Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Në ligjëratat e kaluara kemi përmendur se Kur’ani, aq sa lirinë e jashtme, e thekson edhe lirinë e brendshme të njeriut. Një nga kriteret më të rëndësishme të lirisë, sipas botëkuptimit islam, është përfshirja e të vërtetës në të.
Në mënyrë që ta arrijë lirinë e brendshme, njeriu duhet ta dojë të vërtetën, ndërsa për ta arritur lirinë e jashtme, duhet të sillet sipas saj. Liria e brendshme është në harmoni me të vërtetën, kur e udhëzon njeriun drejt përsosurisë, kur e mbron nga tundimet e unit dhe kur e çliron nga robëria.
Dashuria ndaj të vërtetës dhe sjellja në përshtatshmëri me të janë të rëndësishme edhe për lirinë e jashtme, sepse Kur’ani, duke folur për lirinë e jashtme, e përkufizon atë si një forcë që e çliron njeriun nga faktorët që e çojnë drejt devijimit. Edhe në këtë pikë shfaqet një dallim ndërmjet shkollës islame të mendimit dhe ideve liberaliste: ndërsa shkolla liberaliste e vlerëson çdo lloj të lirisë, madje edhe atë që e largon njeriun nga vlerat dhe nga e vërteta, Islami i mohon të gjitha format e lirisë, të cilat e pengojnë përsosjen dhe përparimin e njeriut. Si pasojë, mësimi islam gjithnjë e ka këshilluar njeriun t’u shmanget këtyre formave të lirisë.
Mos devijo nga e vërteta që të është shpallur, duke i ndjekur dëshirat e tyre. (Kur’an, 5:48)
Sipas Kur’anit, liria është e çmueshme vetëm kur të mbështetet në të vërtetën. Njeriu nuk konsiderohet i lirë thjesht kur e posedon lirinë për t’i ndjekur dëshirat e unit të tij. Në Kur’an thuhet:
Jashtë të vërtetës ka veç devijim. (Kur’an 10:32)
Në këtë varg qartësohet përse Kur’ani e thekson të vërtetën kaq shumë. Ai që nuk e kërkon të vërtetën, nuk ka zgjidhje tjetër veç hutisë dhe devijimit.
Në një varg tjetër kur’anor, Zoti e përkufizon të vërtetën si themelin dhe boshtin e udhëzimit hyjnor:
Zotit i takon gjykimi. Ai e shpjegon të vërtetën dhe Ai është më i miri i gjykuesve. (Kur’an, 6:57)
Sipas këtij vargu, një ligj mund të jetë i vlefshëm për njeriun vetëm kur të mbështetet në të vërtetën. Si rrjedhojë, edhe vlefshmëria e ndjekjes së urdhrave hyjnorë mbështetet në këtë princip, gjegjësisht në faktin se themeli i këtyre urdhrave është vetë e vërteta. Pra njeriu duhet t’i përdorë të gjitha mundësitë e tija për ta gjetur të vërtetën. Të gjitha dhuntitë hyjnore janë në shërbim të njeriut, që ai të mund të hapërojë rrugës së të vërtetës dhe të largohet nga devijimi.
Në mesin e këtyre dhuntive është intelekti, i cili u është falur njerëzve dhe prej të cilit ata përfitojnë për të arritur qëllime më sipërore. Njeriu nuk duhet ta përdorë intelektin e tij vetëm për t’i përmbushur dëshirat dhe për t’i kënaqur epshet e veta. Islami thekson se njeriu duhet ta shfrytëzojë intelektin për të dalluar ndërmjet të bukurës dhe të shëmtuarës. Njeriu nuk duhet të lejojë që intelekti të bëhet rob i dëshirave. Përkundrazi, ai duhet të jetë një mjet për t’i arritur qëllimet e tija të vërteta. Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) thotë: Sa e sa njerëz ka, tek të cilët intelekti u burgos në kthetrat e epsheve dhe dëshirimeve.[1]
Përveç kësaj, Imam Aliu ka thënë gjithashtu se intelekti dhe dëshirat nuk janë në harmoni mes veti.[2] Ja përse Kur’ani, në shumë vargje të tij, e fton njeriun të mendojë e të përsiatet:
A nuk do të kuptoni vallë? (Kur’an, 28:60)
Kur’ani thekson se intelekti i njeriut duhet t’i shërbejë rritjes dhe shpëtimit të vetë atij. Si një shembull i dështuar i kësaj, ai i përmend fjalët e banorëve të ferrit, të cilët thonë:
Sikur të dëgjonim e të mendonim, nuk do të ishim banorë të zjarrit përvëlues. (Kur’an, 67:10)
Sipas Kur’anit, pra, është me rëndësi që njeriu t’i shfrytëzojë të gjithë kapacitetet dhe aftësitë e veta, për ta arritur këtë lloj të lirisë.
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!