Pershpirtshmëria
Pjesa II (Kriza shpirtërore e botës moderne)
Ajetollah Dr. Riza Ramazani

Përshpirtshmëria: kriza shpirtërore e botës moderne by librariadielli


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Përshpirtshmëria është një fenomen, të cilit i është kushtuar mjaft vëmendje që nga fillimi i historisë njerëzore. Rryma të reja shpirtërore janë shfaqur vazhdimisht, qoftë në lindje ose në perëndim. Vetë kjo mjafton si një dëshmues i nevojës për përshpirtshmërinë dhe për paqen shpirtërore. Edhe ata njerëz që janë të dëshpëruar e në depresion ose që përballen me vuajtje shpirtërore, përpiqen ta arrijnë këtë paqe të brendshme duke u përpjekur të hapërojnë rrugës së përshpirtshmërisë.


Gjendja shpirtërore e psikike e njerëzimit dhe prirja e tij e fuqishme drejt gjërave jomateriale është aq e dukshme, sa autori i shquar francez, André Malraux1, thotë se shekulli njëzet e një, ose do të jetë shekulli i përshpirtshmërisë ose nuk do të ekzistojë fare. Disa mendimtarë e kanë pasur bindjen se jetesa shpirtërore nuk duhet domosdo të mbështetet në një njërën nga fetë e mëdha e të lashta të botës dhe se çdo grup ose sekt, nëpërmjet botëkuptimeve të tija, është në gjendje t’i falë njeriut një ndjenjë prehjeje të brendshme dhe kështu të japë një kontribut në përshpirtshmërinë e botës së sotme.


Sipas kësaj teorie, edhe rrymat e reja sataniste mund të përfshihen në mesin e shkollave shpirtërore.2 Këto qëndrime duhet të shqyrtohen pak më thellësisht, për të kuptuar në bëhet fjalë për përshpirtshmëri të mirëfilltë ose vetëm për disa prirja jo të vërteta.


Sido që të jetë, është e sigurt se njeriu i kohës sonë, si pasojë e përkushtimit ndaj gjërave materiale, nuk ka arritur ta gjejë paqen. Edhe të pasurit dhe të fuqishmit e shoqërisë e ndiejnë këtë gjë. Madje shumë shpesh, të tillët e ndiejnë atë shumë më fuqishëm se të varfërit dhe të dobëtit.


Ata që robërohen nga dëshirat dhe që, në veten e tyre e në shoqëri, krijojnë nevoja të gënjeshtërta, kurrë nuk kanë për të qenë të kënaqur me suksesin e vet material. Ata nuk kanë për të patur prehje shpirtërore edhe sikur të gjenden në postet më të larta e t’i arrijnë kulmet e pushtetit. Njerëzit e tillë vetëm sa e krijojnë iluzionin se me arritjen e pushtetit e të pasurisë mund të arrihet edhe prehja e brendshme shpirtërore.


Sot duhet të merremi me pyetjen se si mund t’i falet njeriut një ndjenjë e mirëfilltë sigurie dhe paqeje. Pasuria, fuqia dhe madje edhe vetë dituria mund të jenë një kërcënim për njeriun, për sa kohë që nuk janë të orientuara drejt Zotit. Njeriu duhet t’i rikthehet identitetit të tij të vërtetë dhe ta zbulojë margaritarin e ekzistencës së tij të mirëfilltë, duke i trajtësuar sipas kësaj edhe marrëdhëniet e tija me botën përreth, në mënyrë që të arrijë stabilitet intelektual dhe moral. 


1: Mir Ahmedreza Hoxh’xhati, Epoka e Imam Khomeinit, botimi i dhjetë, fq.84
2: Mustafa Malikian, Një rrugë drejt lirisë, fq.376; André Malraux (1901-1976) ishte autor francez, teoricient i artit dhe ministri i parë francez për çështjet e kulturës. Është i njohur për pikëpamjet e tija mbi artin dhe mbi dimensionin shpirtëror të tij.  

publikuar më: 29.11.2013

Lexoni gjithashtu..

13.01.2017 Pershpirtshmëria: (Pjesa XIV): Nevoja për shpirtëroren në botën bashkëkohore
26.11.2016 Pershpirtshmëria: Përshpirtshmëria (pjesa XIII): shpallja dhe intelekti si kritere për të përshpirtshmen
29.04.2016 Pershpirtshmëria: Shpallja hyjnore si burim i përshpirtshmërisë së mirëfilltë
01.08.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa XI (Mëkati si një pengesë në zhvillimin shpirtëror)
27.03.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa X (Ndikimet e arsyes dhe të relativizmit në rrugëtimin shpirtëror)
06.02.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa IX (Përshpirtshmëria, arsyeja dhe përgjegjësia shoqërore)
11.07.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa VIII (Lidhja ndërmjet arsyes dhe përshpirtshmërisë)
16.05.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa VII (Burimi fetar i përshpirtshmërisë)
10.01.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa IV (Manifestimet e Zotit në botën e qenies)
13.12.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa III (Kuptimi i ekzistencës)
01.11.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa I (Definicioni i përshpirtshmërisë)

Kthehu