Islami dhe liria
A është liria qëllim më vete a një mjet drejt qëllimit?
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Në çështjen e lirisë, është me rëndësi që të shpjegohen hollësisht dallimet ndërmjet pikëpamjeve të Kur’anit dhe pikëpamjeve të shkollës liberaliste të mendimit. Në ligjëratat e kaluara kemi përmendur se Islami vë theks mbi lirinë e brendshme po aq sa mbi lirinë e jashtme, duke thënë se liria e brendshme dhe shpirtërore është ajo që ia hap rrugën arritjes së lirisë së jashtme. Një dallim tjetër me rëndësi është se Kur’ani i Shenjtë e konsideron lirinë si një mjet në arritjen e përsosurisë. Disa janë të mendimit se kur liria të shihet kështu, ajo e humb vlerën, sepse, sipas tyre, liria vetë është qëllimi më i madh dhe përfundimtar i një individi. Sipas tyre, ideja e të qenit i lirë nuk përshtatet kurrsesi me idenë se liria është një mjet për arritjen e përsosurisë dhe jo një qëllim më vete. Megjithatë, ky mendim nuk mund të argumentohet, sepse vlera dhe pozita e vërtetë e lirisë mund të kuptohet vetëm kur ajo të shihet si një instrument drejt përsosurisë. Përndryshe, rrezikojmë që mjetin ta shndërrojmë në qëllim. Përtej kësaj, është tejet e mundur që liria të konsiderohet njëkohësisht edhe një mjet drejt qëllimit por edhe si një e drejtë e njeriut. Kjo sepse të drejtat e njeriut janë dy llojesh: në njërën anë janë ato që kanë një vlerë inherente, ndërsa në anën tjetër janë ato të drejta që ia falin njeriut mundësinë dhe mjetet për t’i arritur ato të parat e për t’i përmbushur dëshirat e tija të vërteta.


Për shembull, Islami ia njeh njeriut të drejtën e të qenit pronar i një gjëje. Megjithatë, kjo nuk nënkupton se pronësia materiale është qëllimi absolut i njeriut.


Ata që e konsiderojnë lirinë si qëllimin përfundimtar dhe madhor të njeriut, kanë devijuar nga definicioni i saktë dhe këtë pikëpamje e kanë arritur vetëm si pasojë e qëndrimeve të tyre ekstremiste. Në mënyrë që një gjë të pranohet si qëllim më vete,  ajo duhet të konsiderohet në ndërlidhje me jetën e njeriut në tërësi. Njeriu posedon shumë liri shpirtërore e trupore dhe përsosuria e tij si individ varet nga ardhja në shprehje dhe lulëzimi i këtyre talenteve. Sipas kësaj, përsosuria shpirtërore është qëllimi përfundimtar i njeriut në gjithçka që bën. Liria ka vlerë kur ia mundëson njeriut pikërisht këtë. Por nëse njeriu vihet pas kërkimit të lirisë (si një qëllim më vete), duke i shpërfillur të gjithë kapacitetet e veta, trupore e shpirtërore, atëherë kjo liri nuk ka kurrfarë vlere, as si qëllim më vete dhe as si një mjet drejt qëllimit. Një sjellje e tillë ka për ta çuar njeriun veç më larg përsosurisë dhe drejt harxhimit të jetës së tij në punë të kota.


Kur’ani vë theks të veçantë mbi rritjen, përparimin dhe lumturinë e mirëfilltë të njeriut. Ndaj edhe liria duhet të shfrytëzohet në këtë drejtim. Në mesin e qëllimeve të të gjithë profetëve të Zotit ishte pikërisht çlirimi i njeriut nga të gjithë zinxhirët e robërisë, gjë që mund të arrihet vetëm duke i fituar virtytet morale dhe duke i shërbyer Krijuesit.


Nga e gjithë kjo mund të arrihet në përfundimin se, sipas këndvështrimit kur’anor, liria nuk është qëllimi përfundimtar i njeriut. Përkundrazi, kjo dhunti e madhe hyjnore iu fal njeriut, që ai të mund të kishte një jetesë të mirëfilltë e të arsyeshme. Liria ka vlerë vetëm kur arrin ta çlirojë njeriun nga dëshirat e nga tundimet e shumta të vetes, për ta çuar atë drejt të Adhuruarit të vërtetë. Ajo nuk ekziston për t’i lejuar njeriut një liri absolute dhe për ta bërë atë një adhurues të dëshirave dhe epsheve të veta. Sipas këndvështrimit kur’anor, i vlefshëm është vetëm ai veprim, i cili e afron njeriun me qëllimin e tij dhe i shpalos talentet e tija të lartësuara, në mënyrë që ai ta arrijë identitetin e vet të vërtetë. 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!

publikuar më: 11.10.2014

Lexoni gjithashtu..

22.09.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa V)
11.08.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa IV)
28.07.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa III)
07.07.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa II)
03.02.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit në këndvështrimin islam (pjesa 1)
23.12.2016 Islami dhe liria: Liria sipas mësimit moral dhe gnostik
08.07.2016 Islami dhe liria: Kultura e lirisë në Kuran
02.10.2015 Islami dhe liria: Mbi clirimin e brendshëm dhe dinjitetin njerëzor
17.04.2015 Islami dhe liria: E vërteta si një kriter për lirinë
15.02.2015 Islami dhe liria: Qëllimi dhe kufijtë e lirisë
29.08.2014 Islami dhe liria: Nënshtrimi i dëshirave si një hap drejt lirisë
24.01.2014 Islami dhe liria: Liria e brendshme dhe liria e jashtme
31.08.2013 Islami dhe liria: Definicioni islam i lirisë
28.06.2013 Islami dhe liria: Një kritikë e këndvështrimit liberalist
10.05.2013 Islami dhe liria: Hyrje në këndvështrimin kuranor
12.04.2013 Islami dhe liria: Liria pozitive dhe liria negative
05.04.2013 Islami dhe liria: Rëndësia e konceptit të lirisë

Kthehu