Islami dhe liria
Hyrje në këndvështrimin kuranor
Ajetollah Dr. Riza Ramazani




Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Shkencëtarët, filozofët, sociologët dhe dijetarët e moralit kanë shprehur mendime dhe qëndrime të ndryshme mbi lirinë. Megjithatë, ngase qëllimi ynë është që ta prezantojmë pozitën islame mbi këtë temë, do të përpiqemi që temën e lirisë ta trajtojmë vetëm nga aspekti islam.


Ndonëse fjala “liri” (arab. hurrijje) nuk është përmendur në Kur’an, kjo temë është trajtuar gjerësisht në vargjet kur’anore. Është shprehur për shembull, se njëri nga qëllimet kryesore të misionit të profetëve është pikërisht arritja e lirisë njerëzore, gjegjësisht çlirimi i njeriut nga zinxhirët e robërisë. Në lidhje me këtë, në vargun e 157-të të kapitullit A’raf thuhet:


Janë ata që i binden Profetit, atij të dërguari, për të cilin gjejnë të shkruar në Teurat e në Inxhil, e që ua urdhëron veprat e mira dhe nga e liga i pengon. Ai ua shpall të lejuara gjërat e dëlira, ndërsa ua ndalon gjërat e papastra, i lehtëson nga barra e tyre e i çliron nga zinxhirët. Janë të shpëtuar ata që e besojnë, që e nderojnë, që e ndihmojnë e që i binden dritës që është zbritur me të. (Kur’an 7:157) 


Në librat e tefsirit është shprehur qartë se çfarë janë këta “zinxhirë” që e pengojnë lirinë njerëzore. Në mesin e tyre mund të rradhiten padituria, pakujdesia, idhujtaria, bestytnitë, dallimet e ndasitë klasore dhe një sërë “zinxhirësh” të jashtëm e të brendshëm. Secili prej tyre krijon një gjendje negative tek njeriu, e cila pastaj pasqyrohet edhe tek shoqëria përreth.


Për të shpëtuar nga këta zinxhirë, njeriu duhet ta trajtojë gjerësisht këtë temë dhe ta kuptojë pikëpamjen e Kur’anit në lidhje me të, për t’i zbuluar mënyrat që i sugjeron ai në lidhje me çlirimin nga këto të liga. Në këtë kontekst është tejet me rëndësi të dihet se Kur’ani, si më i shenjti i shkrimeve të shpallura, temën e lirisë dhe të llojeve të ndryshme të saj i ka trajtuar hollësisht, duke e prezantuar çlirimin nga zinxhirët e robërisë si vetë qëllimin e profetëve.


Sipas Kur’anit, njëri nga tiparet kryesore të një monoteisti (muvahhid) të mirëfilltë është çlirimi nga të gjithë zinxhirët e dëshirave e epsheve egoiste, si dhe çlirimi nga të gjitha prirjet e tija të ulta e të pavlera. Kur’ani thotë se qëllimi i dërgimit të profetëve është pikërisht shpëtimi i njerëzve nga kjo robëri. Kuptohet se janë thënë shumë gjëra në lidhje me shpëtimin nga këta zinxhirë robërues dhe në lidhje me drejtimin që duhet të ndjekë njeriu. Të gjithë këto elemente do të përmenden në këtë varg ligjëratash, kur t’u vijë rradha.


Një tjetër varg i rëndësishëm i Kur’anit, i cili e trajton temën e lirisë njerëzore, është vargu 36 i kapitullit Nahl, i cili thotë:


Vërtet ne çdo populli i dërguam një profet që t’i ftojë ta adhurojnë Zotin dhe të largohen nga djalli...(Kur’an 16:36)

Ky varg tregon se ç’rol të rëndësishëm kanë luajtur profetët gjatë historisë, në çlirimin e njerëzimit nga zullumqarët dhe despotët e ndryshëm. Kur të analizohen me kujdes këto vargje, do të kuptojmë se sipas këndvështrimit kur’anor, njeriu mund ta arrijë lumturinë e të shpëtojë nga zinxhirët e ndryshëm robërues, vetëm nëse i ndjek ligjet hyjnore.


Në ligjëratat e ardhshme të kësaj serie do të shpjegojmë hollësisht se koncepti i robërisë ndaj Zotit nuk bie ndesh me lirinë e mirëfilltë të njeriut por përkundrazi, paraqet një harmoni të plotë me të. Lirinë e denjë për të, njeriu nuk mund ta arrijë ndryshe veçse duke qenë një rob i Zotit. Në të kundërt, njeriu kurrë s’ka për ta arritur lirinë e vërtetë dhe as pozitën e lartësuar të të qenit njeri.


Për ta kuptuar rëndësinë e lirisë në Islam, mjafton të shihen vetëm vargjet e Kur’anit dhe hadithet që përcillen mbi këtë temë. Para se të gjithash, duhet të theksohet se sipas burimeve islame, rrënjët e lirisë janë hyjnore, sepse kur të shihet nga aspekti i krijimit, njeriu është krijuar i lirë. Që të mund ta arrijë përsosurinë, njeriu duhet ta shfrytëzojë këtë bekim të Zotit, që i është falur atij nga krijimi, duke i dhënë vetë kahje jetës së tij dhe duke jetuar me dituri e me vetëdije.


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!

publikuar më: 10.05.2013

Lexoni gjithashtu..

22.09.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa V)
11.08.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa IV)
28.07.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa III)
07.07.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa II)
03.02.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit në këndvështrimin islam (pjesa 1)
23.12.2016 Islami dhe liria: Liria sipas mësimit moral dhe gnostik
08.07.2016 Islami dhe liria: Kultura e lirisë në Kuran
02.10.2015 Islami dhe liria: Mbi clirimin e brendshëm dhe dinjitetin njerëzor
17.04.2015 Islami dhe liria: E vërteta si një kriter për lirinë
15.02.2015 Islami dhe liria: Qëllimi dhe kufijtë e lirisë
11.10.2014 Islami dhe liria: A është liria qëllim më vete a një mjet drejt qëllimit?
29.08.2014 Islami dhe liria: Nënshtrimi i dëshirave si një hap drejt lirisë
24.01.2014 Islami dhe liria: Liria e brendshme dhe liria e jashtme
31.08.2013 Islami dhe liria: Definicioni islam i lirisë
28.06.2013 Islami dhe liria: Një kritikë e këndvështrimit liberalist
12.04.2013 Islami dhe liria: Liria pozitive dhe liria negative
05.04.2013 Islami dhe liria: Rëndësia e konceptit të lirisë

Kthehu