Koncepti i dashurisë
Dashuria ndaj miqve (pjesa e dytë)
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Nga vargjet e Kur’anit dhe nga hadithet mund të kuptohet se miqësia duhet të mbështetet në besimin, nëse vërtet duam që ajo të jetë e vazhdueshme. Kështu, besimi dhe virtytet duhet të jenë një kriter për miqësimin.[1] Këto dy gjëra Kur’ani i numëron në mesin e tipareve më të rëndësishme të njerëzve të lumtur[2] dhe na përkujton se pikërisht zemrat e njerëzve të tillë Zoti i mbush me dashuri:


Vërtet, për ata që besojnë e që bëjnë vepra të mira, Zoti ka për të krijuar dashuri (në zemra). (Kur’an, 19:96)


Kuptohet se njeriu duhet të miqësohet me një njeri, i cili ka një ndikim pozitiv mbi vetë atë. Rrjedhimisht, nëse një njeri nuk është i tillë, miqësimi me të do të ishte i pakuptimtë. Besimi, i cili nënkupton dituri, njohje të sigurt, përkushtim dhe modesti karshi Zotit[3], është zgjedhur jo më kot si një kriter për miqësinë e mirëfilltë. Ky kriter do të ketë pastaj ndikim edhe mbi aspektet shoqërore të njeriut. Edhe dituria e një miku duhet të kihet parasysh, sepse të miqësohesh me një njeri, prej të cilit nuk mëson gjë, është një gjë e padobishme. Imam Aliu (a.s.) thotë: “Habitem me atë që do shumë miq, por rri larg të diturve.” [4]


Sa bukur është kur njeriu ka një mik të urtë, përvoja jetësore dhe sjellja e matur e të cilit janë të dobishme për personin. Lidhur me këtë, Imam Aliut (a.s.) ka thënë: “Rri me njerëz të urtë e durimtarë dhe ktheja shpinën kësaj bote!”[5] Urtësia e një miku, pra, është një kriter tjetër i rëndësishëm, sepse urtësia luan një rol të rëndësishëm në jetë. Imam Aliut (a.s.) ka thënë gjithashtu: “Parapëlqe mikun e urtë ndaj një miku mendjelehtë.”[6]


Në mesin e kritereve për zgjedhjen e miqve është edhe takva-ja, pra të qenit i druajtur para Zotit, si dhe respektimi i parimeve hyjnore të moralit dhe ndjekja e urdhrave dhe ndalesave të ligjit fetar. Një njeri që i përmbush këto kushte ka për ta njohur edhe urtinë që fshihet pas detyrimeve fetare, si dhe të ligën që fshihet pas gjërave të ndaluara. Si rrjedhojë, ky njeri gjithnjë do të përpiqet për t’i ndjekur gjërat e caktuara nga ligji hyjnor. Lidhur me njerëzit e tillë në hadithe thuhet: “Kur të shihni një njeri besimtar, i cili nuk është i lidhur pas kësaj bote, afrohuni me të që të mësoni urti.”[7]


Njerëzit e druajtur para Zotit (ar. muttakin) i trajtojnë të tjerët me mirësi dhe përpiqen për t’i ndihmuar. Afërsia me të tillët bën që cilësitë e tyre të mira të përcillen edhe tek miqtë e tyre dhe që edhe ata të nisin të sillet në mënyrë të ngjashme. Njerëzit e druajtur para Zotit janë njerëz të drejtë, për miqësimin me të cilët kurrë nuk pendohet njeriu. Ata janë të besueshëm dhe njeriu mund t’ua besojë atyre edhe problemet e veta më të mëdha.


Nga ajo që u tha deri këtu, mund të kuptojmë se miqësia me njerëz mendjelehtë[8], koprracë, jofetarë, gënjeshtarë[9], hipokritë[10], tradhtarë dhe të padrejtë[11] vetëm sa ka për ta larguar personin nga rruga e një jetesë të drejtë dhe të mirë.


Lidhur me shmangien e miqve të ligë, do të doja të përcillja një rrëfim mjaft të bukur. Përcillet se një ditë, Galeni, mjeku dhe dijetari i famshëm grek, u kërkoi miqve të tij që ta dërgonin te një mjek, prej të cilit do të kërkonte një ilaç të caktuar. Miqtë e tij u habitën dhe i thanë: “Ti vetë je një mjeshtër i madh i mjekësisë dhe di më mirë se ky ilaç u jepet vetëm të çmendurve. Ti nuk je i çmendur!”


Galeni ua ktheu: “Sot u takova me një të çmendur, i cili më bëri shenjë me sy dhe pastaj miqësisht më kapi aq fort për krahu, sa desh ma këputi krahun. Pastaj mendova se me siguri duhet të ketë parë diçka të përbashkët mes meje dhe vetes. Kështu erdha në përfundimin se jam çmendur edhe unë dhe se më duhet ilaç.”


Në një poezi me motive të ngjashme thuhet:


Po të mos gjente diç nga vetja te unë
S’kthehej i shëmtuari për të më parë.
S’fluturon zogu me krahë të një tjetri
Miqësia me të ligun është udhë për në varr.
[12]


 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!






[1] Mohsen Xhavadi, Teoria e besimit, fq.185-192
[2] Mizan el-Hikme, v.5, fq.302, hadithi nr.10248
[3] Po aty, fq.301, hadithi nr.10245
[4] Po aty, fq.304, hadithi nr.10268
[5] Husejn Shirazi, Fadhila el-Islamija, v.1, fq.118
[6] Bihar el-Envar, v.71, fq.191
[7] Bihar el-Envar, v.71, fq.196
[8] Bihar el-Envar, v.71, fq.199
[9] Bihar el-Envar, v.71, fq.196
[10] Gurer el-Hikem, fq.811 dhe Sefinetu’l-Bihar, v.2, fq.605, 606
[11] Tuhef el-Ukul, fq.366
[12] Mesnevi, v.1, fq.125-126



publikuar më: 28.10.2016

Lexoni gjithashtu..

30.12.2016 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve (pjesa e tretë)
20.02.2015 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve
03.10.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e fëmijëve për prindërit
12.09.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e prindërve për fëmijët (pjesa III)
25.04.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e prindërve për fëmijët (pjesët I dhe II)
11.10.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja për dashurinë bashkëshortore (pjesa e dytë)
15.06.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja për dashurinë bashkëshortore (pjesa e parë)
03.05.2013 Koncepti i dashurisë: Si fitohet dashuria ndaj Profetit (s.a.v) dhe ndaj Ehl-i Bejtit të tij?
08.03.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj Profetit (s.a.v) dhe ndaj Ehl-i Bejtit të tij
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria e Zotit për njeriun (pjesa II)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria e Zotit për njeriun (pjesa I)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shenjat e dashurisë së njeriut ndaj Zotit (pjesa II)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shenjat e dashurisë së njeriut ndaj Zotit (pjesa I)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Si arrihet dashuria ndaj Zotit?
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria për Zotin e Madhëruar
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shkaqet e dashurisë njerëzore
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Llojet e dashurisë njerëzore
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja e njeriut për dashurinë

Kthehu