Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Njëra nga pyetjet që parashtrohen në çështjen e lirisë së besimit është edhe pyetja në mund njeriu të zgjedhë vetë se cilat mësime të një feje dëshiron t’i ndjekë dhe cilat jo. Me fjalë të tjera: a mund njeriu, pasi të ketë zgjedhur një fe, t’i pranojë disa prej udhëzimeve të kësaj feje dhe të mos i pranojë të tjerat? Përgjigja, në këtë rast, është tejet e qartë, sepse një qëndrim i tillë karshi mësimeve fetare nuk mund të çojë kurrsesi drejt të vërtetës dhe drejt përmbushjes së qëllimeve të vendosura nga një fe. Kur njeriu e zgjedh një fe të caktuar, kjo nënkupton pranimin se lumturia dhe shpëtimi i tij varen prej këtij mësimi, pavarësisht nëse zotohet t’i pranojë të gjithë udhëzimet ose jo.
Nëse njeriu nuk e pranon një pjesë të mësimeve të fesë, ai ia mohon vetes lumturinë në këtë botë dhe në tjetrën. Njeriu besimtar duhet t’i nënshtrohet mësimit fetar, për vetë faktin se udhëzimet e ngërthyera në të kanë përherë një arsye, të cilën e di Zoti i Madhëruar. Ai e di se këta udhëzime janë në interes të njerëzimit dhe për këtë arsye i ka shpallur, pra që njeriu, duke i praktikuar të njëjtat ta arrijë lumturinë.
Kur’ani thekson se njeriu nuk mund të zgjedhë vetë në mesin e udhëzimeve dhe mësimeve të fesë. Ai thotë:
Ata që e mohojnë Zotin dhe të Dërguarin e Tij duan të bëjnë dallim mes Zotit e të dërguarve të Tij, disa prej tyre i besojnë dhe disa të tjerë jo. Ata duan të ecin një rruge ndërmjet besimit dhe mohimit. (Kur’an, 4:150-151)
Ky varg thekson se nuk ka një rrugë të ndërmjetme mes besimit dhe mohimit. Në këtë kontekst, Islami nuk lejon që një besimtar t’i pranojë disa nga profetët e të mos i pranojë të tjerët. Një musliman duhet t’i besoj të gjithë profetët monoteistë, sepse besimi i mirëfilltë nënkupton besimin në Zotin dhe në porosinë e të gjithë profetëve.
Jobesimtarët dhe pakicat fetare
Lidhur me lirinë e besimit të pakicave fetare dhe të jobesimtarëve vlen të theksohet se Islami, edhe kur e ka pushtetin në duar, nuk ushtron detyrim mbi pakicat fetare dhe mbi praktikën e tyre fetare. Ata vazhdojnë të jetojnë të paprekur si shtetas të shtetit përkatës dhe janë të lejuar, për sa kohë që nuk bien ndesh me ligjin shtetëror, ta praktikojnë besimin e tyre.
Kur’ani thotë:
Zoti nuk ju ndalon të jeni të mirë e të drejtë me ata që nuk ju kanë luftuar për shkak të besimit tuaj e nuk ju kanë dëbuar nga shtëpitë tuaja. Zoti i do të drejtët. (Kur’an, 60:8)
Disa shkoqitës të Kur’anit janë të mendimit se ky varg përbën një rregull të përgjithshme për marrëdhëniet ndërmjet muslimanëve dhe jobesimtarëve. Pra, kur jobesimtarët nuk i dëmtojnë muslimanët dhe nuk thurin plane kundër tyre, duhet të ruhen marrëdhënie miqësore me ta. Por nëse gjendja nuk është e këtillë, atëherë nuk lejohet marrëdhënia miqësore. Edhe në hadithe theksohet se të drejtat e jobesimtarëve dhe të pakicave fetare duhet të ruhen. Ata duhet të trajtohen si njerëzit e tjerë, me të cilët muslimanët nuk janë në gjendje lufte.
Përcillet se Imam Aliu (a.s.) pa një plak një lypës në moshë të thyer teksa lypte rrugëve. Ai u prek shumë me ta parë plakun dhe, pasi dikush i tha se nuk ishte musliman, Imami reagoi: “Pra i kërkuat punë kur ishte i aftë për të punuar e tani e lini krejt vetëm pse nuk mund të punojë më?” Më pas, urdhëroi që të gjithë shpenzimet e tija, deri në vdekje, të paguheshin nga thesari i muslimanëve (ar. bejt el-mall).
Nga vargjet e Kur’anit dhe nga hadithet mund të kuptohet se Islami, në një shtet islamik, përgjithësisht u njeh të drejta jobesimtarëve dhe pakicave fetare, dhe u lejon ta praktikojnë fenë e tyre. Muslimanët janë të obliguar të sillen me mirësi dhe drejtësi ndaj tyre, ndërsa një shtet islam është i detyruar t’ua njohë këto të drejta.
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!