Koncepti i dashurisë
Dashuria ndaj Profetit (s.a.v) dhe ndaj Ehl-i Bejtit të tij
Ajetollah Dr. Riza Ramazani

 Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!


 Pas dashurisë ndaj vetë Atij, Zoti i Madhëruar e ka theksuar dashurinë ndaj Profetit të shenjtë (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij), duke thënë:


Dhe thuaj: në e doni Zotin, më ndiqni mua, që edhe Zoti t’ju dojë dhe t’i falë mëkatet tuaja....(Kur’an 3:31)


 Në këtë kontekst, në lidhje me dashurinë ndaj familjes së Profetit (Ehl-i Bejtit), Kur’ani thotë:


Thuaj: nuk dua prej juve kurrfarë shpërblimi përveç dashurisë për të afërmit e mi...(Kur’an 42:23)


Arsyeja e të theksuarit të dashurisë ndaj Profetit dhe ndaj Ehl-i Bejtit të tij mund të jetë fakti se të gjithë faktorët që e orientojnë dashurinë e njeriut drejt Zotit, dhe të cilët i përmendëm në ligjëratat tona të kaluara mbi këtë temë, manifestohen në formën më të përsosur tek Profeti dhe tek Ehl-i Bejti i tij. Si një përkujtim, t’i përmendim sërish kalimthi këta faktorë.


Faktori i parë që shkakton dashuri është mirësia. Siç kemi thënë, mirësia është e vërtetë vetëm kur buron nga vetvetja dhe kur nuk ka si burim kurrfarë përfitimi në këtë botë materiale ose në amshim. Kjo mirësi absolute është fillimisht një cilësi dalluese e Zotit dhe, pas Tij, e Profetit dhe e Imamëve të dëlirë (paqja qoftë mbi ta). Ata ishin të mirë në esencën e tyre, pa menduar për ndonjë përfitim në këtë botë ose në tjetrën. Këtë e dëshmon edhe vargu vijues kur’anor:


Dhe ata, ndonëse edhe vetë janë të uritur, ua japin bukën e tyre të varfërve, jetimëve ose të robëruarve. Dhe thonë: këtë e bëjmë vetëm për hir të Zotit dhe nuk presim nga ju as shpagim e as falënderim...(Kur’an 76:8-9)


Ngase këta njerëz të zgjedhur shfaqnin mirësi vetëm për hir të dashurisë së tyre ndaj Zotit dhe pa kurrfarë ambicjeje për të përfituar, ata ishin të dashur për njerëzit.


 Bukurinë e kemi përmendur tashmë si një faktor tjetër që shkakton dashuri tek njeriu. Ajo ndahet në bukuri të brendshme dhe të jashtme, me ç’rast bukuria e brendshme krijohet nga gjëra si dituria, si fuqia për t’u përmirësuar e pastruar, fuqia për t’i udhëzuar robërit e Zotit ose nga pastërtia nga të ligat. Të gjithë këto tipare, në trajtën më të pastër të tyre, mund të gjenden tek Profeti (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) dhe tek Imamët e dëlirë (paqja qoftë mbi ta), gjë që e arsyeton plotësisht dashurinë e ndjerë ndaj tyre.


Ka shumë hadithe që e theksojnë dashurinë ndaj Profetit dhe ndaj Ehl-i Bejtit të tij. Për shembull, Profeti thotë: Më doni mua për hir të Zotit dhe duajeni Ehl-i Bejtin tim për hir timin!1. Ai thotë sërish: Dashuria ndaj meje dhe ndaj Ehl-i Bejtit tim do t’ju ndihmojë në shtatë raste, në të cilat do të keni nevojë për ndihmë: gjatë vdekjes, në varr, gjatë ringjalljes, gjatë shkrimit të veprave tuaja, gjatë llogaritjes së veprave tuaja, gjatë peshimit të veprave tuaja të mira e të liga dhe gjatë kalimit të urës së Siratit.2


Stimulimi për ta dashur Ehl-i Bejtin e dëlirë të Profetit, veçanërisht si një shpërblim ose si mirënjohje për porosinë e tij, s’ka qëllim tjetër veçse përsosjen dhe pastrimin e njeriut. Pikërisht kjo është mirësia e vërtetë, e cila u dhurohet të gjithëve. Kur’ani thotë:


Thuaj: në ka ndonjë shpërblim që mund ta kërkoj prej juve, i juaji qoftë. Shpërblimi im është tek Zoti dhe Ai është dëshmitar i gjithçkaje...(Kur’an 34:47)


 Në të vërtetë, dashuria ndaj Ehl-i Bejtit nënkupton gjetjen e rrugës së Zotit dhe arritjen e përsosurisë nëpërmjet saj. Për këtë dëshmon edhe Kur’ani, kur thotë:


Prej juve s’kërkoj kurrfarë shpërblimi, përveç që ai që do, të hapërojë rrugës që çon drejt Zotit të tij...(Kur’an 25:57)


 Në shumë aspekte, dashuria ndaj Profetit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij) dhe ndaj Ehl-i Bejtit (paqja qoftë mbi ta) e përgatit njeriun për pastrimin e shpirtit të tij dhe për afrimin me Zotin. Siç dihet, dashuria bën që tiparet e të dashurit të përcillen tek i dashuruari. Në këtë kuptim, dashuria ndaj Ehl-i Bejtit vetëm sa e drejton njeriun drejt monoteizmit të vërtetë.


1: Mizan′ul-Hikme, vëll.2, fq.236
2: Mizan′ul-Hikme, vëll.2, fq.237, thënia 3203 


VAZHDON 

publikuar më: 08.03.2013

Lexoni gjithashtu..

30.12.2016 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve (pjesa e tretë)
28.10.2016 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve (pjesa e dytë)
20.02.2015 Koncepti i dashurisë: Dashuria ndaj miqve
03.10.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e fëmijëve për prindërit
12.09.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e prindërve për fëmijët (pjesa III)
25.04.2014 Koncepti i dashurisë: Dashuria e prindërve për fëmijët (pjesët I dhe II)
28.02.2014 Koncepti i dashurisë: Këshilla praktike për zhvillimin e dashurisë bashkëshortore
11.10.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja për dashurinë bashkëshortore (pjesa e dytë)
15.06.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja për dashurinë bashkëshortore (pjesa e parë)
03.05.2013 Koncepti i dashurisë: Si fitohet dashuria ndaj Profetit (s.a.v) dhe ndaj Ehl-i Bejtit të tij?
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria e Zotit për njeriun (pjesa II)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria e Zotit për njeriun (pjesa I)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shenjat e dashurisë së njeriut ndaj Zotit (pjesa II)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shenjat e dashurisë së njeriut ndaj Zotit (pjesa I)
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Si arrihet dashuria ndaj Zotit?
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Dashuria për Zotin e Madhëruar
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Shkaqet e dashurisë njerëzore
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Llojet e dashurisë njerëzore
24.01.2013 Koncepti i dashurisë: Nevoja e njeriut për dashurinë

Kthehu