Islami dhe liria
Mbi clirimin e brendshëm dhe dinjitetin njerëzor
Ajetollah Dr. Riza Ramazani

Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Në kontekstin e diskutimit mbi lirinë, Kur’ani e ka theksuar çlirimin e njeriut si në dimensionin e brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm. Vetëm nëse të dy këta dimensione realizohen, njeriu mund ta arrijë lirinë e vërtetë dhe ta ruajë karakterin e tij njerëzor. Edhe mbrojtja e dinjitetit njerëzor është në mesin e udhëzimeve më të rëndësishme të Kur’anit të Shenjtë dhe, edhe në këtë pikë, ka dallime të qarta nga botëkuptimi liberalist.


Në të gjitha shkollat e mendimit, liria shihet si një gjë pozitive. Megjithatë, për Islamin, liria është kuptimplote vetëm kur të ketë një qëllim dhe kur ta ketë parasysh edhe amshimin. Për dallim prej Islamit, liberalizmi merret kryesisht me aspektet e përbotshme dhe “tokësore” të lirisë, me ç’rast u jepet përparësi dobive materiale që mund të fitohen nëpërmjet saj. Kur’ani, ndërkaq, dëshiron ta edukojë njeriun dhe e mëson atë se, para se të gjithash, njeriu duhet ta edukojë veten e tij. Por për t’ia arritur këtij qëllimi, ai duhet ta njohë si duhet veten, si dhe kapacitetet dhe aftësitë e veta ekzistenciale.


Kur’ani thotë:


O besimtarë! Ruajeni veten dhe familjen tuaj...(Kur’an, 66:6) 


Njeriu mund ta ruajë veten vetëm nëse bën gjithë ç’duhet për ta ruajtur dinjitetin e vet. Ai nuk guxon t’u përkushtohet epsheve dhe dëshirave të tija. Kur’ani i Shenjtë i përmend kënaqësitë materiale, në mënyrë që njeriu, përgjatë jetës së tij, të përpiqet t’i arrijë nëpërmjet kapaciteteve materiale virtytet si dëlirësia, urtia, guximi dhe drejtësia.


Liria ka kuptim vetëm kur të jetë e vetëdijshme dhe e kujdesshme për pasojat. Vetëm një liri e tillë mund të merret si kriter për njeriun. Qëllimi i kësaj lirie nuk është që kënaqësitë shqisore të kenë përparësi karshi gjithçkaje tjetër. Përveç kënaqësive shqisore, Zoti ka paraparë edhe kënaqësi të tjera për njeriun, që kanë të bëjnë me arsyen, me perceptimin e gjërave dhe me përshpirtshmërinë. Edhe këto janë qëllime për të cilat duhet të përpiqet njeriu. 


Njeriu duhet të përpiqet për ta çliruar shpirtin e tij nga të gjitha varësitë e mundshme, në mënyrë që ta kuptojë realitetin e ekzistencës. Në të kundërt, ai vetëm sa do t’ia mohojë vetes një gjë të tillë. Dhe përse ta bëjë vallë këtë? Përse njeriu, që është pasqyrë e tërë krijimit dhe që, sikur ta dëlirë shpirtin e vet, mund të sodisë bukurinë dhe madhështinë e Zotit, të mos e shfrytëzojë këtë mundësi? Përse të mos e fitojë lumturinë e përjetshme duke iu bindur Zotit të Madhëruar?


Nuk ka dyshim se liria për të cilën kanë folur profetët e Zotit është pikërisht liria që i shkon për shtati dinjitetit njerëzor. Zoti i Madhëruar i ka falur njeriut shumë mjete dhe aftësi, në mënyrë që ai të përpiqet e ta edukojë vetveten dhe kështu të hapërojë në rrugën e jetesës së mirëfilltë. Njeriu është i krijuar për përjetësinë dhe për të duhet të përgatitet. Qëllimi dhe kuptimi i jetës së njeriut nuk është që të merret me gjëra të kalueshme dhe të parëndësishme.


Njeriu i sotëm duhet t’i rikthehet të vërtetës, përshpirtshmërisë dhe bindjes ndaj Zotit e të kuptojë se kurrë nuk ka për ta shijuar lirinë dhe kënaqësinë e vërtetë, për sa kohë që nuk e bën këtë. Për sa kohë që jeta e njeriut nuk stolisot me përkujtimin e Zotit, ai, në emër të lirisë, ka për ta njollosur vetveten me të gjitha papastërtitë e mundshme. Ndaj duhet të përpiqemi që me më shumë kujdes dhe me arsye ta vështrojmë botën e ekzistencës.


Njeriu nuk është krijuar për të rendur si i shfrenuar pas epsheve të tija. Shoqëria njerëzore kurrë nuk ka për t’i arritur qëllimet e veta sipërore nëpërmjet një shfrenimi të tillë, pasojat e të cilit nuk do të jenë tjetër veçse shterja dhe përhumbja. Për të qenë i përjetshëm, njeriu duhet t’u bindet urdhrave hyjnorë, ta ruajë respektin karshi Krijuesit dhe ta mbajë të gjallë në zemër përkujtimin e Tij.

publikuar më: 02.10.2015

Lexoni gjithashtu..

22.09.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa V)
11.08.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa IV)
28.07.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa III)
07.07.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa II)
03.02.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit në këndvështrimin islam (pjesa 1)
23.12.2016 Islami dhe liria: Liria sipas mësimit moral dhe gnostik
08.07.2016 Islami dhe liria: Kultura e lirisë në Kuran
17.04.2015 Islami dhe liria: E vërteta si një kriter për lirinë
15.02.2015 Islami dhe liria: Qëllimi dhe kufijtë e lirisë
11.10.2014 Islami dhe liria: A është liria qëllim më vete a një mjet drejt qëllimit?
29.08.2014 Islami dhe liria: Nënshtrimi i dëshirave si një hap drejt lirisë
24.01.2014 Islami dhe liria: Liria e brendshme dhe liria e jashtme
31.08.2013 Islami dhe liria: Definicioni islam i lirisë
28.06.2013 Islami dhe liria: Një kritikë e këndvështrimit liberalist
10.05.2013 Islami dhe liria: Hyrje në këndvështrimin kuranor
12.04.2013 Islami dhe liria: Liria pozitive dhe liria negative
05.04.2013 Islami dhe liria: Rëndësia e konceptit të lirisë

Kthehu