Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Liria është një temë që është diskutuar shumë, si nga filozofët lindorë ashtu edhe nga ata perëndimorë. Disa filozofë perëndimorë1 janë të mendimit se ka dy lloje definicionesh për lirinë, gjegjësisht një definicion negativ dhe një definicion pohues. Liria negative është liria nga kufizimet, ndërsa liria pozitive është liria e të ndjekurit të dëshirave personale. Liria negative është liria nga pengesat e jashtme, pavarësisht çfarë janë ato. Kjo mund të jetë çlirimi nga burgosja, çlirimi nga pushtimi i huaj, çlirimi nga një sundues tiran etj. Njeriu ka dëshirë të jetë i lirë, gjegjësisht i çliruar nga të gjitha gjërat që do të mund ta robëronin. Por krahas kësaj, secili njeri e ka përbrenda vetes ndjenjën se duhet ta realizojë vullnetin e vet dhe ta trajtësojë rrugën e jetës së tij nëpërmjet vendimeve personale. Ai dëshiron të ekzistojë, ta realizojë vullnetin e tij dhe ta shfrytëzojë kapitalin e tij ashtu si ka dëshirë.
Liria negative dhe eliminimi i pengesave është një gjë e nevojshme, por jo e mjaftueshme, sepse njeriu kërkon gjithnjë rrugë për t’i bërë gjërat që dëshiron t’i bëjë. Nëpërmjet lirisë pozitive që i është falur, ai dëshiron të hapërojë në rrugën e tij.
Fokusi kryesor i lirisë negative, pra, është çlirimi nga pengesat e ndryshme dhe nga shtypjet. Disa filozofë perëndimorë 2 e kanë definuar lirinë negative si vijon: Njeriu është i lirë, për sa kohë që nuk përzihet në punët e të tjerëve.Kjo pikëpamje mbështetet mbi idetë liberaliste, që janë theksuar nga filozofët anglezë.3
Ndërkaq, liria pozitive mbështetet më shumë në mendjen dhe arsyen, duke e theksuar rëndësinë e të dyjave. Për ta qartësuar më tej këtë këndvështrim, do të citojmë disa definicione të lirisë pozitive nga filozofë të ndryshëm:
- Një njeri i lirë është ai që e ndjek vetëm arsyen në jetën e tij. (Spinoza)
- Liria është arsyeja e pavarur (Leibniz)
- Liria është pavarësi nga gjithçka përveç rregullave etike, të cilat janë të pranueshme për ndërgjegjen dhe për arsyen praktike. (Kant)
- Për njeriun, liri është sundimi i shpirtit. (Paulsen)
Disa thonë se liria pozitive është liria e vërtetë. Thuhet se themeli teorik i këtij mendimi u hodh në Angli. Megjithatë, kjo teori ka ekzistuar edhe në Greqinë antike dhe është përmendur madje edhe në punimet e Hegelit dhe të Kantit. Kjo qasje ndaj lirisë, për dallim nga Liberalizmi i anglezëve, më shumë se lirinë negative ka vënë theks mbi lirinë e mirëfilltë (pozitive) dhe mbi zgjedhjen e lirë.4 Principi themelor i kësaj qasjeje është se njeriu duhet të veprojë duke u mbështetur në arsyen dhe ndërgjegjen. Në këtë kontekst, liria nuk do të thotë thjesht çlirim nga çdo lloj kufizimi dhe shtypjeje. Pra, nëse një kufizim nuk bie ndesh me arsyen dhe ndërgjegjen, të çliruarit prej tij nuk mund të definohet si liri.
Por këtu na shfaqet një pyetje tjetjër: a janë dallimet ndërmjet këtyre dy llojeve të lirisë, thelbësore dhe substanciale, ose thjesht sipërfaqësore? A është e mundur të krijohet një pajtim ndërmjet këtyre dy qasjeve ndaj çështjes së lirisë?
Përballë pyetjes së mësipërme, disa filozofë perëndimorë kanë qenë të mendimit se dallimet ndërmjet lirisë pozitive dhe lirisë negative nuk janë thelbësore por vetëm terminologjike, dhe se mund të shpërfillen.5 Emërtimet “liri pozitive” dhe “liri negative” burojnë nga fakti se koncepti i lirisë është kuptuar në dy mënyra të ndryshme. Duke u mbështetur në këtë, filozofët që e përkrahin këtë ide, lirinë e kanë definuar gjithnjë si një çlirim nga dikush ose nga diçka, si një eliminim të të gjitha pengesave që e pengojnë kryerjen e një veprimi të dëshiruar ose posedimin e një gjëje që njeriu dëshiron ta posedojë.6 Ata kanë thënë se definicioni i lirisë duhet të përmbajë tre elemente me rëndësi:
- liria e kujt?
- liria karshi kujt?
- liria prej kujt dhe për çfarë?
Sipas këtij grupi të filozofëve, liria ka një kuptim të vetëm, ndërsa dallimi i shfaqur ndërmjet lirisë pozitive e negative nuk është tjetër veçse një dallim në definicion dhe jo në kuptim.
Megjithatë, është e qartë se duhet të bëhet dallim ndërmjet koncepteve të lirisë pozitive dhe të lirisë negative. Ajo që nënkuptohet me lirinë negative është çlirimi, gjegjësisht eliminimi i të gjitha pengesave të mundshme. Në anën tjetër, liria pozitive është definuar si mbështetja e njeriut në aftësitë e tija mendore, për të marrë vendime që do t’i mundësonin t’i arrijë qëllimet e tija. Në këtë kuptim, një njeri i lirë është ai që mund të marrë vendime nëpërmjet mendjes dhe ndërgjegjes së tij, pra ai që është i zoti i vetes dhe që nuk ka nevojë ta ndjekë mendimin e dikujt tjetër. Prej kësaj duket qartë se ndërmjet këtyre dy qasjeve të ndryshme ndaj konceptit të lirisë ekzistojnë dallime thelbësore dhe jo thjesht sipërfaqësore.
VAZHDON
1: Isaiah Berlin, Katër ese mbi lirinë (Four essays on liberty), fq. 230, botimi persisht, përkthyer nga Ali Muvahhid
2: Po aty, fq.237
3: David Robertson, Kultura moderne politike, fq.10
4: Po aty, fq.11
5: Për shembull: Jenny Teichman, McCallum
6: Mansur Mir Ahmadi, Liria në filozofinë politike të Islamit, fq.25