Islami dhe liria
Një kritikë e këndvështrimit liberalist
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!


Koncepti i lirisë është trajtuar në mënyra të ndryshme dhe çdo shkollë e mendimit e ka prezantuar veten si përkrahëse të mendimit të lirë. Këtu është me rëndësi të vërehet se vetë koncepti i lirisë është definuar në mënyra të ndryshme, sepse vetë njeriu mund të analizohet nga këndvështrime që dallojnë nga njëri-tjetri. Kush e sheh çështjen nga këndvështrimi materialist, për shembull, edhe lirinë e definon sipas kësaj.  Por nëse ky këndvështrim është shpirtëror, atëherë do të pranojmë domosdo se realiteti i njeriut ka të bëjë me shpirtin e tij dhe se materia nuk është tjetër veçse një mjet që çon drejt qëllimit, pra drejt të vërtetës. Në këtë rast, edhe koncepti i lirisë fiton një kuptim tjetër. Me sa duket, të gjithë diskutimet në lidhje me lirinë njerëzore kanë të bëjnë me këta dy këndvështrime. Njeriu duhet të shohë nga këndvështrimi i duhur, sepse çdo ndryshim mendimi në këtë temë buron pikërisht nga ky këndvështrim themelor.


Parë nga këndvështrimi islam, njeriu është mëkëmbës i Zotit në tokë. Nëpërmjet bindjes, mendimit, etikës dhe sjelljeve të tija, njeriu mund t’i afrohet Zotit dhe ta fitojë këtë pozitë të lartësuar. Kur duam ta definojmë lirinë për një njeri të tillë, duhet që së pari të merremi me gjërat që e pengojnë atë nga arritja e qëllimit të vërtetë të krijimit të tij, gjegjësisht nga arritja e afërsisë me Zotin. Në këtë rast është shumë e natyrshme që pyetja të jetë: cilët janë këto pengesa dhe këta zinxhirë? 


Këtu mund ta kuptojmë edhe arsyen e dallimeve ndërmjet mendimeve të ndryshme mbi lirinë. Njeriu materialist dëshiron ta shohë veten të çliruar nga gjithçka dhe ta eliminojë çdo pengesë që nuk i lejon përmbushjen e dëshirave e të epsheve. Ai dëshiron domosdo ta bëjë atë që i urdhëron epshi. Dhe kur ndjen se nuk ka asgjë që mund ta pengojë nga të bërit e asaj që dëshiron ta bëjë, qoftë ajo e mirë ose e ligë, ai e definon këtë si liri absolute. Një njeri i tillë vetëm sa dëshiron ta lërë të lirë epshin e tij dhe e definon edhe identitetin e tij duke u mbështetur pikërisht në këtë liri, në të cilën asgjë nuk i rri përpara si pengesë. Njerëzit e tillë e mohojnë çdo talent dhe çdo tipar që ua ka falur natyra. Ekzistencializmi ka një pikëpamje të tillë dhe e shpreh mendimin se njeriu duhet të jetë i çliruar nga të gjitha pengesat. Të tillët e shohin lirinë jo si një mjet por si vetë qëllimin e njerëzimit.


Sipas këndvështrimit islam, njeriu është një qenie e e lirë për nga krijimi, qoftë në aspektin e lirisë nga pengesat, qoftë në aspektin e lirisë në të vepruar. Megjithatë, liria që përmendet në Islam dhe në Kur’an dallon thelbësisht nga liria sipas definicionit liberalist. Liria negativiste, sipas Kur’anit, është të qenit i çliruar nga gjërat që e pengojnë përparimin e njeriut, qofshin këto gjëra të brendshme ose të jashtme.


Liberalizmi, në anën tjetër, merret vetëm me pengesat e jashtme dhe i shpërfill krejtësisht ato të brendshmet, si egoja, epshi dhe nxitjet djallëzore. Kur njeriut, si pasojë e prirjeve të tija ideore, nuk i lejohet të jetë i papërgjegjshëm ose indiferent, ai konsiderohet një njeri jo i lirë sipas definicionit liberalist. Por kur të ketë leje për t’i ndjekur epshet e tija, ai është një njeri i lirë dhe nuk duhet të pengohet. Një definicion i tillë i lirisë është larg realitetit, sepse një njeri i tillë kurrë nuk do të jetë i lirë së brendshmi, por thjesht një i burgosur dhe skllav i epsheve të tija.


Islami ofron plane dhe rregulla, të cilat mundësojnë që shpirti i njeriut, që është bërthama e ekzistencës së tij, të çlirohet nga epshet, në mënyrë që të mos jetë një i burgosur i tyre... 


VAZHDON 

publikuar më: 28.06.2013

Lexoni gjithashtu..

22.09.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa V)
11.08.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa IV)
28.07.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa III)
07.07.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa II)
03.02.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit në këndvështrimin islam (pjesa 1)
23.12.2016 Islami dhe liria: Liria sipas mësimit moral dhe gnostik
08.07.2016 Islami dhe liria: Kultura e lirisë në Kuran
02.10.2015 Islami dhe liria: Mbi clirimin e brendshëm dhe dinjitetin njerëzor
17.04.2015 Islami dhe liria: E vërteta si një kriter për lirinë
15.02.2015 Islami dhe liria: Qëllimi dhe kufijtë e lirisë
11.10.2014 Islami dhe liria: A është liria qëllim më vete a një mjet drejt qëllimit?
29.08.2014 Islami dhe liria: Nënshtrimi i dëshirave si një hap drejt lirisë
24.01.2014 Islami dhe liria: Liria e brendshme dhe liria e jashtme
31.08.2013 Islami dhe liria: Definicioni islam i lirisë
10.05.2013 Islami dhe liria: Hyrje në këndvështrimin kuranor
12.04.2013 Islami dhe liria: Liria pozitive dhe liria negative
05.04.2013 Islami dhe liria: Rëndësia e konceptit të lirisë

Kthehu