Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Liria e besimit është një formë tjetër e veçantë e lirive shoqërore. Nuk ka kurrfarë dyshimi se besimi dhe bindja kanë një ndikim të thellë mbi etikën dhe sjelljen e njeriut. Kur njeriu është i bindur për ndonjë gjë, mënyra e tij e mendimit ndërthuret me bindjet e tija dhe tejzgjatet drejt veprave të tija.
Rrënja arabe e fjalës akd do të thotë lidhje. Akide është një fjalë e prejardhur e kësaj dhe do të thotë “bindje”. Kjo fjalë quhet kështu sepse ndërlidhet me qenien e njeriut. Ndaj nuk mund të ketë një njeri që nuk ka kurrfarë bindjeje. Edhe ata që nuk besojnë në Zot e në ditën e ringjalljes kanë një lloj bindjeje. Pra mund të vijmë në përfundimin se edhe një ateist ose idhujtar mund të ketë bindje, paçka se kjo bindje e tija mund të jetë e pavërtetë dhe e pavlefshme.
Nuk ka dyshim se bindja e njeriut ka një ndikim të madh mbi veprat e tija dhe mbi sjelljen. Njerëzit që besojnë në Zot dhe në ditën e ringjalljes shquhen me sjelljen e tyre dhe me mënyrën e jetesës nga ata që nuk kanë kurrfarë besimi. Atëherë çfarë është roli i lirisë së besimit dhe ku dallon liria e besimit nga liria e mendimit?
Në kuptimin fillestar, kjo liri nënkupton lirinë për ta kërkuar një fe dhe një mënyrë besimi. Pra gjithkush ka të drejtë ta zgjedhë fenë e tij. Si rrjedhojë, njeriu mund të zgjedhë një fe monoteiste ose një tjetër, e cila është shpikur nga njerëzit dhe nuk e ka burimin te Zoti i gjithëfuqishëm. Nga pikëpamja monoteiste, është e vetëkuptueshme se fetë e këtij lloji të dytë nuk radhiten mes feve hyjnore dhe njerëzit që i ndjekin ato konsiderohen të pafe. Një liri të tillë e lejon Perëndimi.
Një kuptim tjetër i lirisë fetare mund të jetë që një njeri të vendosë vetë se cilat udhëzime dhe mësime të fesë dëshiron t’i zgjedhë, pra cilat detyrime dëshiron t’i marrë përsipër. Kuptohet, një shpjegim i tillë ka kuptim vetëm pasi njeriu të ketë zgjedhur një fe. Vetëm pas kësaj mund të diskutohet në mund njeriu t’i zgjedhë vetë mësimet që dëshiron t’i ndjekë nga një fe e caktuar dhe në ekziston kjo liri në mësimin fetar.
Kuptimi i tretë i mundur i nocionit të lirisë fetare ka të bëjë me pakicat fetare. A kanë të drejtë ndjekësit e një feje të pakicave ose jobesimtarët ta praktikojnë bindjen e tyre lirshëm në mesin e një shoqërie besimtare ose vallë a duhet të heqin orë nga kjo gjë?
Kuptimi i katërt që mund t’i ngarkohet lirisë fetare është ideja se njeriu, në princip, nuk duhet të lidhet pas asnjë të vërtete, sepse çdo lloj bindjeje ka për ta kufizuar lirinë e njeriut. Në këtë kuptim, liri besimi është mungesa e çdo lloj detyrimi ndaj fesë ose ndaj një bindjeje të caktuar. Ekzistencializmi ka një qëndrim të tillë dhe thotë se besimi dhe bindja nuk mund të harmonizohen me lirinë.
Nga vargjet e Kur’anit mund të kuptohet se Islami dhe Kur’ani e lejojnë lirinë fetare, duke vendosur megjithatë tre principe të rëndësishme:
- Liria e zgjedhjes ka kuptim vetëm kur zgjedhja bëhet në mënyrë të lirë dhe pa shtypje. Në këtë kuptim, Kur’ani thotë: Ne ia kemi treguar rrugën e drejtë njeriut, mirënjohës qoftë a mohues. (Kur’an, 76:3)
- Një bindje nuk guxon të jetë e imponuar, sepse është një veprim i zemrës dhe, si e tillë, nuk mund të imponohet nga askush.
- Islami e njeh dhe e pranon lirinë e besimit dhe këmbëngul në këtë gjë. Ja përse imitimi i verbër ose detyrimi në principet e besimit nuk lejohet në Islam. Secili njeri, pra, duhet nëpërmjet argumenteve dhe logjikës ta gjejë bindjen e vete. Kështu, Kur’ani shpesh i qorton ata që bëhen imitues të verbër dhe thotë: Silleni dëshminë tuaj, nëse jeni të sinqertë. (Kur’an, 2:111) ose Ata thonë: “Ne e ndjekim atë që ndiqnin etërit tanë”. Thuaju: “Vallë edhe sikur etërit e tyre të mos kenë kuptuar gjë e të mos kenë qenë të udhëzuar?” (Kur’an, 2:170).
Këto vargje dhe vargjet e ngjashme me to e theksojnë faktin se njeriu është i lirë në mendimin e tij dhe se nuk është aspak e arsyeshme që të imitojë verbërisht. Kjo traditë e gabuar duhet të lihet mënjanë dhe rruga e vërtetë të gjendet nëpërmjet intelektit. Kur’ani i shenjtë i qorton ata që nuk e fitojnë besimin e tyre nëpërmjet diturisë dhe intelektit, dhe thotë: Jazëk ju qoftë juve dhe atyre që adhuroni në vend të Zotit! A nuk keni mend vallë? (Kur’an, 21:67)
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!