Islami dhe liria
Kultura e lirisë në Kuran
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!


Kultura kur’anore është një kulturë e rritjes dhe e zhvillimit. Kurdoherë që Kur’ani flet për njeriun, ai flet për rrugët të cilat çojnë drejt përmirësimit dhe përsosjes së tij. Liria e njeriut, njësoj si përshpirtshmëria dhe arsyeja e tij, duhen parë e definuar pikërisht nga ky këndvështrim. Me fjalë të tjera, gjithçka duhet të ketë për qëllim afrimin me Zotin dhe kjo gjë duhet të kihet parasysh në të gjitha sferat e jetesës njerëzore.


Për këtë lartësim dhe zhvillim të njeriut, ekzistojnë disa kushte të jashtme e të brendshme, prej të cilave ai është i varur. Për sa kohë që nuk përmbushen këta kushte, njeriu gjithnjë do të përballet me probleme të ndryshme. Kur ta kundrojmë më me kujdes historinë njerëzore, do të shohim se njeriu, në rrugën e tij drejt përsosurisë, gjithnjë është përballur me pengesa të brendshme dhe të jashtme.


Pengesat e brendshme kanë qenë zakonisht prirjet e tija të brendshme, të cilat e kaplojnë atë dhe e skllavërojnë së brendshmi. Pengesat e jashtme janë njerëzit e tjerë oportunistë, të cilët e shfrytëzojnë dhe skllavërojnë njeriun. Përgjatë historisë, shumë njerëz janë diskriminuar për shkak të ngjyrës së lëkurës, kombësisë ose fesë së tyre dhe janë skllavëruar nga pushtetet e kohës, duke pësuar shumë padrejtësi.


Pasi kemi folur mjaft për çështjen e lirisë së brendshme personale, e cila nënkupton çlirimin e njeriut nga zinxhirët e tij të brendshëm, do të ishte me vend që kësaj radhe të flasim pak për lirinë në kuptimin shoqëror. Kjo kërkon që të njihemi më mirë me kuptimin e lirisë sipas këndvështrimeve të ndryshme shkencore dhe akademike.


Një definicion i caktuar është definicioni filozofik i lirisë, sipas të cilit, liria ekziston për sa kohë që ekziston mundësia e zgjedhjes. Në këtë kuptim, njeriu është i lirë sepse ai ka përherë mundësi për të zgjedhur. Ai është krijuar i lirë dhe mundësia për të bërë zgjedhje është në natyrën e tij të lindur. Kjo gjë radhitet në mesin e cilësive ekzistenciale të njeriut. E kundërta e kësaj lirie është detyrimi. Liria, në këtë kuptim, është një realitet i dëshmuar, i cili nuk mund t’i jepet njeriut dhe as t’i merret atij. Asnjë individ, asnjë grup dhe asnjë qeveri nuk ka të drejtë t’ia dhurojë ose t’ia heqë një njeriu këtë liri, e cila është një dhunti dhe bekim i Zotit, i cili të gjithë njerëzve mund t’u jepet vetëm nga Zoti.


Njeriu është një fenomen më vete dhe atij i janë dhuruar shumë mirësi nga Zoti, duke nisur nga të gjitha gjymtyrët e tija dhe shëndeti i tij trupor e deri tek natyra e tij e lindur njerëzore, intelekti, ndjenjat dhe shpirti. Për më tepër, Zoti i ka dhuruar njeriut edhe mjete që do ta çojnë drejt udhëzimit, mes  të cilave radhiten profetët monoteistë, shkrimet hyjnore dhe mëkëmbësit e profetëve, të cilët e përkrahin njeriun, bashkë me arsyen e tij, për t’i gjetur qëllimet e vërteta të jetës.


Edhe liria dhe mundësia e zgjedhjes mund të radhiten në mesin e gjërave që i janë dhuruar njeriut, qoftë mashkull a femër, fëmijë ose i rritur. Ky bekim hyjnor, bashkë me të gjithë bekimet e tjera hyjnore, i shërben qëllimit të përmirësimit e të përsosjes së njeriut. Zgjedhja e profetëve për udhëzimin e njeriut dhe rregullat e qeverisjes, me qëllim edukimin e njeriut, janë të gjitha shenja të kësaj lirie, e cila i është falur njeriut dhe e cila ia jep atij mundësinë për të zgjedhur, për të vepruar ose për të mos e pranuar atë që i ofrohet.


Fati i një njeriu varet nga mënyra si e shfrytëzon lirinë e tij dhe nga pyetja në zgjedh ta zhvillojë e ta lartësojë vetveten ose jo. Parajsa dhe ferri, të cilat janë paralajmëruar nga të gjithë profetët, dëshmojnë për këtë gjë. Sikur njeriu të mos kishte aftësi zgjedhjeje në të gjitha gjërat, parajsa dhe ferri nuk do të kishin kurrfarë kuptimi. Dënimi në ferr i një njeriu për gabimet ose mëkatet, të cilat ai nuk i ka kryer me vullnet të lirë, por nën shtypje, nuk mund të jetë drejtësi. Ndaj nuk ka kurrfarë dyshimi se njeriu është krijuar i lirë dhe se duhet ta shfrytëzojë këtë bekim hyjnor për t’i arritur qëllimet për të cilat është krijuar. 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!

publikuar më: 08.07.2016

Lexoni gjithashtu..

22.09.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa V)
11.08.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa IV)
28.07.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa III)
07.07.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa II)
03.02.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit në këndvështrimin islam (pjesa 1)
23.12.2016 Islami dhe liria: Liria sipas mësimit moral dhe gnostik
02.10.2015 Islami dhe liria: Mbi clirimin e brendshëm dhe dinjitetin njerëzor
17.04.2015 Islami dhe liria: E vërteta si një kriter për lirinë
15.02.2015 Islami dhe liria: Qëllimi dhe kufijtë e lirisë
11.10.2014 Islami dhe liria: A është liria qëllim më vete a një mjet drejt qëllimit?
29.08.2014 Islami dhe liria: Nënshtrimi i dëshirave si një hap drejt lirisë
24.01.2014 Islami dhe liria: Liria e brendshme dhe liria e jashtme
31.08.2013 Islami dhe liria: Definicioni islam i lirisë
28.06.2013 Islami dhe liria: Një kritikë e këndvështrimit liberalist
10.05.2013 Islami dhe liria: Hyrje në këndvështrimin kuranor
12.04.2013 Islami dhe liria: Liria pozitive dhe liria negative
05.04.2013 Islami dhe liria: Rëndësia e konceptit të lirisë

Kthehu