Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Martesa i qetëson dhe i zbut natyrat e trazuara të dy njerëzve të rritur. Kjo është dëshmuar edhe shkencërisht por edhe duke u mbështetur në përvojën e përditshme. Në lidhje me këtë nuk ka kurrfarë dyshimi. Martesa mbështetet në mirëbesimin e ndërsjellë, në dashuri dhe në mirëkuptim. Por vetëm nëpërmjet përkrahjes së dashurisë, institucioni i shenjtë i familjes mund ta arrijë pozitën që e meriton. Kjo është arsyeja përse mëshira dhe dashuria janë përmendur në Kur’an si themeli kryesor mbi të cilin mbështetet martesa:
Dhe në mesin e shenjave të Tija është që ka krijuar për ju bashkëshorte nga mesi juaj, që të mund të jetoni në paqe me to. Dhe Ai ka krijuar ndërmjet juve dashuri dhe mëshirë. Vërtet në këtë ka shenja për ata që mendojnë...(Kur’an 30:21)
Martesa e stabilizon jetën dhe familjen, dhe i sjell asaj nder e fisnikëri. Ajo mundëson që të dy bashkëshortët të zhvillohen në rrafshin shpirtëror dhe etik. Ajo i stolis të dy me virtyte etike dhe u mundëson një përjetim shpirtëror. Në një familje, pra, dashuria ndërmjet çiftit bashkëshortor nuk duhet të vihet kurrsesi në dyshim, sepse pikërisht dashuria ka për ta zgjidhur çdo problem që në fillim. Andaj mund të thuhet se dashuria është themeli kryesor i jetës familjare. Kur të mungojë dashuria dhe miqësia ndërmjet një çifti, para se të gjithash në fillim të jetës martesore të dy të rinjve, martesa shumë shpejt kthehet në një jetë të ftohtë dhe pa motivim. Pastaj kjo ftohtësi shfaq pasoja shumë të rënda, që mund të shihen qartë nga studimi i shumë problemeve të familjeve të sotme. Në shumë raste të tilla, dashuria ose është shumë e dobët ose nuk ekziston fare.
Duke e përshkruar shkakun e shkatërrimit të shumë familjeve perëndimore, Erich Fromm thotë: Sot njeriu është tëhuajtur nga vetja e tij, nga pjesëtarët e llojit të tij dhe nga natyra. Ai e ka kthyer veten në një mall dhe e sheh energjinë e tij jetësore si një kapital, prej të cilit mund ta nxjerrë profitin më të madh të mundshëm, në varësi nga gjendja e përditshme e tregut. Në këtë rast, elementi ndërnjerëzor reduktohet në ndërveprime të njerëzve mekanikë dhe të tëhuajtur nga vetvetja...
Edhe dashuria është ndikuar nga kjo gjendje dhe nga karakteri shoqëror i njeriut të sotëm. Njerëzit mekanikë nuk janë të aftë për të dashuruar, sepse maksimumi që mund të shpresojnë është që të fitojnë një çmim të mjaftueshëm për çdo element të unit të tyre që e kanë nxjerrë në shitje.
Fatkeqësisht, edhe disa filozofë, gjatë definimit të dashurisë, e kanë kufizuar veten vetëm në aspektin material. Ata janë të bindur se dashuria është një fenomen thjesht seksual dhe se njeriu, nëse dëshiron të jetë i lumtur në dashuri, duhet ta shohë kështu këtë temë. Kjo pikëpamje i përmban në vete rreziqet më të mëdha për jetën martesore. Një dobësim ose një stimulim i tepëruar i prirjeve seksuale do të kishte një ndikim të fuqishëm mbi marrëdhënien e një çifti dhe do ta ftohte atë, ndërsa një jetesë e shfrenuar dhe e pakufizuar seksuale do ta rrezikonte shëndetin mendor dhe lumturinë e tyre. Një gjë e tillë e rrezikon rendin familjar dhe bën që ajo bërthamë e ngrohtë e familjes të shkatërrohet. Ja përse Islami thotë se dashuria është shtylla kryesore e familjes dhe i motivon njerëzit e martuar që të bashkëpunojnë më mirë ndërmjet veti dhe të jenë të durueshëm karshi njëri-tjetrit, në mënyrë që të jenë të mbrojtur nga problemet. Islami nuk lejon që dashuria të reduktohet në diçka seksuale. Ai thotë se dashuria është e mbjellur në natyrën njerëzore dhe se të gjitha bukuritë e brendshme shpirtërore, si dhe virtytet etike dhe morale janë gjëra të nevojshme për të siguruar një vazhdimësi të kësaj dashurie hyjnore. Nëse një çift bashkëshortor e ruan me kujdes këtë shtyllë të stabilitetit familjar, kurrë nuk do të ngjajë që të drejtat e njërit prej tyre të shkelen. Në këtë rast, jeta e tyre do të karakterizohet nga paqja e brendshme dhe nga sinqeriteti dhe mirëbesimi i ndërsjellë. Nëpërmjet dhembshurisë ndaj njëri-tjetrit dhe nëpërmjet përkrahjes së dyanshme, ata kanë për të hapëruar në rrugën e përsosjes dhe kanë për ta fituar lumturinë, si në këtë botë ashtu edhe në tjetrën.
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!