Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Nuk ka dyshim se Zoti i Madhëruar i do robërit e Tij. Dashuria vjen fillimisht prej Tij dhe Ai kërkon që njeriu ta ruajë këtë dashuri, të cilën ia ka vendosur në zemër. Kur’ani thotë:
Zoti do të sjellë të tjerë njerëz, të cilët Ai i do e të cilët Atë e duan...(Kur’an 5:54)
Kjo dashuri e Zotit për robërit e Tij buron nga Qenia hyjnore, e cila ka dashuri për krijesat. Me fjalë të tjera, dashuria është një cilësi e lartësuar e njeriut dhe një prirje e lindur e tija. Kjo cilësi, e cila gjendet tek të gjithë njerëzit, është dhuruar nga vetë Zoti, i cili i do krijesat e Tija, sepse Ai i ka krijuar. Pra mund të themi se ka një lidhje ekzistenciale ndërmjet Zotit dhe dashurisë për njeriun. Allame Tabatabai thotë: Zoti i do të gjitha krijesat, si pasojë e dashurisë për Veten e Tij. Në anën tjetër, krijesat i kanë pranuar bekimet e Tija dhe Zoti i do ato, njësoj siç i do kur e pranojnë udhëzimin e Tij.1
Në vargjet e Kur’anit flitet edhe për një lloj tjetër dashurie, e cila e ndjek njohjen e Profetit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) dhe bindjen ndaj tij:
Thuaj: në e doni Zotin, atëherë më ndiqni, që edhe Zoti t’ju dojë juve! (Kur’an 5:31)
Në këtë pikë vlen të theksohet se konceptet e dashurisë dhe të urrejtjes, kur të përdoren të ndërlidhura me Zotin, nuk e kanë kuptimin e tyre të zakonshëm, sepse kjo do të nënkuptonte pasivitetin njerëzor, i cili nuk mund të paramendohet në rastin e Zotit. Duhet gjithashtu të kihet kujdes e të vërehet se këto koncepte dallojnë nga gjërat materiale për nga cilësia, sasia e kuptimi, dhe mund të manifestohen krejt ndryshe.2 Në lidhje me këtë, Imam Khomeini thotë: Konceptet si dashuria, urrejtja ose të ngjashmet me këto, kur të shihen nga prizmi i botës së krijuar, nënkuptojnë ndryshueshmëri dhe pasivitet. Por kur këto koncepte burojnë nga bota e të fshehtës, para se të gjithash nga rrafshi i Emrave të Zotit ose e Njëshmërisë së Tij, që është përtej çdo mangësie dhe gabimi, dhe arrijnë në botën tonë në formë të manifestimeve, si manifestimet e mëshirës (të cilat njihen edhe si manifestimet e bukurisë, butësisë, mirësisë dhe afërsisë), atëherë ato shfaqen si dashuri dhe mëshirë, duke nënkuptuar vetvetiu edhe një pranues pasiv të kësaj dashurie dhe mëshire. Kjo e fundit nënkupton mangësitë e kësaj bote. Kështu, urrejtja e Zotit në këtë botë manifestohet si rreptësi dhe hakmarrje (ose dënim), ndërsa dashuria e Tij si mëshirë dhe bujari. Por Zoti e di më mirë...3
Shejh Baha’i ka thënë: Dashuria e Zotit për njeriun shfaqet në faktin se Ai e thërret robin e Tij dhe e afron me Veten. Ai i jep atij qasje në botën hyjnore dhe e mbush arsyen e tij me të fshehtat nga bota e hyjnores. Ai i përqëndron shqisat e robit të Tij në pranimin e dritës hyjnore, me çfarë robi e arrin pozitën e afërsisë me Zotin. Pas kësaj, gjaku e mishi i tij përzihen me dashurinë, derisa ai e harron veten e tij dhe nuk sheh diçka tjetër veç Zotit. Atëherë Zoti bëhet syri dhe veshi i tij.4
Shko digje shtëpinë e zemrës sate
e për të Dashurin pak vend lër bosh!
Kur ti të dalësh, Ai do të hyjë
dhe bukurinë shfaq, kur veten ta harrosh...
Kush të dashur bën veten me të mira
ka pastruar shtëpinë e ka flakur të tëra.
Në qenien e të Dashurit është, gjen vend atje
gjer kur thotë Zoti:“Nëpërmjet Meje dëgjon e sheh...”5
Këtu qartësohet se dashuria e Zotit për njeriun buron nga dashuria për vetveten, që s’është tjetër veçse perceptimi i Mirësisë dhe i Përsosurisë. Kjo dashuri u shfaqet robërve të Zotit nëpërmjet bujarisë së Tij. Pra kur Zoti i dhuron një robi të Tij bekime të pafundme, Ai ia fal dashurinë e Tij. Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!
1: El-Mizan, vëll.1, fq.411
2: Ihja ulum el-din, vëll.4, fq.302-303
3: Dyzet hadithe, fq.390
4: Po aty, fq.689, hadithi i 35-të
5: Shejh Mahmud Shebisteri, Gulshen-i Raz