Islami dhe liria
Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa II)
Ajetollah Dr. Riza Ramazani

Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!


Vargjet kur’anore që merren me lirinë e mendimit e stimulojnë njeriun për të menduar në mënyrë të pavarur dhe për ta zbuluar realitetin e gjërave. Kështu, çdo njeri është i lirë ta shfrytëzojë këtë aspekt të qenies së tij dhe ta konsiderojë atë një dhunti të çmueshme nga Zoti. Njerëzit që nuk mendojnë, Kur’ani i qorton ashpër dhe pyet shumë herë: “Përse nuk mendoni?” Kur’ani e qorton njeriun edhe për ndjekjen e verbër të paraardhësve, me çfarë njeriu e humb rrugën dhe e fundos jetën e vete në fatkeqësi.


Në Kur’an ekzistojnë vargje të shumta me përmbajtje të ngjashme, dhe të gjithë këto vargje dëshmojnë se njeriu, në kërkim të të Vërtetës, duhet ta shfrytëzojë intelektin e tij. Me këtë, Islami e bën të qartë theksin që e vë mbi mendimin e lirë dhe se nuk ka drojë kur njerëzit mendojnë dhe arsyetojnë. Realiteti i Islamit ka për të shkëlqyer pikërisht kur të shfrytëzohet intelekti dhe t’ia ndriçojë njeriut rrugën drejt shpëtimit. Islami i respekton ata që, nëpërmjet mendimit dhe përsiatjes, e kërkojnë të vërtetën. Megjithatë, këtu është me rëndësi të qartësohet se ndonëse Islami e thekson mendimin dhe i jep atij liri, shpreh gjithashtu se nëse njeriu e kërkon lumturinë e mirëfilltë, ai duhet të jetë i kujdesshëm që mendimi i tij të jetë mendimi i saktë dhe i shëndoshë.


Nëse njeriu njëherë del në rrugën e gabuar, ai nuk ka për të arritur tjetër veçse shkatërrim dhe fatkeqësi. Nëse vetëm mendimet e njeriut janë të liga, por nuk kthehen në vepra, rreziku dhe pasojat janë më të vogla. Por nëse veprohet sipas mendimeve të liga, njeriu ka për ta shthurur veten e tij dhe ka për t’u fundosur në fatkeqësi, duke i tërhequr edhe të tjerët me veten. Ai dënohet njësoj si dënohet njeriu që vepron kundër ligjeve.


Këtu duhet të kihet parasysh se sikur njeri të vendosë të ndjekë mendime të gabuara deri në fund të jetës së tij, ai nuk mund të detyrohet të mendojë ndryshe. Megjithatë, ai nuk mund të presë që, në ditën e gjykimit, të ketë hise në bekimet e shumta të Zotit e të fitojë hyrje në parajsë. Nëse shihen vargjet që i kërkojnë njeriut të kultivojë mendime të mira e t’u qëndrojë larg mendimeve të liga, do të shohim se njeriu është lënë i lirë për të menduar ashtu si do vetë.


Megjithatë, jo çdo mendim ka për ta shpënë njeriun drejt lumturisë, ndaj edhe Islami ia tregon njeriut rrugën e drejtë të të menduarit. Nëse ndiqet kjo rrugë dhe shpërfaqet në vepra, njeriut ka për ta arritur lumturinë si në këtë botë ashtu edhe në tjetrën. Nëse një njeri vendos të hapërojë rrugës së mendimeve të gabuara, ai mund të paralajmërohet, por askush nuk ka të drejtë ta ndalë me detyrim dhe t’ia heqë lirinë. Ai duhet të jetë i vetëdijshëm se në ditën e gjykimit, duhet të japë llogari për gjithçka që ka kryer dhe se, po kështu, edhe në jetën e kësaj bote nuk ka për të arritur lumturi.


Në anën tjetër, një njeri që e ka zgjedhur rrugën e shthurjes dhe që edhe të tjerët i ka udhëzuar drejt kësaj rruge, kryen një krim ndaj shoqërisë dhe duhet të dënohet për këtë gjë. Kur’ani u qaset me shumë skepticizëm hipokritëve dhe mëkatarëve dhe i paralajmëron të tillët, duke u thënë:


Hipokritët dhe hipokritet, idhujtarët dhe idhujtaret, të cilët ushqyen mendim të ligë për Zotin, ka për t’i dënuar ashpërsisht. Ata i ka gjetur belaja. Zoti i ka dënuar, i ka mallkuar dhe ka përgatitur ferrin për ta. Sa fund i ligë që është! (Kur’an, 48:6)


Nëse njeriu përqendrohet vetëm tek aspekti i jashtëm dhe kufizohet vetëm tek elementet sipërfaqësore, mendimet e tija nuk kanë për t’i sjellë asgjë. Një njeri të tillë mund ta paralajmërojmë dhe të përpiqemi ta udhëzojmë, duke ia përkujtuar pasojat negative të mendimeve të tij. Por nëse mënyra e tij e mendimit merr një trajtë shoqërore dhe i nxjerr nga rruga njerëzit e tjerë, kjo përbën një krim dhe trajtohet përkatësisht. Islami nuk i pranon të gjitha mënyrat e mendimit, sepse njeriu shpesh merret me ide të kota, të cilat e shpien drejt devijimit. Islami nuk i sheh si të vlefshme këto mendime.


Islami nuk lejon që të praktikohet e të ndiqet çdo mënyrë e mendimit. Shkalla e lirisë varet nga pasojat që krijohen. Për sa kohë që bëhet fjalë vetëm për vetë personin dhe dëmi i shkaktohet vetëm vetvetes, Islami nuk lejon kurrfarë ndërhyrjeje dhe ia njeh personit hapësirën e lirë të mendimit. Por kur mendimet e një njeriu e dëmtojnë shoqërinë, kjo përbën një krim dhe trajtohet nga ligji si i tillë. Njerëzit që nuk i ndjekin urdhrat e Kur’anit dhe të të Dërguarit të Zotit (s.a.a.), nuk kanë për të pasur një fund të mirë nëse vazhdojnë deri në fund me idetë e tyre të pavlefshme. Por nëse kthehen nga kjo rrugë, mëshira dhe butësia e Zotit ka për t’i kapluar.


Po kështu, duhet përmendur se një njeri, i cili është plotësisht i bindur lidhur me mendimin e tij të gabuar, nuk ka për t’u dënuar në amshim. Një njeri i tillë konsiderohet nga ata që kanë përjetuar padrejtësi dhe shpresohet se Zoti do të jetë i mëshirshëm me të. Përkundër kësaj, mendimet që mbështeten vetëm në lakmi, dëshira dhe tundime, nuk kanë kurrfarë vlere dhe nuk meritojnë një respekt të tillë. Zoti i fton njerëzit drejt takva-së, pikërisht që të mos bien pre e tundimeve. Është pikërisht takva-ja që i mundëson njeriut të shquajë ndërmjet mendimeve të sakta dhe të gabuara. Kur’ani thotë:


Ata veç i ndjekin pandehjet dhe dëshirat e nefsit të tyre, ndonëse u ka ardhur një udhëzim nga Zoti i tyre. (Kur’an, 53:23) 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!  

publikuar më: 07.07.2017

Lexoni gjithashtu..

22.09.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa V)
11.08.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa IV)
28.07.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa III)
03.02.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit në këndvështrimin islam (pjesa 1)
23.12.2016 Islami dhe liria: Liria sipas mësimit moral dhe gnostik
08.07.2016 Islami dhe liria: Kultura e lirisë në Kuran
02.10.2015 Islami dhe liria: Mbi clirimin e brendshëm dhe dinjitetin njerëzor
17.04.2015 Islami dhe liria: E vërteta si një kriter për lirinë
15.02.2015 Islami dhe liria: Qëllimi dhe kufijtë e lirisë
11.10.2014 Islami dhe liria: A është liria qëllim më vete a një mjet drejt qëllimit?
29.08.2014 Islami dhe liria: Nënshtrimi i dëshirave si një hap drejt lirisë
24.01.2014 Islami dhe liria: Liria e brendshme dhe liria e jashtme
31.08.2013 Islami dhe liria: Definicioni islam i lirisë
28.06.2013 Islami dhe liria: Një kritikë e këndvështrimit liberalist
10.05.2013 Islami dhe liria: Hyrje në këndvështrimin kuranor
12.04.2013 Islami dhe liria: Liria pozitive dhe liria negative
05.04.2013 Islami dhe liria: Rëndësia e konceptit të lirisë

Kthehu