Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Liria e besimit është një temë e rëndësishme, e cila ditëve të sotme diskutohet gjithë më shpesh. Në këtë ligjëratë do të përpiqemi të zbulojmë se çfarë thotë Kur’ani i Shenjtë lidhur me këtë temë. A u lejohet njerëzve të besojnë si të duan dhe a u lejohet vallë të jetojnë fare pa pasur besim ose bindje?
Sipas vargjeve kur’anore, njerëzit janë të lirë për të zgjedhur. Ata mund ta zgjedhin vetë besimin e tyre dhe nuk mund të detyrohen për këtë gjë, për vetë faktin se besimi është një veprimtari e zemrës.
Po të donte Zoti, të gjithë njerëzit në botë do të ishin besimtarë. Mos vallë do t’i detyrosh që të besojnë? (Kur’an, 10:99)
Sikur të kishte dashur, Zoti do t’i kishte mbledhur ata të gjithë në rrugën e drejtë. (Kur’an, 6:35)
Ka edhe shumë vargje të tjera të Kur’anit, të cilat theksojnë se në fe nuk mund të ketë detyrim dhe se qëllimi i Zotit gjatë krijimit nuk ka qenë që njeriut t’i hiqet e drejta e zgjedhjes.
I mbetet, pra, njeriut që të fitojë bindje të ndryshme, sepse vetëm pas zgjedhje së tij të lirë, pra pas vendimeve të sakta ose të gabuara, parajsa dhe ferri fitojnë kuptim. Kur të gjithë njerëzit të ishin të detyruar të mendonin saktë dhe ta ndiqnin fenë e duhur, atëherë nuk do të kishte dallim ndërmjet besimit dhe mohimit, virtytit dhe vesit, të mirës dhe të ligës.
Imam Ridai (a.s.) përcjell se një ditë, disa njerëz erdhën te i Dërguari i Zotit (s.a.a.) dhe e pyetën përse nuk e shfrytëzonte fuqinë e tij për t’i detyruar njerëzit të besonin, në mënyrë që Islami të forcohej edhe më. Ai u përgjigj se nuk do të kishte guxuar të dilte para Zotit në një gjendje ku ka marrë përsipër diçka me të cilën nuk është ngarkuar. Ai tha se nuk mund t’i detyronte njerëzit, ndërsa Zoti e kishte shpallur vargun vijues të Kur’anit: “Askush nuk mund të besoj, veçse me lejen e Zotit. Ndërsa dënimi është për ata që nuk e shfrytëzojnë intelektin e tyre.” (Kur’an, 10:100).
Përtej kësaj, ekziston një varg kur’anor, i cili më qartë dhe më kuptueshëm se të gjithë vargjet e tjera shpreh se Islami nuk e pranon detyrimi. Ai thotë:
Në fe nuk ka detyrim. E drejta është ndarë qartazi nga e gabuara. (Kur’an, 2:256)
Përcillet se ky varg u shpall kur njëri nga shokët e Profetit (s.a.a.) u përpoq ta detyronte shërbëtorin e tij që ta pranonte Islamin. Kur e dëgjoi vetë Profeti (s.a.a.) këtë gjë, e recitoi këtë varg dhe i tha se nuk ka detyrim në fe dhe se askush nuk mund ta detyronte një njeri ta pranojë Islamin.
Në Tefsir el-Mizan, Allame Tabatabai, lidhur me këtë varg shkruan: Besimi është një çështje e zemrës dhe nuk pranon detyrim. Me fjalinë e dytë, ku thuhet se e drejta është bërë e dallueshme nga e gabuara, bëhet shpjegimi i fjalisë së parë (pra “nuk ka detyrim në fe”). Pra nuk ka detyrim në fe, sepse detyrimi bëhet i nevojshëm vetëm kur një person me fuqi sipërore nuk arrin t’ia qartësojë si duhet ndonjë gjë, një personi që është më i dobët se vetja dhe e bën ta imitojë me zor. Për dallim prej kësaj, gjërat e rëndësishme, tek të cilat shquhet kollaj e mira nga e liga, nuk kanë nevojë për detyrimin. Në raste të tilla, vetë njeriu e zgjedh të mirën ose të ligën, duke i njohur pasojat e secilës. Kështu është edhe me besimin.
Ky varg i Kur’ani është një përgjigje edhe për ata që akuzojnë se Islami paskësh qenë fe e shpatës, e cila është përhapur nëpërmjet detyrimit nëpër botë. Ky varg tregon qartë se një besim i imponuar nuk ka kurrfarë vlere, sepse besimi, në esencën e tij, është diçka që buron nga shpirti njerëzor, i cili nuk mund të vihet nën detyrim prej një force të jashtme.
Njeriu pra, për nga natyra e tij, mund të besojë ose jo. Zoti e thotë shumë qartë dhe kuptueshëm këtë gjë:
Dhe thuaj: “Kjo është e Vërteta që ka zbritur nga Zoti juaj. Kush dëshiron le të besojë e kush nuk dëshiron, le të mos besojë! Për zullumqarët kemi bërë një zjarr, muret e të cilit kanë për t’i kapluar të tërë. (Kur’an, 18:29)
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi ju!