Islami dhe liria
Rëndësia e konceptit të lirisë
Ajetollah Dr. Riza Ramazani

Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!


Liria është dëshira e përhershme e njerëzimit dhe bën pjesë në mesin e principeve, të cilat përgjatë historisë gjithnjë janë vendosur në qendër të diskutimeve të njerëzve dhe të mendimtarëve fetarë. Historia tregon se njeriu përherë e ka dëshiruar lirinë dhe e ka pranuar atë si një nevojë të tijën. Lirisë i është kushtuar një rëndësi shumë e madhe në çdo fazë të jetës së njeriut, qoftë në aspektin individual, shoqëror ose politik. Liria është një nevojë e natyrshme e njeriut sepse njeriu është një qenie që posedon vullnet të lirë dhe është në gjendje ta përdorë arsyen për të marrë vendime, gjegjësisht për ta bërë atë që, sipas tij, është në interes të vetin dhe për të qëndruar larg asaj që mund t’i shkaktojë ndonjë dëm ose humbje.


Liria ka qenë përherë një temë diskutimesh të gjata në mesin e mendimtarëve dhe ka shkaktuar konflikte ndërmjet doktrinave që e kanë kundershtuar njëra-tjetrën. Në princip, ideja e lirisë është shkoqitur shkencërisht nga shumë këndvështrime dhe është definuar në mënyra shumë të ndryshme. Sipas mendimit të disa shkencëtarëve dhe ekspertëve, liria rradhitet në mesin e koncepteve më të dashura për njeriun, por duke qenë gjithnjë edhe koncepti që më së shumti ka qenë viktimë e abuzimit. Libra të panumërt janë shkruar e shumë ligjërata janë mbajtur në lidhje me këtë temë, por deri sot nuk është vendosur një definicion mbi lirinë, që do të ishte edhe i përgjithshëm por edhe i përshtatshëm me vlerën e njeriut si një qenie.


Kështu, duhet të pranojmë se liria është një temë e rëndësishme, e cila meriton më tepër kujdes dhe të cilën duhet ta analizojmë edhe ne. Kuptohet se për ne muslimanët njohja e lirisë, si arritja më e madhe e profetëve monoteistë, është shumë e rëndësishme. Para se të gjithash është me rëndësi të kuptohet se çfarë kornizash i jepen këtij koncepti nga feja islame dhe në cilat rrafshe zgjatet ai. Duhet të definojmë se kush mund të cilësohet si një njeri i lirë dhe në ç’masë i njeh Islami liritë individuale, shoqërore dhe të tjera.


A është liria një mjet ose vetë qëllimi në rrugën që çon drejt përsosurisë? A duhet parë lirinë njerëzore si diçka të kufizuar ose vallë si diçka absolute? A është liria absolute në çdo aspekt shoqëror dhe individual diçka e dëshiruar ose mos vallë çdo liri është e kufizuar brenda llojit të vet? A është liria në pajtim me fenë? A mund njeriu ta gjejë lirinë nëpërmjet dritës së besimit dhe a mund të kërkohet besimi nëpërmjet lirisë?


Në vijim, dëshirojmë të merremi me llojet e ndryshme të lirisë. Liria është dëshira e çdo njeriu, sepse gjithkush dëshiron të jetojë në liri dhe t’i ndjekë i papenguar dëshirat e tija. Por për të mos shkaktuar një devijim nga kuptimi i vërtetë i lirisë, është e nevojshme që ajo të kuptohet saktësisht. Për këtë qëllim, aq sa na lejojnë mundësitë në këto ligjërata, do të merremi me llojllojshmërinë e definicioneve mbi lirinë dhe me llojet e ndryshme të lirisë.


Në lidhje me kuptimin e fjalës “liri”, sot kemi rreth 200 definicione.1 Kjo fjalë është ndërlidhur me shumë terme të tjera, si çlirimi, zgjedhja ose aftësia për të kryer një veprim.2


Në gjuhën angleze ekzistojnë dy fjalë të ngjashme për termin “liri”. Ndërkohë që fjala liberty përdoret më shumë në rrafshin filozofik, fjala “freedom” gjen përdorim kryesisht në kornizat shoqërore. Për t’i kuptuar saktësisht këto koncepte, duhet të parashtrohen tri pyetje:


- kush e ushtron lirinë?
- çfarë e pengon lirinë?
- çfarë është qëllimi i lirisë?


McCullum përpiqet t’u japë përgjigje këtyre tri pyetjeve, kur thotë: Liria e vërtetë është liria e njeriut nga pengesat në arritjen e qëllimeve të tija. 3


 Ky është një definicion i përgjithshëm i lirisë, i cili përmban edhe aspekte të dobishme por edhe disa aspekte tejet të vështira brenda vetes. Sipas këtij definicioni, njeriu është i lirë në veprimtarinë e tij, qoftë kjo e mirë ose e ligë. 


1: Kabsat, nr.5 dhe 6, fq.76
2: Të kërkohet në fjalorë fjala “liri” dhe “zgjedhje”
3: X është i lirë nga Y për të qenë Z. Në këtë kontekst, X ushtron liri, Y është pengesa dhe Z është qëllimi


VAZHDON 

publikuar më: 05.04.2013

Lexoni gjithashtu..

22.09.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa V)
11.08.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa IV)
28.07.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa III)
07.07.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa II)
03.02.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit në këndvështrimin islam (pjesa 1)
23.12.2016 Islami dhe liria: Liria sipas mësimit moral dhe gnostik
08.07.2016 Islami dhe liria: Kultura e lirisë në Kuran
02.10.2015 Islami dhe liria: Mbi clirimin e brendshëm dhe dinjitetin njerëzor
17.04.2015 Islami dhe liria: E vërteta si një kriter për lirinë
15.02.2015 Islami dhe liria: Qëllimi dhe kufijtë e lirisë
11.10.2014 Islami dhe liria: A është liria qëllim më vete a një mjet drejt qëllimit?
29.08.2014 Islami dhe liria: Nënshtrimi i dëshirave si një hap drejt lirisë
24.01.2014 Islami dhe liria: Liria e brendshme dhe liria e jashtme
31.08.2013 Islami dhe liria: Definicioni islam i lirisë
28.06.2013 Islami dhe liria: Një kritikë e këndvështrimit liberalist
10.05.2013 Islami dhe liria: Hyrje në këndvështrimin kuranor
12.04.2013 Islami dhe liria: Liria pozitive dhe liria negative

Kthehu