Pershpirtshmëria
Pjesa VII (Burimi fetar i përshpirtshmërisë)
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Në ligjëratën tonë të kaluar thamë se përshpirtshmëria paraqet njërën nga prirjet më të rëndësishme të njeriut. Si të gjitha prirjet e tjera të brendshme dhe natyrore tek njeriu, edhe përshpirtshmëria nuk është e kufizuar në një kohë të caktuar dhe ekziston brenda tij gjithnjë. Në këtë kontekst është me rëndësi që kjo prirje të njihet saktë dhe asaj t’i kushtohet kujdesi i nevojshëm. Njeriu duhet të lejojë që kjo prirje të lulëzojë brenda tij dhe pastaj t’i shijojë përparësitë dhe dobitë që sjell. Sikur të gjithë çastet dhe të gjitha fazat e jetës së njeriut të shoqëroheshin nga përshpirtshmëria, marrëdhëniet ndërmjet njerëzve do të ishin krejtësisht të ndryshme. Në një mjedis të tillë, njerëzit do të silleshin shumë më njerëzishëm me njëri-tjetrin dhe do ta stimulonin solidaritetin dhe bashkëpunimin ndërnjerëzor.


Kur të kundrohet me kujdes prirja e njeriut për përshpirtshmërinë, do të vërejmë se ajo ekziston brenda çdo individi dhe ngërthen çdo aspekt të tij. Përshpirtshmëria shfaqet, për shembull, kur njeriu nëpërmjet arsyes së tij, kërkon një burim të përsosurisë absolute. Kur’ani i Shenjtë thotë:


E kur t’i pyesësh: “Kush i krijoi qiejt e tokën dhe kush e vendosi diellin e hënën në shërbimin tuaj?”, ata thonë: “Zoti.” (Kur’an 29:61) 


Përshpirtshmëria përvijohet edhe në prirjen e njeriut për të bukurën. Prirja e njeriut për bukurinë buron nga natyra e tij dhe jo nga shkaqe materiale ose shqisore. Kjo është arsyeja përse njeriu ndien dashuri ndaj bukurisë absolute, gjegjësisht Zotit, dhe ka një prirje të brendshme për të.


Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) thotë: “Zoti i Madhëruar është i bukur dhe e do të bukurën.”1 Edhe Kur’ani thotë:


Vërtet ne krijuam yj në qiej dhe e stolisëm atë për ata që vështrojnë. (Kur’an 15:16) 


Shumë shpesh, këto prirje shpërfillën ose ndoten nga tundimet djallëzore dhe, siç mund të pritet, kanë ndikime krejt të ndryshme mbi njeriun. Kur të jetë kështu, ka të ngjarë që njeriu t’i perceptojë si të bukura edhe gjërat krejt të pahijshme dhe të shëmtuara, duke u bërë i pabindur ndaj Zotit. Lidhur me këtë ka shumë vargje kur’anore, siç janë vargjet në vijim:


...dhe djalli bëri që t’u dukeshin të bukura bëmat e tyre. (Kur’an 16:63)


Atyre që nuk besojnë u duket tërheqëse jeta e kësaj bote. (Kur’an 2:212) 


Kur’ani thotë gjithashtu:


Atëherë djalli bëri që t’u dukeshin të bukura veprat e tyre e u tha: “Sot asnjeri nuk mund t’ju nënshtrojë dhe unë jam ndihmësi juaj.” (Kur’an 8:48) 


Vargjet e mësipërme dhe shumë vargje të ngjashme me to tregojnë se gjatë historisë së feve, prirja për të përshpirtshmen ka ekzistuar gjithnjë. Arsyen dhe burimin e kësaj prirjeje e kemi shpjeguar më parë dhe kemi thënë se ajo është e ndërlidhur me nevojën shpirtërore të njeriut për të adhuruar e për të pasur një fe. Të gjitha këto gjëra, bashkë me prirjen për shpirtëroren, kanë ekzistuar përherë brenda njeriut.


Ajo që më shumti e përforcon përshpirtshmërinë brenda njeriut është përpjekja kundër të qenit i paarsyeshëm dhe i pavëmendshëm. Për njeriun, dhe veçanërisht për njeriun që e ka shijuar njohjen (marife), përjetimet në këtë botë, qofshin të këndshme a të hidhura, të lumtura ose të pikëllueshme, përfitime ose humbje, shijime ose dhimbje, suksese ose dështime, janë mësime tejet të dobishme. Ndaj Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) thotë: “Sa pak merr mësim njeriu, ndonëse ka aq shumë gjëra për të marrë mësim.” Njerëzit që pasurohen e varfërohen, konfliktet, fatkeqësitë, pleqëria e vdekja, të gjitha mund të shërbejnë si paralajmërime për njeriun dhe ta stimulojnë përshpirtshmërinë e tij.


Megjithëkëtë, përshpirtshmëria është njohur në botën islame si një karakteristikë e mësimit moral dhe gnostik. Ndaj edhe të gjitha shkoqitjet dhe trajtesat në lidhje me përshpirtshmërinë janë përpiluar në këtë kontekst. Kjo është arsyeja përse orientalistët perëndimore e kanë kërkuar “përshpirtshmërinë islame” pikërisht në lëmin e gnosës dhe shumë pak i kanë patur parasysh Kur’anin dhe hadithet. Por kur të thellohemi në studimin e mësimit fetar, do të shohim se përshpirtshmëria shfaqet shumë natyrshëm edhe në këtë sferë. Kjo sepse përshpirtshmëria dhe principet e saj kanë gjithnjë një themel fetar, gjegjësisht besimin në botën e të fshehtës, në arsyeshmërinë e krijimit, në vullnetin e lirë, në ligjet natyrore, në principin e veprimit e të kundërveprimit, në aftësinë e njeriut për t’u lartësuar e për të rënë poshtë dhe në besimin se të gjitha bëmat e njeriut vëzhgohen nga Zoti.


Pa qenë këto principe, përshpirtshmëria e humb stabilitetin e vet. Është tejet e qartë se këto principe kanë një aspekt fetar dhe gjenden në të gjithë mësimet monoteiste, aq sa mund të thuhet se radhiten në mesin e porosive më themelore të fesë. Pra nuk mund të ekzistojë një përshpirtshmëri e mirëfilltë, pa u mbështetur në besimin dhe pa e ndjekur mësimin fetar. Përshpirtshmërinë e vërtetë duhet ta kërkojmë në mësimin e të Dërguarit të Zotit (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij). Gjithçka jofetare që përkufizohet si përshpirtshmëri, në të vërtetë devijon nga përshpirtshmëria e mirëfilltë. Në raste të tilla shohim se nocioni i përshpirtshmërisë tematizohet në shoqëritë njerëzore, vetëm për arsye se këto shoqëri nuk janë të afta krejtësisht ta shpërfillin atë burim të vërtetë hyjnor të njeriut. Si pasojë, ato përpiqen të merren me përshpirtshmërinë dhe të gjejnë strehë në të, pa u mbështetur fare në fenë dhe mësimin e profetëve hyjnorë. 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!


 


1: Kulejni, El-Kafi, v.6, f.438 

publikuar më: 16.05.2014

Lexoni gjithashtu..

13.01.2017 Pershpirtshmëria: (Pjesa XIV): Nevoja për shpirtëroren në botën bashkëkohore
26.11.2016 Pershpirtshmëria: Përshpirtshmëria (pjesa XIII): shpallja dhe intelekti si kritere për të përshpirtshmen
29.04.2016 Pershpirtshmëria: Shpallja hyjnore si burim i përshpirtshmërisë së mirëfilltë
01.08.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa XI (Mëkati si një pengesë në zhvillimin shpirtëror)
27.03.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa X (Ndikimet e arsyes dhe të relativizmit në rrugëtimin shpirtëror)
06.02.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa IX (Përshpirtshmëria, arsyeja dhe përgjegjësia shoqërore)
11.07.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa VIII (Lidhja ndërmjet arsyes dhe përshpirtshmërisë)
10.01.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa IV (Manifestimet e Zotit në botën e qenies)
13.12.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa III (Kuptimi i ekzistencës)
29.11.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa II (Kriza shpirtërore e botës moderne)
01.11.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa I (Definicioni i përshpirtshmërisë)

Kthehu