Pershpirtshmëria
Pjesa III (Kuptimi i ekzistencës)
Ajetollah Dr. Riza Ramazani

Përshpirtshmëria (pjesa e tretë): kuptimi i ekzistencës by librariadielli



Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
 


Në mësimet e të gjitha feve monoteiste mund të gjendet besimi se njeriu është një qenie e përshpirtshme, sepse realiteti i njeriut qëndron në një lidhje të drejtpërdrejtë me shpirtin e tij. Janë pikërisht prirjet shpirtërore të njeriut, të cilat burojnë nga shpirt dhe jo nga trupi i tij, që atij i japin vlerë. Shpirti dhe trupi i njeriut duhet të shihen si kalorësi dhe kafsha e tij. Vlera dhe pozita e njeriut varen nga shpirti, i cili ka një zanafillë hyjnore.


Vetëm pasi i “fryhet nga shpirti i Zotit”, siç thotë Kur’ani1, njeriu bëhet i denjë për t’i fituar njohuritë hyjnore.2 Është pikërisht ky realitet i fshehur në shpirtin e njeriut, që e posedon kapacitetin për ta ruajtur diturinë hyjnore dhe për ta shfrytëzuar denjësisht:


Vërtet Ne ua ofruam amanetin qiejve, tokës e maleve, por u trembën e nuk pranuan. Vetëm njeriu pranoi. Sa i padrejtë e i paditur që u tregua! (Kur’an 33:72) 


Si pasojë e këtyre tipareve, njeriu ka një prirje drejt shpirtërores dhe përpiqet ta trajtësojë jetën e tij sipas kësaj. Por fatkeqësisht, ky talent nuk shfrytëzohet sa duhet nga disa njerëz, të cilët e largojnë veten nga jetesa e mirëfilltë e shpirtit. Të tillët jetojnë me iluzionin se kanë një jetë të përshpirtshme, por në të vërtetë, vetëm sa enden në padituri të plotë, me një brendi që është e zbrazur nga gjurmët e shpirtërores. Përshpirtshmëria i plotëson dy nevoja të njeriut: fillimisht i jep atij një jetë shpirtërore, që është e ndryshme nga materialja dhe, së dyti, i fal kuptim ekzistencës.


Megjithatë, një jetë kuptimplote nuk është sinonim i një jete të përshpirtshme. Është e vërtetë se këto dy gjëra janë të ndërlidhura disi, sepse një jetë e përshpirtshme është ajo që buron nga një besim i përzemërt në të fshehtën dhe në amshimin. Nëse nuk ekziston besimi në mbinatyroren, nuk mund të bëhet fjalë për një jetë shpirtërore. Përkundër kësaj, nëse njeriu posedon një besim të tillë dhe nëse e trajtëson jetën sipas këtij besimi, atëherë kemi të bëjmë me një jetë të pastër dhe të përshpirtshme. Në lidhje me këtë, Kur’ani thotë:


Secilit, që beson e bën vepra të mira, qoftë burrë a grua, kemi për t’i faluar një jetë të pastër dhe kemi për t’ia shpërblyer veprat me gjëra edhe më të bukura. (Kur’an 16:97) 


Edhe njeriu që ka një definicion të qartë mbi botën, mbi njerëzimin dhe mbi Zotin, s’ka dyshim se do të ketë një jetë të përshpirtshme dhe kuptimplote. Ai ka për ta njohur rrugën e drejtë në jetë dhe asgjë në jetën e tij nuk ka për të qenë e kotë. Kur’ani thekson se gjithçka në botën e ekzistencës ka një kuptim.


Qiejt e tokën dhe gjithë ç’është mes tyre s’i kemi krijuar ndryshe, veçse me të vërtetën e për një kohë të caktuar. (Kur’an 46:3) 


Edhe në lidhje me njeriun, Kur’ani thotë se nuk është krijuar së koti por me një qëllim të caktuar.


Mos menduat vallë se ju krijuam së koti dhe se nuk do të ktheheshit tek Ne? (Kur’an 23:115) 


Gjithçka është krijuar me të vërtetën dhe me një qëllim e funksion të caktuar. Kuptimi i ekzistencës, pra, është një parakusht për përshpirtshmërinë e ekzistencës. Fillimisht duhet të besojmë se gjithçka është krijuar me një qëllim të caktuar dhe se në botë nuk ka asgjë të pakuptimtë. Vetëm pas kësaj  mund të flasim për një besim në shpirtëroren.


Një qenie, ekzistenca e të cilës nuk ka kuptim, nuk mund të jetë e përshpirtshme. Njeriu duhet fillimisht të shohë se ekziston kuptimi dhe vetëm pastaj mund të merret me aspektet shpirtërore të qenies. Ky është një realitet shumë i rëndësishëm, që është shqyrtuar hollësisht nga Kur’ani dhe nga hadithet. Sipas mësimit islam, Zoti është e vërteta dhe nëpërmjet urtisë së Tij, ka krijuar gjithçka me të vërtetën dhe me urtësinë. Asgjë nuk ka ardhur në ekzistencë pa një qëllim.


Kur ta zbulojmë kuptimin që fshihet në krijimin e gjërave, s’ka dyshim se besimi ynë në një të Vërtetë absolute do të jetë shumë më i thellë. Ne e dimë dhe besojmë se Zoti nuk ka krijuar ndonjë gjë pa arsye. Andaj, kur të duam të flasim për njeriun si një qenie e përshpirtshme, duhet fillimisht që ta pranojmë si kuptimplote gjithë botën e ekzistencës, në të cilën përfshihet edhe njeriu. Në këtë kontekst, është gjithashtu me rëndësi që edhe njohuritë e njeriut të jenë të sakta. Shumë njerëz nuk kanë njohuri të mjaftueshme dhe ndosh shpesh që thjesht ta gënjejnë vetveten me një jetë sipërfaqësore, materiale dhe të përqëndruar në përfitime, duke u larguar kështu nga rruga e drejtë.


Gjatë historisë ka pasur shumë njerëz të tillë, të cilët gjatë gjithë jetës së tyre kanë patur një botëkuptim shumë të kufizuar dhe sipërfaqësor e nuk e kanë njohur realitetin e ekzistencës. Ata nuk e kanë përjetuar thellësinë e jetës njerëzore dhe kanë patur një jetë pa qëllime. Kur njeriu të jetojë me idenë se ekzistenca nuk ka kuptim, jeta e përshpirtshme është e pamundur.3  


1: Kur t’i kem fryrë nga Shpirti Im, ju bini në sexhde para tij! (Kur’an 15:29)
2: ...dhe ia mësoi Ademit emrat të tërë. (Kur’an 2:31)
3: Për një njeri të tillë, pakuptimësia (absurdi) është shpesh kuptimi i jetës. Megjithatë, duhet të theksohet se ky qëndrim nuk i fal njeriut kurrfarë qëllimi. 

publikuar më: 13.12.2013

Lexoni gjithashtu..

13.01.2017 Pershpirtshmëria: (Pjesa XIV): Nevoja për shpirtëroren në botën bashkëkohore
26.11.2016 Pershpirtshmëria: Përshpirtshmëria (pjesa XIII): shpallja dhe intelekti si kritere për të përshpirtshmen
29.04.2016 Pershpirtshmëria: Shpallja hyjnore si burim i përshpirtshmërisë së mirëfilltë
01.08.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa XI (Mëkati si një pengesë në zhvillimin shpirtëror)
27.03.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa X (Ndikimet e arsyes dhe të relativizmit në rrugëtimin shpirtëror)
06.02.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa IX (Përshpirtshmëria, arsyeja dhe përgjegjësia shoqërore)
11.07.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa VIII (Lidhja ndërmjet arsyes dhe përshpirtshmërisë)
16.05.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa VII (Burimi fetar i përshpirtshmërisë)
10.01.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa IV (Manifestimet e Zotit në botën e qenies)
29.11.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa II (Kriza shpirtërore e botës moderne)
01.11.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa I (Definicioni i përshpirtshmërisë)

Kthehu