Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Kur’ani urdhëron që të respektohen e të nderohen prindërit dhe e thekson këtë gjë në veçanti. Sipas Kur’anit, ky është një detyrim fetar:
Zoti yt ka urdhëruar që të mos e adhuroni askënd veç Atij e të silleni mirë me prindërit. (Kur’an, 17:23)
Lidhur me sjelljen me dashamirësi ndaj prindërve, Kur’ani thotë:
Shtrij para tyre krahët e përulshmërisë. (Kur’an 17:24)
Në hadithe, kjo temë është trajtuar në mënyra të ndryshme, mes të cilave do të zgjedhim vetëm dy. Për shembull, Abdullah ibn Mesudi përcjell se një ditë e pyeti të Dërguarin e Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) se cila vepër ishte më e pëlqyeshmja. Ai tha: “Falja e namazit në kohë.” “Çfarë pas kësaj?”, pyeti Ibn Mesudi. I Dërguari ia ktheu: “Mirësia ndaj prindërve.”1
Përveç kësaj, nga Imam Rizai (paqja qoftë mbi të) përcillet si vijon: “Kushdo që nuk është mirënjohës ndaj prindërve ose nuk e shpreh këtë, është mosmirënjohës ndaj vetë Zotit.”2
Nderimi i prindërve është një detyrim, me të cilin njeriu është i ngarkuar gjatë gjithë jetës së tij. Dhembshuria dhe mirësia ndaj tyre duhet të burojë nga ndjenja e mirënjohjes ndaj përpjekjeve të tyre të shumta dhe jo të konsiderohet si një favor i bëri atyre nga fëmija. Në Kur’an, Zoti thotë:
Ji mirënjohës ndaj Meje e ndaj prindërve të tu! (Kur’an 31:14)
Njeriu kurrë nuk mund t’ua kthejë dashurinë prindërve të tij, ashtu siç e meritojnë. Ai mund veç ta shprehë mirënjohjen e tij, aq sa mundet. Megjithatë, njeriu gjithnjë u mbetet borxhli atyre. Mirënjohja ndaj tyre nuk duhet të jetë diçka e shprehur vetëm në fjalë, por duhet të vijë në shprehje edhe në bindjen ndaj tyre dhe të shndërrohet në vepra.
Ka shumë mënyra për ta treguar nëpërmjet veprave dashurinë ndaj prindërve. Një prej tyre është sjellja miqësore ndaj tyre, gjë që shprehet edhe në Kur’an, kur thuhet:
...mos ji i vrazhdë me ta dhe folu me fjalë të mira. (Kur’an, 17:23)
Njeriu, pra, duhet t’u kushtojë vëmendje atyre dhe t’u flasë përherë butësisht e kurrë të mos jetë i vrazhdë. Si fëmijë të tyre, nuk guxojmë të flasim me zë të lartë e duke bërtitur me prindërit tanë.3 Të folurit vrazhdë me ta ose sharja e e ofendimi i tyre rradhiten në mesin e mëkateve më të rënda.4
Në hadithe përcillet se vetë vështrimi plot dashuri i fëmijës për prindin është një lloj adhurimi (ibadet).5 Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të) thotë: “Mos i vështro prindërit e tu ndryshe, veçse me butësi dhe dashuri.”6
Një mënyrë tjetër për t’ua dhënë hakun prindërve është mirënjohja. Dashuria, që ata ua kanë shfaqur fëmijëve të tyre, i detyron përjetësisht fëmijët që të jenë mirënjohës ndaj prindërve, madje edhe atëherë kur prindërit bëjnë ose thonë gjëra, të cilat njeriu nuk dëshiron t’i shohë ose t’i dëgjojë.7
Një mënyrë tjetër për ta shprehur dashurinë ndaj prindërve është bindja ndaj tyre. Kjo është një e drejtë e prindërve karshi pasardhësve të tyre, përveç në rastet kur ata u kërkojnë fëmijëve të tyre të largohen nga bindja ndaj Zotit ose të bëhen idhujtarë. Por përveç kësaj, njeriu duhet t’u bindet prindërve të tij dhe këtë ta bëjë me nderimin më të thellë, nëse dëshiron vërtet ta plotësojë detyrimin e vet ndaj tyre. Si çdo njeriu tjetër, edhe prindërit kanë një personalitet të vetin dhe kanë dëshirë të respektohen nga të tjerët, veçanërisht nga fëmijët e tyre, para se të gjithash duke u mbështetur në faktin se kanë dhënë një përpjekje të madhe në edukimin emocional, etik, shoqëror dhe racional të fëmijës.
Dashuria ndaj prindërve është aq e rëndësishme sa Zoti e përmend fill pas besimit në teuhid-in (njëshmërinë). Një mënyrë tjetër e respektit është që fëmija të mos ecë para prindërve, të mos ulet pa u ulur ata, të ngrihet në këmbë kur ata hyjnë në dhomë, ta kontrollojë zemërimin e vet në prani të tyre, të mos e ngrisë zërin karshi tyre dhe kurrë të mos u drejtohet me emër.
Një fëmijë mund t’u blejë dhurata prindërve të tij dhe nëpërmjet këtij veprimi shpirtëror e simbolik t’ua shprehë dashurinë e tyre. Ka gjasa që nëpërmjet kësaj dhurate të mbështillen plagët e krijuara në ndonjë mosmarrëveshje të kaluar.
Të vizituarit e rregullt të prindërve është theksuar shumë shpesh në Kur’an e në hadithe. Edhe sikur prindërit të mos i kushtojnë shumë vëmendje fëmijës, ai duhet sërish t’i vizitojë ata. Përveç kësaj, një fëmijë duhet të mos i hidhërojë e t’i pikëllojë prindërit e tij, sepse këto rradhiten në mesin e mëkateve më të rënda.
Dashuria ndaj prindërve është e nevojshme në çdo kohë dhe nuk kufizohet vetëm në vitet e fundit të jetës së tyre. Njeriu duhet të jetë i kujdesshëm që t’i nderojë ata gjithë kohës dhe kurrë të mos ndiejë lodhje, zemërim ose mërzi nga kjo gjë.
Dashuria ndaj prindërve vazhdon të vijë në shprehje edhe pas vdekjes së tyre, për shembull duke iu lutur Zotit që t’i falë, duke i falur namazet e tyre të mbetura kaza, duke falur namaze të pëlqyeshme për hakun e tyre, duke dhënë lëmoshë në emër të tyre, duke e bërë haxh’xhin në emër të tyre, duke ua paguar borxhet dhe duke i respektuar miqtë e tyre.
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!
1: Mizan’ul-Hikme, vëll.10, f.709, hadithi nr.22375
2: Mizan’ul-Hikme, vëll.10, f.709, hadithi nr.22378
3: Mizan’ul-Hikme, vëll.10, f.715, hadithi nr.22404
4: Po aty
5: Mizan’ul-Hikme, vëll.10, f.73, hadithet nr.19966 dhe 19967
6: Mizan’ul-Hikme, vëll.10, f.715, hadithi nr.22404
7: Tuhefu’l-Ukul, f.238