Islami dhe liria
Liria e mendimit në këndvështrimin islam (pjesa 1)
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Pa dyshim, liria e mendimit radhitet në mesin e lirive shoqërore. Në ligjëratat e kaluara kemi përmendur se njeriu duhet ta shijojë lirinë e mirëfilltë në çdo aspekt të jetës së tij, që të mund të hapërojë i papenguar rrugës së përparimit dhe përsosjes. Në mesin e kapaciteteve dhe talenteve të njeriut, që janë pjesërisht të fshehura, por prapëseprapë të pranishme në natyrën e secilit me statusin e një gjëje të shenjtë, është liria e mendimit. Vetëm nëpërmjet kësaj lirie, njeriu mund ta zhvillojë vetveten dhe të shënojë përparim të mirëfilltë.


Fillimisht duhet të shprehim se vetë nocioni i të menduarit është definuar në mënyra të ndryshme nga dijetarët. Sipas njërit definicion, të mendosh do të thotë të përsiatesh me qëllim që të fitosh njohuri. Në këtë proces, fjala “mendim” përdoret edhe për vetë diturinë e fituar si pasojë e të menduarit. Një tjetër definicion për mendimin është se mendimi është përpjekja e intelektit për të përpunuar një informatë të caktuar. Në filozofi, ndërkaq, të menduarit është definuar si procesi i lëvizjes nga një gjendje e pavetëdijes drejt një gjendjeje të vetëdijshme. Mund të përmbledhim, pra, se të menduarit është procesi i përsiatjes me qëllim fitimin e diturisë. Në rastet kur Kur’ani i Shenjtë flet për të menduarit, ky është kuptimi që duhet të kihet parasysh, si në vargun vijues:


Kështu jua qartëson Zoti shenjat e tija, që të mendoni. (Kur’an, 2:219)


Çdo njeri e ka aftësinë për të menduar lidhur me gjëra të ndryshme, si dhe lirinë për ta bërë këtë gjë. Zoti i ka falur një forcë të tillë, në mënyrë që të fitojë njohuri mbi gjërat, për të cilat nuk ka njohuri, dhe për t’i rritur e thelluar edhe më njohuritë e tija. Të menduarit, Islami nuk e konsideron vetëm një gjë të nevojshme, por edhe një akt adhurimi, pra një ibadet.


Zoti dëshiron që njeriu kurrë të mos heqë dorë nga të menduarit. Ai i lejon njeriut t’i hulumtojë të gjitha gjërat në hollësi, qoftë lidhur me historinë, qoftë me krijimin e vet ose me krijimin e qiejve e të tokës. Ai i lejon njeriut, madje, të mendojë edhe lidhur me cilësitë e vetë Zotit. Kjo është një pikë shumë e rëndësishme. Madje është përcjellë se një çast mendimi lidhur me këto gjëra është më e çmueshëm se një vit adhurimi.


Në disa hadithe përcillet madje se të menduarit është më e çmueshme se gjashtëdhjetë ose shtatëdhjetë vite adhurim. Kuptohet, dallimet ndërmjet haditheve të ndryshme fshihen në temat për të cilat mendon njeriu dhe në cilësinë ose thellësinë e mendimit. Sido që të jetë, të menduarit është një dhunti shumë e çmueshme që Zoti ia ka falur njeriut, në mënyrë që ai ta zgjerojë diturinë dhe njohurinë e tij, duke bërë që pavetëdija të mbetet në shkallën më të ulët të mundur.


Islami i ka kushtuar shumë rëndësi të menduarit. Çdo musliman është i obliguar të kërkojë dëshmi dhe arsye për besimet e veta. Dhe kur një temë nuk është e qartë për të, ai duhet të mendojë derisa t’i qartësohet:


Zoti bëri që të takoheni, që të vdiste me dëshmi të qarta ai që vdiq, e të jetonte me dëshmi të qarta kush mbeti gjallë. Zoti është dëgjues e i gjithëdijshëm. (Kur’an, 8:42)


Po ta shqyrtojmë më hollësisht këtë varg, do të shohim se ai e thekson dëshminë dhe arsyetimin. Kjo është mënyra e Islamit. Thirrja e tij mbështetet në dëshmi të qarta. Si rrjedhojë, kërkesa e kësaj feje nga ndjekësit e saj është pikërisht që të mendojnë dhe të përsiaten për të ardhur deri te dëshmitë. Kur’ani thotë më tej:


A nuk është më i mirë Zoti, i cili krijoi nga e para dhe pastaj rikrijoi, dhe ju furnizoi nga qiejt e nga toka? A ka vallë Zot tjetër veç Allahut? Thuaj: “Sillni dëshmitë tuaja, në e thoni të vërtetën!” (Kur’an, 27:64)


Edhe në vargje të tjera kërkohet prej njeriut që, nëpërmjet logjikës dhe të menduarit, ta kërkojë të vërtetën. Zoti i qorton ata që nuk e shfrytëzojnë aftësinë e tyre të mendimit.


Sillni dëshminë tuaj, në e thoni të vërtetën! (Kur’an, 2:111)


Silleni dëshminë tuaj! (Kur’an, 21:24)


Vargje të tjera brenda kapitullit të sipërpërmendur të Kur’anit rikujtojnë se ai i fton njerëzit drejt mendimit. Kur’ani u rikujton njerëzve se, kur t’i kenë kuptuar rregullat themelore dhe principet e të menduarit, duke arritur t’i vënë në rend mendimet e tyre, kanë për ta kuptuar të vërtetën dhe qëllimin e tyre përfundimtar. Kështu, ata do ta arrijnë qëllimin e krijimit të tyre dhe do ta rigjejnë identitetin e tyre të vërtetë.


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!

publikuar më: 03.02.2017

Lexoni gjithashtu..

22.09.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa V)
11.08.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa IV)
28.07.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa III)
07.07.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa II)
23.12.2016 Islami dhe liria: Liria sipas mësimit moral dhe gnostik
08.07.2016 Islami dhe liria: Kultura e lirisë në Kuran
02.10.2015 Islami dhe liria: Mbi clirimin e brendshëm dhe dinjitetin njerëzor
17.04.2015 Islami dhe liria: E vërteta si një kriter për lirinë
15.02.2015 Islami dhe liria: Qëllimi dhe kufijtë e lirisë
11.10.2014 Islami dhe liria: A është liria qëllim më vete a një mjet drejt qëllimit?
29.08.2014 Islami dhe liria: Nënshtrimi i dëshirave si një hap drejt lirisë
24.01.2014 Islami dhe liria: Liria e brendshme dhe liria e jashtme
31.08.2013 Islami dhe liria: Definicioni islam i lirisë
28.06.2013 Islami dhe liria: Një kritikë e këndvështrimit liberalist
10.05.2013 Islami dhe liria: Hyrje në këndvështrimin kuranor
12.04.2013 Islami dhe liria: Liria pozitive dhe liria negative
05.04.2013 Islami dhe liria: Rëndësia e konceptit të lirisë

Kthehu