Pershpirtshmëria
Pjesa IV (Manifestimet e Zotit në botën e qenies)
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Të gjitha qeniet janë manifestime të Zotit të Madhëruar, sepse Ai manifestohet në çdo gjë, i fal ekzistencë çdo gjëje dhe e pasqyron fuqinë, diturinë dhe urtësinë e Tij në të gjitha sendet. Kjo është arsyeja përse të gjitha gjërat posedojnë një lloj përshpirtshmërie. Ajo që, megjithatë, e dallon njeriun nga pjesa tjetër e ekzistencës, është fakti se ai është krijesa më e çmueshme e Zotit. Falë vullnetit të tij të lirë, ai është krijesa më e aftë për ta shfrytëzuar përshpirtshmërinë dhe për të përfituar prej saj. Për ta arritur këtë, njeriu duhet t’i orientojë mendimet e tija në drejtimin e duhur dhe ta edukojë vetveten. Njeriu ka për të përfituar më së shumti nga aftësitë e tija trupore dhe shpirtërore vetëm kur t’i orientojë këto në drejtimin e duhur.


Islami ka vendosur rregulla të caktuara, për t’i orientuar fuqitë dhe kapacitetet e ndryshme të njeriut. Nëpërmjet një trupi dhe shpirti të shëndetshëm, Islami ia jep njeriut mundësinë që ta kuptojë aq mirë sa mundet rendin që Zoti e ka krijuar me urtësinë e Tij. Kjo është edhe arsyeja e dërgimit të profetëve. Andaj duhet që të gjithë ne të përpiqemi për t’i njohur nevojat tona të vërteta, duke i patur parasysh të tërë aspektet e qenies sonë.


Nëse, si rezultat i botëkuptimit tonë, e shohim çdo gjë si një shenjë të Zotit, të fuqisë e të urtësisë së Tij, s’ka dyshim se kjo ka për të patur një ndikim pozitiv në të gjitha fazat e jetës sonë. Këtu është me rëndësi se të gjtha shenjat dhe gjurmët që i gjejmë rreth nesh janë dëshmi të ekzistencës së një Zotit të vetëm. Njeriu i përshpirtshëm gjithnjë e përqëndron vëmendjen e tij tek kjo e vërtetë dhe në dritë të saj e mbikqyr vetveten. Ai gjithnjë kujdeset që të mos devijojë nga rruga e drejtë. Ai përpiqet ta japë kontributin që ka premtuar dhe nuk dëshiron të ketë një ekzistencë të pakuptimtë e pa qëllim, në të cilën vetëm sa e shpenzon kohën e tij. Një njeri i tillë dëshiron t’i shfrytëzojë më së miri të gjitha fazat e jetës së tij.


Dhe kur Zoti yt i nxorri pasardhësit e bijve të Ademit nga shpina e tyre, i bëri dëshmitarë e i pyeti: “A nuk jam unë Zoti juaj?”, ata thanë: “po, dëshmojmë se je Zoti ynë”. E gjithë kjo ishte që të mos thoni në ditën e gjykimit se s’keni ditur gjë. (Kur’an 7:172) 


Është me rëndësi që gjithnjë të kihet parasysh kjo prirje e natyrshme, e cila e tërheq qenien tonë drejt të përshpirtshmes. Sikur të gjithë njerëzit ta kuptonin këtë të vërtetë, shumë probleme të shoqërisë njerëzore do të eliminoheshin vetvetiu. Mungesa e kësaj bindjeje dhe qasjeje të thellë, në anën tjetër, ka shkaktuar që disa njerëz të mos mund ta përjetojnë baraspeshën ndërmjet trupit dhe shpirtit dhe kështu të fundosen në një humnerë të thellë. Fatkeqësisht, disa njerëz jetojnë me iluzionin se mund t’i udhëzojnë mendimet dhe idetë e njerëzve, ndërkohë që vetë nuk i kanë gjetur akoma përgjigjet e duhura dhe nuk kanë një jetesë të mirëfilltë shpirtërore. Shkak i kësaj është mosorientimi i njerëzve të tillë. Ata mendojnë se e kanë kaluar rrugën, ndonëse në të vërtetë e kanë humbur atë krejtësisht dhe kanë devijuar. Ata nuk janë në gjendje ta shpëtojnë veten e tyre dhe jo më njerëzit e tjerë. Njeriu duhet të orientohet drejt prirjeve të tija të brendshme natyrore, që nuk janë tjetër veçse rruga e të Vërtetës.


Në Kur’an, Zoti thotë:


Dhe kthehu me besim drejt fesë së vërtetë, drejt natyrës së lindur (fitrah), në të cilën Zoti e krijoi njeriun. Nuk ka ndryshim në krijimin e Zotit. Kjo është feja e vërtetë por shumica e njerëzve nuk dinë.  (Kur’an 30:30)  


Njeriu që e kërkon përshpirtshmërinë e mirëfilltë përpiqet ta njohë veten e tij. Kjo njohje theksohet shumë në Islam, për vetë faktin se është një hap që e lehtëson njohjen e shumë të vërtetave të tjera. Kjo është arsyeja përse është cilësuar edhe si njohja më e rëndësishme. Është thënë se “njohja e të gjitha njohjeve është njohja e vetvetes”. Nëse ekziston kjo njohje, njeriu ka për ta njohur Zotin e tij. Siç thuhet në hadithin e famshëm, “Ai që e njeh veten, e ka njohur edhe Zotin”. Përveç kësaj, ai që e njeh veten, i njeh më së miri edhe të tjerët. 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!

publikuar më: 10.01.2014

Lexoni gjithashtu..

13.01.2017 Pershpirtshmëria: (Pjesa XIV): Nevoja për shpirtëroren në botën bashkëkohore
26.11.2016 Pershpirtshmëria: Përshpirtshmëria (pjesa XIII): shpallja dhe intelekti si kritere për të përshpirtshmen
29.04.2016 Pershpirtshmëria: Shpallja hyjnore si burim i përshpirtshmërisë së mirëfilltë
01.08.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa XI (Mëkati si një pengesë në zhvillimin shpirtëror)
27.03.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa X (Ndikimet e arsyes dhe të relativizmit në rrugëtimin shpirtëror)
06.02.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa IX (Përshpirtshmëria, arsyeja dhe përgjegjësia shoqërore)
11.07.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa VIII (Lidhja ndërmjet arsyes dhe përshpirtshmërisë)
16.05.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa VII (Burimi fetar i përshpirtshmërisë)
13.12.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa III (Kuptimi i ekzistencës)
29.11.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa II (Kriza shpirtërore e botës moderne)
01.11.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa I (Definicioni i përshpirtshmërisë)

Kthehu