Pershpirtshmëria
Pjesa IX (Përshpirtshmëria, arsyeja dhe përgjegjësia shoqërore)
Ajetollah Dr. Riza Ramazani

 


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Nuk ekziston kurrfarë dyshimi se përshpirtshmëria fetare është e ndërlidhur me arsyen. Në të vërtetë, arsyeja fetare është një masë mbrojtëse, e cila bën që rruga e përshpirtshmërisë të jetë një rrugë e mesit, përtej çdo lloji të tepërimit ose të pakujdesisë.


Ne mesin e faktorëve më me ndikim në të gjitha rrymat shpirtërore të njerëzimit duhet ta theksojmë rolin e vullnetit, si një ndikim shumë i fuqishëm në rritjen dhe zhvillimin e njeriut. Në këtë pikë duhet t’i kushtohet më shumë vëmendje vullnetit të lirë njerëzor gjatë kryerjes ose moskryerjes së një veprimi, sepse njeriu, nëpërmjet aftësisë së tij për të zgjedhur e për të vendosur, është i aftë të kryejë çdo veprim ose t’i qëndrojë larg atij. Në asnjë mënyrë nuk mund të thuhet se njeriu detyrohet për të vepruar. Në këtë kontekst, nëpërmjet kontrollimit të vullnetit të tij, njeriu mund ta pasurojë përshpirtshmërinë e vete dhe të arrijë një pikë më të lartë rritjeje dhe zhvillimi. Duke e pranuar të vërtetën dhe besimin, për shembull duke e fituar bindjen lidhur me zanafillën e ekzistencës ose ringjalljen pas vdekjes dhe duke u përpjekur në këtë rrugë të bindjes, njeriu mund të ngjitet shumë lartë në shkallët shpirtërore.


Fatalizmi, pra mësimi që e kundërshton vullnetin e lirë dhe që shpreh se vullneti i lirë është i parapërcaktuar nga shkaqe të brendshme ose të jashtme, është një formulim që bie ndesh me arsyen dhe i cili jo vetëm që është i pakuptimtë në zhvillimin shpirtëror por përbën edhe një pengesë serioze në arritjen e përshpirtshmërisë së vërtetë. Kur njeriu është i detyruar të kryejë një veprim të mirë, kjo gjë nuk ka për të pasur kurrfarë ndikimi në zhvillimin e besimit e të bindjes (arab. jekin). Si pasojë e asaj që u tha më sipër, mund të arrihet në përfundimin se ndërmjet arsyes dhe përshpirtshmërisë ekziston një lidhje e thellë dhe e pashkëputshme, aq sa njëra prej tyre nuk mund ta arrijë përsosurinë pa tjetrën. Nuk ka dyshim se njeriu i arsyeshëm është një njeri në kërkim të përshpirtshmërisë, njësoj siç është njeriu i përshpirtshëm një njeri i orientuar nga arsyeja. Kjo temë është e një rëndësie madhore dhe duke ia kushtuar kujdesin e nevojshëm mund të krijohen parakushtet për një rritje dydimensionale dhe paralele të arsyes e të përshpirtshmërisë.


 


Një faktor tjetër, i cili luan një rol të rëndësishëm në krijimin, përforcimin dhe zhvillimin e përshpirtshmërisë, është vendosmëria për të vepruar sipas ligjeve fetare. Pavarësisht në bëhet fjalë për një veprim të natyrës individuale ose shoqërore, duhet kuptuar se ligji fetar (sheriati) dhe rregullat e përcaktuara nga feja, parë nga ky këndvështrim, janë të një rëndësie qendrore.


Ndonëse disa përpiqen gjithë kohës për ta përhapur nocionin e një përshpirtshmërie dhe madje gnose (misticizmi) e morali të shkëputur nga feja, duke u munduar kështu të krijojnë një përshpirtshmëri pa fenë, një hulumtim më i kujdesshëm lidhur me realitetin e përshpirtshmërisë ka për të na e bërë të qartë se arritja e një përshpirtshmërie që i fal lumturi njeriut nuk është e mundur pa ligjin fetar. Edhe kur i lexojmë biografitë e të Dëlirëve dhe të të udhëzuarve në mesin e njerëzve, është shumë i qartë fakti se përmbushja dhe respektimi i ligjeve fetare ka qenë përherë thirrja kryesore ndërsa ata vetë kanë qenë në mesin e ndjekësve më të përpiktë të ligjit.


Si shembull mund të përmendet profeti i madh i Zotit, Muhammedi (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij), i cili përpiqej tej mase për t’i ndjekur urdhrat fetarë dhe për të qëndruar larg gjërave të ndaluara e të papëlqyeshme, aq sa historia nuk përcjell as edhe një gabim të tij. Nëpërmjet një menaxhimi të kujdesshëm të kohës, ai ia kushtonte një pjesë të kohës së tij adhurimit individual të Zotit, praktikimit të urdhrave fetarë, recitimit të lutjeve, përkujtimit të Zotit dhe adhurimeve natën, ndërkohë që pjesën tjetër të kohës e shpenzonte duke u marrë me punë shoqërore dhe duke ftuar në rrugë të Zotit. Kështu ai krijonte një baraspeshë ndërmjet lidhjes së tij me Zotin dhe udhëzimet e udhëheqjes së shoqërisë islame.


Asnjë nga përpjekjet e tija nuk ishte në papërshtatshmëri me përshpirtshmërinë e tij, por ishin gjithnjë pjesë zhvillimit dhe forcimit shpirtëror. Ata që e konsiderojnë të pamundur zhvillimin paralel të këtyre dy aspekteve, nuk kanë njohuri të mjaftueshme lidhur me fenë, sepse feja islame kurrë nuk e ka miratuar shkëputjen dhe izolimin nga shoqëria por përkundrazi, i ka theksuar përgjegjësitë fetare dhe shoqërore paralelisht me detyrimet e brendshme shpirtërore të njeriut. Sipas pikëpamjes islame, në një shoqëri ku ka probleme ekzistenciale dhe ku punët e njerëzve janë në kaos të plotë, është vështirë të gjenden gjurmë të fesë e të përshpirtshmërisë së vërtetë.  Të njejtën e shohim edhe në hadithet tona, ku thuhet se ai që nuk ka i ka të përmbushura nevojat materiale, nuk mund t’i përmbushë si duhet as nevojat shpirtërore.


E vërteta është se kur punët e njeriut në këtë botë nuk janë të rregulluara si duhet dhe gjenden në gjendje parregullësie, ashtu do të jenë edhe në botën tjetër. Islami ka theksuar se nevojat materiale të njerëzve në një shoqëri duhet të përmbushën, që të mund të krijohet hapësirë për një rritje dhe zhvillim, si dhe për arritjen e përsosurisë shpirtërore. Një qeverisje e mbështetur në fenë duhet t’i përgatisë kornizat dhe parakushtet e nevojshme, që njerëzit të mund të vendosen në rrugën e përsosurisë dhe të hapërojnë drejt adhurimit të Zotit. Vlera dhe funksioni i një qeverisjeje fetare fshihet pikërisht në aftësinë e saj për të krijuar një kornizë të tillë për çdo individ në shoqëri. Një qeverisje fetare nuk ka kurrfarë vlere për sa kohë që drejtësia nuk sundon në shoqëri.


Për arritjen e drejtësisë dhe sigurisë në shoqëri, çdo individ duhet të japë një kontribut të caktuar në mirëqenien e përgjithshme. Në këtë rast kemi të bëjmë me një shoqëri të përkushtuar adhurimit të Zotit, në të cilën përshpirtshmëria kaplon gjithçka. Në një shoqëri të tillë, ndjenja e përgjegjësisë, të shërbyerit njerëzve të tjerë dhe zgjidhja e problemeve të tyre do të rrënjosen thellë dhe do të jenë të përhershme. Kjo gjë është një nga efektet më të rëndësishme të përshpirtshmërisë në sferën shoqërore, gjë që do ta shpjegojmë më gjerësisht në vijim.


Përfundimi në të cilin arrihet është se veprimet dhe detyrimet në sferën individuale dhe shoqërore nuk janë në kundërshtim me përshpirtshmërinë por përkundrazi, i krijojnë kornizat e një shkalle më të lartë të përshpirtshmërisë në shoqëri. Kjo është përse adhurimi i Zotit jo vetëm që nuk bie ndesh me përshpirtshmërinë por është edhe një parakusht i domosdoshëm për arritjen e një përshpirtshmërie të vërtetë. 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju! 

publikuar më: 06.02.2015

Lexoni gjithashtu..

13.01.2017 Pershpirtshmëria: (Pjesa XIV): Nevoja për shpirtëroren në botën bashkëkohore
26.11.2016 Pershpirtshmëria: Përshpirtshmëria (pjesa XIII): shpallja dhe intelekti si kritere për të përshpirtshmen
29.04.2016 Pershpirtshmëria: Shpallja hyjnore si burim i përshpirtshmërisë së mirëfilltë
01.08.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa XI (Mëkati si një pengesë në zhvillimin shpirtëror)
27.03.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa X (Ndikimet e arsyes dhe të relativizmit në rrugëtimin shpirtëror)
11.07.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa VIII (Lidhja ndërmjet arsyes dhe përshpirtshmërisë)
16.05.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa VII (Burimi fetar i përshpirtshmërisë)
18.04.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa VI (Prirja e njeriut për shpirtëroren)
07.03.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa V (Përshpirtshmëria dhe adhurimet)
10.01.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa IV (Manifestimet e Zotit në botën e qenies)
13.12.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa III (Kuptimi i ekzistencës)
29.11.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa II (Kriza shpirtërore e botës moderne)
01.11.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa I (Definicioni i përshpirtshmërisë)

Kthehu