Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Në ligjëratat tona të kaluara shpjeguam se përshpirtshmëria islame e lidh të përbotshmen me të amshueshmen, sepse Islami është një thirrje e plotë dhe e gjithanshme për jetën e njeriut. Kjo botë dhe amshimi konsiderohen si dy faqet e një monedhe dhe, për më tepër, thuhet se amshimi nuk është veçse dimensioni i brendshëm i kësaj bote, paçka se shumica e shohin vetëm dimensionin e jashtëm të kësaj bote dhe janë krejtësisht të pavëmendshëm për amshimin.
Një aspekt tjetër i mësimit islam është se në përshpirtshmërinë islame, motivacioni për të menduar e përsiatur ose për të qenë i moralshëm, kanë një karakter dhe qëllim hyjnor. Kjo do të thotë se njeriu, nëpërmjet këtyre gjërave, duhet të përpiqet për t’u afruar me Zotin. Duhet të jetë e vetëkuptueshme dhe e qartë se përshpirtshmëria fetare është e papërshtatshme me izolimin dhe largimin nga njerëzit e tjerë. Ndonëse disa e kanë ndërlidhur përshpirtshmërinë me izolimin shoqëror, mësimi i vërtetë shpirtëror i Islamit thotë se njeriu, përveç me zhvillimin e vet shpirtëror, duhet të ketë një qëndrim të qartë edhe kundër shtypjes dhe padrejtësisë në shoqëri e të mos lejojë që dinjiteti dhe nderi i tij të nëpërkëmben.
Njësoj siç është arritja e një pozite e kushtëzuar me njohjen lidhur me të dhe faktorët që çojnë drejt saj, edhe rruga drejt qëllimeve të lartësuara njerëzore kërkon që të njihen problemet dhe pengesat, me të cilat njeriu mund të përballet dhe eliminimi i të cilave ka për t’ia hapur rrugën drejt qëllimit. Duhet të theksohet se përshpirtshmëria nuk mund të shkëputet nga arsyeja, nga përpjekja për të vepruar në përputhshmëri me urdhrat fetare dhe nga ritualet e ndryshme. Përshpirtshmëria e vërtetë, në çdo formë të saj, është e përshtatshme me arsyen. Njeriu duhet të hapërojë në drejtim të riteve dhe principeve që janë në harmoni me përshpirtshmërinë, në mënyrën që ta kuptojë realitetin e saj. Është tejet e qartë se përshpirtshmëria e vërtetë nuk mund të arrihet pa një përpjekje serioze dhe ndjekje të përpiktë të urdhrave dhe ligjeve fetare. Sa më tepër që përpiqet njeriu për t’i ndjekur urdhrat fetarë në sjelljet e në moralin e tij, aq më i përshpirtshëm do të jetë.
Në mesin e faktorëve më të rëndësishëm që e pengojnë arritjen e përshpirtshmërisë është mohimi (arab. kufr). Me mohim nënkuptohet mosbesimi ose të paturit dyshim lidhur me Zotin, profetët, librat e shenjtë, urdhrat hyjnore ose botën e të fshehtës (arab. alem el-ghajb). Ata që e mohojnë botën e padukshme metafizike ose kanë dyshime lidhur me ekzistencën e saj, nuk mund ta shijojnë mirëfilli përshpirtshmërinë. Në këtë kontekst, Kur’ani e fton njeriun drejt besimit, adhurimit të Zotit, përsiatjes, si dhe veprimit dhe bindjes.
Gjatë gjithë historisë njerëzore ka pasur njerëz që kanë hapëruar rrugës së dyshimit, madje shpesh jo vetëm lidhur me gjërat e jashtme por lidhur edhe me vetë ekzistencën e tyre. Njerëz të tillë nuk mund ta gjejnë rrugën e të vërtetës dhe, në kuptimin e njohjes dhe të ekzistencës, janë gjithnjë në rrugën e dyshimit, aq sa jeta e tyre, nëpërmjet kësaj mungese besimi, bëhet një rrugë krejtësisht e zbrazur dhe e pakuptimtë. Dhe aty ku krijimi dhe njohja nuk kanë kurrfarë qëllimi, nuk mund të gjenden gjurmë të përshpirtshmërisë.
Një pikë e rëndësishme dhe e vlefshme për t’u përmendur janë edhe pasojat e skepticizmit, i cili zakonisht përfundon në relativizëm dhe në idenë se çdo njohje është vetëm relativisht e saktë dhe asnjëherë me vlefshmëri universale. Kjo është një pengesë e rëndësishme në prirjen për përshpirtshmërinë, sepse personi skeptik asnjëherë nuk posedon një peshore të saktë shkencore për ta njohur të vërtetën. Si pasojë, një njeri i tillë kurrë nuk mund të jetë i bindur për botën e të fshehtës dhe për të vërtetën e aq më pak, të besojë në të, ndonëse ky është pikërisht themeli i përshpirtshmërisë së vërtetë.
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!