Pershpirtshmëria
(Pjesa XIV): Nevoja për shpirtëroren në botën bashkëkohore
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Ajo që është me rëndësi në përshpirtshmërinë fetare dhe islame, është e vërteta, pra hakikati. Sipas këtij definicioni, i përshpirtshëm është ai që hapëron në rrugën drejt të vërtetës dhe që nuk i ndahet të vërtetës në asnjë çast, duke iu afruar kështu të Vërtetës Absolute, që nuk është tjetër veçse Zoti. Përkundër kësaj, duhet të shohim se cili është qëllimi në mistikën jofetare dhe në mistikën “sekulare”.


Për ta qartësuar këtë temë, do të ishte me vend që të merremi me aspektet e ndryshme të përshpirtshmërisë. Para se të gjithash, vlen të theksohet se njeriu i sotëm, për cilëndo arsye qoftë, është duke iu kthyer përshpirtshmërisë. Ajo që i është ofruar njeriut modern në sferën e mendimit dhe në aspektin praktik nuk ka arritur t’i plotësojë nevojat e vërteta të tij. Ndonëse njerëzimi shpenzoi një kohë të gjatë me shkolla të ndryshme mendimi, ai nuk mundi ta gjente rrugën drejt shpëtimit, ashtu siç premtonin krijuesit e ideologjive të tilla. Kjo është arsyeja përse njerëzimi bashkëkohor gjendet në kërkim e sipër të një të vërtete dhe të asaj që është “e humbura” e tij.


Kur të kihet parasysh prirja e natyrshme e njeriut për shpirtëroren, është e natyrshme shfaqja e manifestimeve të ndryshme të përshpirtshmërisë bashkëkohore, të cilat kanë nisur të zënë vend gjithë më të madh në përditshmërinë tonë. Sot mund të shihet një lëvizje ndërkombëtare, e cila është e etur për shpirtëroren. Kjo lëvizje mund të jetë një rezultat i filozofëve bashkëkohorë, të cilët bënë ç’mos për ta shpjeguar dhe interpretuar civilizimin njerëzor nëpërmjet ideologjive materialiste.


Si pasojë, njerëzimi tashmë është fundosur në punët e kësaj bote dhe atij i është mohuar fuqia për të bërë analiza të mirëfillta, aq sa pyetjet e ndërlidhura me Zotin, ringjalljen, jetën pas vdekjes dhe urdhrat fetarë nuk përfshihen aspak në mesin e çështjeve për të cilat përsiatet njerëzimi i sotëm. Fatkeqësisht, mjegullnaja e paditurisë, e mbuluar me maskën e humanizmit është vendosur tashmë mbi këtë qëndrim fetar. Si rezultat i kësaj, shohim se njerëzimi i sotëm është duke përjetuar një etje të madhe për përshpirtshmërinë, e cila e krijon këtë lëvizje të kërkuesve të shpirtërores. Kjo kërkesë për shpirtëroren është aq e madhe dhe e fuqishme, sa Miltoni, njëri nga hulumtuesit më të rëndësishëm në fushën e sociologjisë së lëvizjeve të reja fetare, shkruan:


Më se 2000 grupe me prirje shpirtërore janë krijuar në Amerikë dhe në Evropë, prej të cilave vetëm një pjesë e vogël shfaqin ngjashmëri me njëra-tjetrën. Kështu, pas dyzet vjetësh, më se 4000 grupe mistike dhe shpirtërore janë shfaqur në botën perëndimore, të cilat përfshijnë një gamë të gjerë mësimesh, që nga fetë abrahamike e deri tek përdorimi i drogës dhe marrëdhëniet e lira e të shfrenuara seksuale. Gjithçka që i shërben qëllimit të këtyre lëvizjeve konsiderohet si diçka shpirtërore, aq sa përshpirtshmëria, në kulturën e sotme moderne dhe post-moderne, nuk është tjetër veçse një mohim dhe refuzim i principeve dhe i normave të jetës bashkëkohore dhe materialiste.


Në mesin e shkollave shpirtërore mund të numërohen lëvizjet neo-spiritualiste. Në këtë lloj përshpirtshmërie, përpjekja dhe përqendrimi kryesor është që të durohet status quo-ja dhe të mund të përballohet jeta, në të cilën edhe ashtu nuk kemi kurrfarë fuqie për t’i ndryshuar realitetet e hidhura, si varfëria ose padrejtësia dhe për t’i çuar drejt një gjendjeje më të mirë. Në këtë gjendje, sipas këtyre mësimeve, ne së paku mund ta ndryshojmë brendinë tonë dhe qëndrimin tonë ndaj gjërave, në mënyrë që këto të liga të mund t’i shohim me një sy të ri dhe t’i konsiderojmë më të durueshme. Sipas kësaj pikëpamjeje, nëpërmjet ndryshimit të brendisë sonë, ne e rrisim kufirin e durueshmërisë brenda nesh dhe, si rrjedhojë, jeta bëhet më pak problematike dhe më e durueshme.


Si pasojë e një qëndrimi të tillë, jo vetëm që nuk arrijnë të lulëzojnë cilësitë pozitive te njeriu, por edhe krijohet një lloj dobësie shpirtërore, e cila reflektohet në dinjitetin dhe në lirinë e njeriut. Në çështjen e padrejtësisë, ky qëndrim çon drejt pranimit të heshtur nga ana e njeriut, me ç’rast ai më nuk reagon karshi padrejtësisë. Në disa raste madje, padrejtësia arsyetohet, siç është rasti me mësimin e ri fetar Falun Gong, të shfaqur në Kinë, sipas të cilit, një njeri që përballet me padrejtësi është vetë përgjegjës për këtë, sepse në të kaluarën duhet të ketë kryer vetë ndonjë padrejtësi të ngjashme. Duke u mbështetur në këtë, padrejtësia dhe vuajtja e shkaktuar njeriut arsyetohen. Nuk ka dyshim se mësimet e tilla, jo vetëm që nuk i falin një dinjitet njeriut, por e pakësojnë respektin e tij për vetveten, madhështinë e tij dhe bujarinë. Një shoqëri që motivohet nga një mësim i tillë nuk mund të ketë kurrfarë prirjeje për ndryshim dhe zhvillim. Pikërisht kjo çon më pas drejt shfrytëzimit të njerëzve dhe rritje të padrejtësisë, sepse askush në shoqëri nuk bën thirrje për drejtësi dhe reforma, si dhe nuk e kërkon të drejtën e vete të shkelur.


Një pikëpamje e tillë mbi përshpirtshmërinë nuk ka për ta çuar njeriun drejt lumturisë në këtë botë e në tjetrën dhe as drejt kënaqësisë më të vogël shpirtërore. Rrugëtimit të tij shpirtëror, njeriu duhet t’i japë një drejtim të caktuar duke u mbështetur në nevojat e veta të natyrshme, në mënyrë që njeriu ta gjejë dashurinë dhe paqen e mirëfilltë në këtë botë, si dhe parajsën në botën tjetër.


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!   

publikuar më: 13.01.2017

Lexoni gjithashtu..

26.11.2016 Pershpirtshmëria: Përshpirtshmëria (pjesa XIII): shpallja dhe intelekti si kritere për të përshpirtshmen
29.04.2016 Pershpirtshmëria: Shpallja hyjnore si burim i përshpirtshmërisë së mirëfilltë
01.08.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa XI (Mëkati si një pengesë në zhvillimin shpirtëror)
27.03.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa X (Ndikimet e arsyes dhe të relativizmit në rrugëtimin shpirtëror)
06.02.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa IX (Përshpirtshmëria, arsyeja dhe përgjegjësia shoqërore)
11.07.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa VIII (Lidhja ndërmjet arsyes dhe përshpirtshmërisë)
16.05.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa VII (Burimi fetar i përshpirtshmërisë)
10.01.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa IV (Manifestimet e Zotit në botën e qenies)
13.12.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa III (Kuptimi i ekzistencës)
29.11.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa II (Kriza shpirtërore e botës moderne)
01.11.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa I (Definicioni i përshpirtshmërisë)

Kthehu