Pershpirtshmëria
Pjesa XI (Mëkati si një pengesë në zhvillimin shpirtëror)
Ajetollah Dr. Riza Ramazani

 


Njohja e pengesave në rrugën e zhvillimit të përshpirtshmërisë është një nga nevojat më të padiskutueshme. Në ligjëratën tonë të kaluar e përmendëm pengesën më të rëndësishme në zhvillimin përshpirtshmërisë, që është besimi i mangët në botën e të padukshmes (arab. alem el-ghajb) dhe shpjeguam se mohimi (arab. kufr) buron nga injoranca, padituria, përgënjështrimi, dyshimi dhe skepticizmi lidhur me këtë botë sipërore. Më pas, thamë se njohja e cilësive të duhura të përshpirtshmërisë së mirëfilltë, siç është morali, është mënyra më e përsosur për t’i tejkaluar këto pengesa dhe, njëherit, edhe mënyra që i mundëson njeriut të arrijë dituri dhe njohje (arab. marife).


Si një pengesë tjetër të rëndësishme mund ta numërojmë mëkatin dhe mosbindjen karshi Zotit. Ata që nuk u përmbahen urdhrave dhe ligjeve të përndritura të fesë, detyrimeve, ndalesave, veprave të këshillueshme e të papëlqyeshme që radhiten mes tyre, në të vërtetë, vetëm sa e kanë humbur kornizën e duhur për ta arritur njohjen e virtytit dhe largimin nga të ligat, duke bërë që të largohen nga rruga e përshpirtshmërisë dhe ta humbin dritën e botës shpirtërore. Mëkati i ngjan një çmontimi, një shkëputjeje të pjesëve jetike të një gjëje, dhe nënkupton largim nga rruga e ligjeve të natyrshme dhe të lindura të shpirtit njerëzor. Copë pas cope, mëkati e shkatërron rrugën e udhëzimit të njeriut dhe gjithë më tepër e dobëson marrëdhënien e tij me Zotin dhe me botën e padukshme (alem el-ghajb), duke e bërë individin t’i mohojë shenjat hyjnore dhe të tallet me to. Zoti thotë:


Dhe i ligë ishte fundi i atyre që vepruan me të liga, sepse i mohuan shenjat e Zotit dhe u tallën me to. (Kur’an, 30:10) 


Hapërimi i mëtejmë në këtë rrugë e çon njeriun drejt devijimit të vazhdueshëm nga rruga e drejtë dhe drejt një hutie edhe më të madhe, aq sa arrin në një pozitë, ku e liga i duket e mirë.


A mund të jetë i njejtë ai që beson me një dëshmi të qartë nga Zoti i tij, me një tjetër, të cilit iu zbukurua e liga që bën dhe që u bindet dëshirave të veta? (Kur’an, 47:14) 


Për shkak të këtij devijimit, veprat e mira duken të liga, ndërsa të ligat si të mira. Në raste të tilla, përshpirtshmëria e njeriut është ballë për ballë me një kërcënim shumë serioz, sepse mëkati është një pengesë e madhe në zhvillimin shpirtëror të individit, i cili ia heq njeriut çdo vlerë dhe e largon atë nga rruga e të drejtës dhe e të vërtetës.


Kur të shqyrtohen me vëmendje pasojat dhe ndikimet e mëkatit në shkallë të ndryshme, pa dyshim do të arrihet në përfundimin se mëkati përbën një pengesë të rëndësishme në përshpirtshmërinë e besimit njerëzor. Kjo është e vërtetë madje edhe në shqyrtimin sipërfaqësor të këtij fenomeni, ku ndikimet e mëkatit janë të mjaftueshme për t’i dhënë një goditje vdekjeprurëse zhvillimit shpirtëror të njeriut. Kjo gjendje mund të dallohet qartësisht tek tiparet si frika, shqetësimet dhe shtypjet e brendshme, hutia, zemërimi, përçarja dhe refuzimi i marrëdhënies së afërt me Zotin. Edhe sikur vetëm njëri prej këtyre ndikimeve të mëkatit të shfaqet në jetën e njeriut, ai do të mjaftonte për të shkatërruar gjithçka brenda tij. Në të vërtetë, nëpërmjet mëkatit, shpirti i brishtë njerëzor arrin në një shkallë shkatërrimi dhe shpërbërjeje, me ç’rast shfaqet ndjesia e pakuptimësisë dhe e humbjes së identitetit. Nëse kjo gjendje bëhet e vazhdueshme, njeriu heq dorë dalngadalë nga jeta e tij ose nis të merret me vepra të padrejta dhe zullumqare.


Ndonëse mënyrat për ta luftuar mëkatin nuk janë tema e diskutimit tonë të sotëm, për të përmbledhur, mund të themi se njeriu mund të krijojë një kështjellë të fuqishme për ta luftuar mëkatin dhe ta përforcojë brenda vetes lëvizjen drejt përshpirtshmërisë. Për këtë gjë, ai duhet të ketë një marrëdhënie më të fuqishme me lutjet (duatë), të përpiqet për ta përforcuar besimin, vullnetin dhe bindjen e tij, t’i bëjë të lulëzojnë prirjet e tija të brendshme shpirtërore, t’i përkushtohet përsiatjes (meditimit), të kthehet drejt Zotit me pendim, të kujdeset për gjendjen e unit (nefsit) të tij, t’i marrë nën sundim dëshirat dhe me kuptimin e plotë të fjalës, të njësohet me Kur’anin e shenjtë, duke e recituar atë me vëmendje dhe vetëdije. 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!  

publikuar më: 01.08.2015

Lexoni gjithashtu..

13.01.2017 Pershpirtshmëria: (Pjesa XIV): Nevoja për shpirtëroren në botën bashkëkohore
26.11.2016 Pershpirtshmëria: Përshpirtshmëria (pjesa XIII): shpallja dhe intelekti si kritere për të përshpirtshmen
29.04.2016 Pershpirtshmëria: Shpallja hyjnore si burim i përshpirtshmërisë së mirëfilltë
27.03.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa X (Ndikimet e arsyes dhe të relativizmit në rrugëtimin shpirtëror)
06.02.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa IX (Përshpirtshmëria, arsyeja dhe përgjegjësia shoqërore)
11.07.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa VIII (Lidhja ndërmjet arsyes dhe përshpirtshmërisë)
16.05.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa VII (Burimi fetar i përshpirtshmërisë)
18.04.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa VI (Prirja e njeriut për shpirtëroren)
07.03.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa V (Përshpirtshmëria dhe adhurimet)
10.01.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa IV (Manifestimet e Zotit në botën e qenies)
13.12.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa III (Kuptimi i ekzistencës)
29.11.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa II (Kriza shpirtërore e botës moderne)
01.11.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa I (Definicioni i përshpirtshmërisë)

Kthehu