Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij
Para se të merremi më nga afër me temën e lirisë në aspektin shoqëror, do të ishte me vend t’i qartësojmë dy kuptime të tjera të termit “liri”, kësaj radhe nga këndvështrimi i moralit dhe i gnosës.
Në kuptimin etik, kërkohet që liria të mos robërohet nga instinktet dhe dëshirat, sepse për sa kohë që intelekti është i kufizuar nga këto gjëra, njeriu nuk konsiderohet një njeri i mirëfilltë, por vetëm një pasqyrim i tipareve djallëzore dhe shtazarake. Në mënyrë që intelekti të shpëtojë nga këto cilësi, ai duhet të ushtrohet nëpërmjet përndritjes shpirtërore, e cila mund t’i thyejë këta zinxhirë. Kjo është një luftë e mundimshme, e cila njihet si “xhihadi i madh” (ar. xhihad el-ekber) dhe nënkupton pikërisht përpjekjen karshi unit dhe dëshirave.
Që njeriu ta arrijë pozitën e tij të vërtetë, ai duhet t’u përgjigjet tri pyetjeve themelore: “Çfarë isha, çfarë jam dhe çfarë mund të jem?” Ai duhet të përpiqet për ta stolisur veten me virtyte të moralit, në mënyrë që shpirti dhe intelekti i tij të shpëtojnë nga kthetrat e djallit. Por kjo gjë nuk mund të arrihet nëse njeriu nuk posedon një njohje të vetvetes.
Në një hadith thuhet: “Kush e njeh veten, ai lufton kundër nefsit (unit). Kush nuk e njeh, e lë të lirë nefsin e tij.”[1] Nga Imam Aliu (a.s.) përcillet thënia në vijim: “Kushdo që e lë të lirë nefsin, ai e bart përgjegjësinë për pasojat.” Në një thënie tjetër tejet të çmueshme të Imam Aliut (a.s.) përcillet se njeriu, nëse dëshiron t’i zbulojë realitetet e fshehura brenda vetes, duhet të fitojë njohuri dhe të përndrisë shpirtin e vet. Ai thotë: “O njeri! Duhet ta çlirosh shpirtin tënd nga robëria e nefsit dhe e dëshirave, që t’i zbulosh të fshehtat brenda tij. Vetëm atëherë do të jetë i lirë shpirti i një njeriu.” Kjo temë është trajtuar në hollësi në literaturën përkatëse.
Nga aspekti gnostik, liri nënkupton që njeriu të jetë i lirë nga gjithçka që nuk është prej Zotit. Për ta arritur këtë liri, njeriu ka nevojë për udhëheqje dhe udhëzim. Mjeshtrit e moralit e të gnosës parashohin shkallë dhe rrugë të ndryshme në këtë drejtim, të cilat fillojnë me shkallën e “zgjimit” dhe zgjatën deri te shkalla e “njësimit me Zotin” dhe e “asgjësimit në Zotin” (ar. fena). Kjo e fundit është një pozitë shumë e lartësuar, e cila është qëllimi i çdo gnostiku. Një gnostik kurrë nuk dëshiron të largohet nga kjo rrugë dhe, që nga çasti që hyn në të, edhe adhurimet e tija marrin një kuptim dhe ngjyrim tjetër. Ai tashmë nuk e adhuron Zotin për shkak të frikës nga zjarri i ferrit ose nga dëshira për parajsën, por vetëm pse Zoti e meriton adhurimin e tij.
Përcillet nga Imam Aliu (a.s.) thënia në vijim: “Zoti im! Nuk të adhuroj nga frika prej ferrit ose nga dëshira për parajsën. Të adhuroj pse Ti meriton të adhurohesh.” Kjo pikëpamje është ajo që e shoqëron gnostikun në të gjitha fazat e jetës së tij. Një liri e tillë mund të arrihet vetëm nga ata, të cilët në çdo dimension të jetëve të tyre, janë skajshmërish të vëmendshëm. Ata janë aq të përkushtuar urdhrave hyjnorë, sa ia dorëzojnë urtisë hyjnore të gjitha pjesët e jetës. Në çdo kohë dhe në çdo vend, ata i shohin shenjat e Zotit, ndonëse jo me syrin por me zemrën e tyre.
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!