Pershpirtshmëria
Pjesa I (Definicioni i përshpirtshmërisë)
Ajetollah Dr. Riza Ramazani

Përshpirtshmëria: pjesa e parë by librariadielli


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Përshpirtshmëria është një temë e rëndësishme në Islam. Ndonëse edhe fetë dhe botëkuptimet e tjera janë marrë gjerësisht me këtë temë, duhet të pranojmë se përshpirtshmëria e vërtetë mund të gjendet vetëm tek fetë monoteiste. Ajo që fetë e tjera nënkuptojnë me fjalën përshpirtshmëri, është vetëm një imazh përshpirtshmërie dhe jo e vërteta që fshihet pas këtij imazhi. Përshpirtshmëria, njësoj si drejtësia, liria dhe arsyeja, është një tipar i rëndësishëm i Islamit. Andaj, të gjithë mësimet islame duhet të kundrohen nga pikëpamja shpirtërore.


Përshpirtshmëria ka të bëjë me jomaterialen, gjegjësisht me atë që nuk mund të perceptohet nga shqisat. Në persisht (fjalimi mbahet në gjuhën perse, përkth.), fjala “përshpirtshmëri” (manevijjat) është definuar si ajo që është e qenësishme, absolute dhe e vërtetë. Edhe aftësitë e brendshme të shpirtit të njeriut janë quajtur “përshpirtshmëri” (manevijjat). Ndërsa në përdorimin e tij të përditshëm, fjala “përshpirtshmëri” lë të kuptohet se jetës njerëzore i është falur shpirti. Çdo njeri, për shkak të aftësive të tija të natyrshme dhe shpirtërore, është i prirë drejt njohurisë, dashurisë, paqes, përparimit dhe mirësisë. Ai ndjehet mirë vetëm aty ku ekzistojnë kushtet për arritjen e këtyre gjërave. Por nëse këto dëshira dhe prirje të vërteta të njeriut shpërfillen, atij do t’i mohohen rrafshet shpirtërore të jetës.


Duhet të theksojmë se njeriu, nëse dëshiron të ketë një drejtim të caktuar në jetën e tij, duhet t’i kultivojë këto aspekte, sepse përndryshe nuk ka për ta zbuluar të vërtetën. Prirjet shpirtërore të njeriut duhet të ruhen me kujdes, sepse vetëm kështu, njeriu mund t’u afrohet qëllimeve të krijimit të tij dhe t’u falë një kuptim të gjitha përpjekjeve të tija në jetë. Vetëm kështu, njeriu mund të jetë i sigurt se jeta e tij i është përkushtuar qëllimit për të cilin është krijuar. 


Mesnevi-në e tij, Mevlana Rumiu e shpreh këtë të vërtetë:


Mos ngre shtëpinë në tokë të të tjerëve dhe me punën tënde merru, jo me punët e të tjerëve! Edhe trupi i larë me parfume, nuk i shpëton kundërmimit në ditë të vdekjes. Jo trupin, por zemrën me parfume lyeje! Dhe, ah, ç’është parfumi vallë? Veç emri i Zotit Madhëruar!


Munafiku lyen trupin me parfume e shpirtin në gropë të hirit hedh. Me emrin e Zotit mbi gjuhë, shëtit, e në shpirt me erën e mëkatit. Kur Zotin lëvdon, është njësoj si bima që mbin në gropën e hirit. Është si trëndafili që mbin në nevojtore. I gabuar është atje vendi i trëndafilit, që në sofër të miqve duhet të jetë. E mira u vjen të mirëve, ki kujdes, dhe e liga veç të ligëve.


Mos ji urryes, se varret e urryesve pranë urryesve të tjerë hapen. Zjarri është vendi i urrejtjes dhe pjesë e zjarrit edhe urrejtja jote është. Urrejtja është armik i besimit. Pjesë e zjarrit je, ki kujdes, se pjesa i kthehet tërësisë një ditë! E hidhura të hidhurave u shtohet. Si pret atëherë të bashkohet e vërteta me gënjeshtër?


Vëlla, ti s’je ndryshe veçse si është mendimi yt. Të tjerat veç kocka e damarë janë. Në qoftë trëndafil mendimi yt, ti kopsht trëndafilash je! E në qoftë gjemb mendimi yt, bëhesh dru për stufën. Në je ujë trëndafili, mbi kokë e mbi zemra do të lyhesh. E në qofsh urinë, veç do të hidhesh diku. 


Dëshira e njeriut të përshpirtshëm është që të merret me “unin sipëror”, ta njohë atë dhe t’i shmanget një jete përplot dyshime dhe iluzione. Ai dëshiron të ketë një jetë të arsyeshme, me qëllime të lartësuara dhe me një rrugë shpirtërore. Pasioni dhe vendosmëria e çojnë përpara njeriun në këtë rrugë dhe ai nuk trembet nga asnjë vështirësi. Njeriu i përshpirtshëm e konsideron një mision të vetin që ta njohë vetveten, ta njohë realitetin e tij dhe ta orientojë jetën sipas asaj, për të cilën Zoti i tij e ka krijuar.


Vargjet kur’anore dhe hadithet tregojnë se një njeri i përshpirtshëm është ai, i cili nuk e kufizon jetën tek ajo që është natyrore dhe materiale, por që këto aspekte të qenies së tij i sheh vetëm si mjete për ta arritur aspektin e vërtete të jetës, gjegjësisht dimensionin e brendshëm shpirtëror të saj. Njeriu i përshpirtshëm i shërben të vërtetës gjithë jetën e tij, me qëllim që ta arrijë atë. Ai gjithnjë përpiqet t’i shpëtojë egoizmit dhe iluzioneve.


 

publikuar më: 01.11.2013

Lexoni gjithashtu..

13.01.2017 Pershpirtshmëria: (Pjesa XIV): Nevoja për shpirtëroren në botën bashkëkohore
26.11.2016 Pershpirtshmëria: Përshpirtshmëria (pjesa XIII): shpallja dhe intelekti si kritere për të përshpirtshmen
29.04.2016 Pershpirtshmëria: Shpallja hyjnore si burim i përshpirtshmërisë së mirëfilltë
01.08.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa XI (Mëkati si një pengesë në zhvillimin shpirtëror)
27.03.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa X (Ndikimet e arsyes dhe të relativizmit në rrugëtimin shpirtëror)
06.02.2015 Pershpirtshmëria: Pjesa IX (Përshpirtshmëria, arsyeja dhe përgjegjësia shoqërore)
11.07.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa VIII (Lidhja ndërmjet arsyes dhe përshpirtshmërisë)
16.05.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa VII (Burimi fetar i përshpirtshmërisë)
10.01.2014 Pershpirtshmëria: Pjesa IV (Manifestimet e Zotit në botën e qenies)
13.12.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa III (Kuptimi i ekzistencës)
29.11.2013 Pershpirtshmëria: Pjesa II (Kriza shpirtërore e botës moderne)

Kthehu