu, njeriu përpiqet për gjëra që e përsosin qenien e tij, pra për gjëra, të cilat shkojnë përtej thjesht mbijetesës. Edhe prirja për përsosuri e njeriut manifestohet në varësi nga nivelet e ndryshueshme të njohjes së përsosurisë. Nëse njeriu e kupton përsosurinë si një çështje të kësaj bote, është e natyrshme që ai të shfaqë prirje për gjëra materiale dhe ta zgjedhë edhe rrethin e tij sipas kësaj. Por nëse ai e sheh dhe e kupton aspektin jomaterial e shpirtëror të përsosjes, të cilin e kërkon si pasojë e predispozitave të tija, edhe sjellja dhe qëndrimet e njeriut do të jenë të orientuara sipas kësaj. Si pasojë, edhe rrethin e tij shoqëror ka për ta zgjedhur në përshtatshmëri me këtë.


Në kërkon të bukurën, kërko kuptim!
Kuptimi i fshehtë është më e bukura e trajtave
Rri me ata, që kuptimin njohin mirë
Ata të dhuntisin, me shpirtin e tyre kur shkrihesh...2


 


2. Dashamirësia


Në mesin e gjërave të tjera që shkaktojnë dashuri është dashamirësia. Kur njeriu sillet me dashamirësi ndaj dikujt, tek tjetri përherë lind një ndjenjë tërheqjeje. Në këtë rast, pyetja kryesore është: cila forma e bamirësisë e krijon tek tjetri dashurinë më të fortë dhe stabile? Përgjigja varet nga lloji i bamirësisë, për të cilën bëhet fjalë. A është bamirësia, në këtë rast, dhurimi i ndonjë gjëje materiale, si paratë dhe pasuria, ose dhurimi i bukurive të brendshme, të cilat fitohen nëpërmjet mësimeve etike? Që të dy këto gjëra kanë ndikim në vazhdimësinë e dashurisë. Megjithatë, ato dallojnë nga dashuria për vetveten, në faktin se dashuria për veten buron nga vetë objekti i dashurisë dhe përfaqëson përsosurinë e vetë objektit të dashurisë.  Ndërkohë, dashamirësia dhe bamirësia, në këtë rast të dytë, janë shkaqet e përsosurisë. Kjo, në mënyrë të pashmangshme, bën që intensiteti i dashurisë të jetë i ndryshueshëm sipas ndryshueshmërisë së bamirësive ose dashamirësisë.


 


3. Mirësia dhe bukuria


Burime të tjera të dashurisë janë edhe mirësia dhe bukuria. Duhet të theksojmë, megjithatë, se këtu nuk bëhet fjalë për bukurinë e perceptuar nga shqisat. Për shembull, njeriu mund ta cilësojë një sjellje ose një shkencë si “të bukur”, ndonëse perceptimi i bukurisë së këtij fenomeni nuk ka të bëjë aq shumë me shqisat, aq sa me atë perceptim të brendshëm, që arrihet me dritën e arsyes.


Përnga natyra e tij, njeriu ka gjithmonë prirje kundrejt njerëzve që shfaqin mirësi shpirtërore. Ndonjëherë, kjo prirje bëhet aq e fuqishme, sa personi është i gatshëm t’ua falë gjithë kohën dhe pasurinë e tij njerëzve të tillë, vetëm e vetëm për t’u ndihmuar. Mund të ndodhë madje, që njeriu kurrë të mos i ketë parë e takuar këta njerëz, e megjithatë të sakrifikojë shumëçka për hir të tyre. Dashuria që ndjejmë për Profetin e Shenjtë (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) e për Imam Aliun (paqja qoftë mbi të) buron pikërisht nga cilësitë e tyre, gjegjësisht nga mirësia dhe bukuria e tyre shpirtërore.


Kuptohet, edhe bukuritë dhe afërsia materiale mund të jenë një shkak dhe burim për dashurinë. Një dashuri që buron drejtpërdrejt nga gjëja e dashur ose një dashuri që buron nga dy gjëra të ndryshme, të cilat e kanë zanafillën nga e njejta gjë, mund të jenë gjithashtu një themel i dashurisë, për të cilën mund të flasim në ndonjë rast tjetër. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!


  


1: Ihja ulum el-din, vëll.4, fq.296
2: Rumi, Mesnevi, libri i parë, vargjet 710-712

publikuar më: 24.01.2013

Lexoni gjithashtu..

30.12.2016 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve (pjesa e tretë)
28.10.2016 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve (pjesa e dytë)
20.02.2015 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve
03.10.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e fëmijëve për prindërit
12.09.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e prindërve për fëmijët (pjesa III)
25.04.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e prindërve për fëmijët (pjesët I dhe II)
28.02.2014 Koncepti i dashurisë: Këshilla praktike për zhvillimin e dashurisë bashkëshortore
11.10.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja për dashurinë bashkëshortore (pjesa e dytë)
15.06.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja për dashurinë bashkëshortore (pjesa e parë)
03.05.2013 Koncepti i dashurisë: Si fitohet dashuria ndaj Profetit (s.a.v) dhe ndaj Ehl-i Bejtit të tij?
08.03.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj Profetit (s.a.v) dhe ndaj Ehl-i Bejtit të tij
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria e Zotit për njeriun (pjesa II)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria e Zotit për njeriun (pjesa I)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shenjat e dashurisë së njeriut ndaj Zotit (pjesa II)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shenjat e dashurisë së njeriut ndaj Zotit (pjesa I)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Si arrihet dashuria ndaj Zotit?
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria për Zotin e Madhëruar
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Llojet e dashurisë njerëzore
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja e njeriut për dashurinë

Kthehu