Liria e brendshme dhe liria e jashtme by librariadielli
Në lidhje me njeriun, Kur’ani i Shenjtë e përmend edhe lirinë e brendshme edhe të jashtmen. Ai thekson se njeriu duhet ta arrijë lirinë në të dy aspektet. Megjithatë, duhet kuptuar se është liria e brendshme ajo që mundëson arritjen e lirisë së jashtme. Pikërisht në lidhje me këtë temë duam të përmendim disa gjëra në ligjëratën tonë të sotme. Kur’ani thotë:
Thuaj: “O popull i Librit! Ejani drejt një fjale që është e përbashkët mes nesh, që të mos adhurojmë tjetër veç Zotit, të mos i gjejmë Atij të barabartë dhe të mos e shohim si zot njëri-tjetrin, krahas Zotit. (Kur’an 3:64)
Ky varg i çmueshëm thekson se njeriu është një qenie e lirë dhe se askush nuk guxon t’i bëjë të tjerët shërbetorë ose robër të vetvetes. Vargu thotë gjithashtu se njerëzit janë të lirë karshi njëri-tjetrit dhe se vetëm Zotit duhet t’i drejtohen në lutjet e tyre. Me fjalinë “të mos e shohim si zot njëri-tjetrin”, Zoti e përmend për herë të tretë në këtë varg principin e monoteizmit, duke e theksuar faktin se asnjë njeri tjetër nuk mund të adhurohet ose të konsiderohet krijues.1
O njerëz! Adhurojeni Zoti tuaj, i cili ju krijoi ju dhe ata para jush, që të mund të jeni nga ata që ruhen (nga e liga)! (Kur’an 2:21)
Fakti se asnjë njeri nuk ka të drejtë ta shfrytëzojë një tjetër si rob ose si shërbetor të vetin, duke i kërkuar bindje absolute, është një gjë tejet e rëndësishme dhe theksohet nga Kur’ani shumë qartë. Vetë ata që janë zgjedhur nga Zoti për t’i udhëzuar njerëzit, nuk kanë një të drejtë të tillë:
Nuk i shkon për shtati një njeriu, të cilit Zoti ia ka falur Librin, urtësinë e profetësinë, të thotë: “Lëreni Zotin dhe bëhuni robër të mi!” (Kur’an 3:79)
Kur të kundrohet me kujdes, ky varg thotë qartë se njeriu nuk guxon ta adhurojë askënd tjetër veç Zotit, sepse askush tjetër veç Tij nuk e meriton këtë adhurim. Ky adhurim nuk i sjell kurrfarë dobie vetë Zotit. Përkundrazi, ai i mundëson njeriut që ta gjejë identitetin e tij të vërtetë dhe të afrohet me Zotin.
Liria e jashtme është nga llojet më të rëndësishme të lirisë, drejt të cilës fton edhe Zoti dhe e cila vlen për të gjithnjë njerëzit. Asnjë njeri nuk i lejohet që t’i ftojë të tjerët ta adhurojnë atë ose të jenë shërbetorë të tij. Siç thotë edhe Imam Aliu (paqja qoftë mbi të): “Mos u bëj rob i tjetër njeriu, sepse Zoti të ka krijuar të lirë.”2
Siç thamë, Kur’ani flet edhe për lirinë e brendshme edhe për atë të jashtmen, ndërsa ofron edhe rrugë të ndryshme për t’i arritur këta dy lloje të lirisë, në mënyrë që njeriu ta njohë të vërtetën dhe pastaj, duke u mbështetur në një arsye të drejtë, ta zgjedhë rrugën e tij. Kur’ani thotë:
Ne do t’ua tregojmë shenjat Tona në horizonte e në veten e tyre, që të kuptojnë se kjo është e Vërteta. (Kur’an 41:53)
Ky varg flet për rrugët që çojnë si drejt të vërtetës së brendshme, ashtu edhe drejt të jashtmes, dhe që i mundësojnë njeriut ta arrijë të vërtetën. Fatkeqësisht, disa njerëz nuk i shfrytëzojnë mjetet që u janë dhënë dhe dhuntitë e falura nga Zoti. Ata i mbulojnë me një perde aftësitë e tyre të perceptimit dhe ia mohojnë vetes mundësinë për ta kuptuar të vërtetën. Në lidhje me ta, Kur’ani thotë:
Vërtet u kemi vendosur pranga në qafë, që u vijnë deri tek mjekra, andaj i sheh kryelartë. Kemi ngritur mure para e pas tyre dhe i kemi mbështjellur nga çdo anë, andaj nuk shohin. (Kur’an 36:8-9)
Njeriu i vendos vetes pengesa të ndryshme, qoftë në botën e tij të jashtme dhe qoftë në të brendshmen, ndonëse e ka mundësinë për t’i eliminuar problemet, për ta arritur lirinë e brendshme e të jashtme dhe për ta arritur çdo gjë që e sjell më pranë lumturisë së vërtetë. Disa njerëz e prangosin vetveten, kurrë nuk përqëndrohen tek gjërat thelbësore dhe kështu ia pengojnë vetvetes përparimin. Ata vetë ia pengojnë vetes rrugën drejt besimit, njohjes dhe sigurisë.
Thamë se ka shumë vargje që flasin për lirinë e brendshme dhe të jashtme, prej të cilave njeriu mund të mësojë shumë gjëra. Një prej tyre është edhe vargu vijues:
A e ke parë atë, që dëshirat e veta i quan Zot? (Kur’an 25:43)
Ky varg tregon se disa njerëz janë aq të dorëzuar para dëshirave të tyre e aq të bindur atyre, sa mund të thuhet se ato i adhurojnë në vend të Zotit. Ata bëhen robër të prirjeve e të dëshirave të veta dhe e parapëlqejnë bindjen ndaj tyre karshi bindjes ndaj Zotit. S’ka dyshim se kjo shkakton që njeriu ta humbë identitetin e tij të vërtetë. Kjo është arsyeja përse Kur’ani thekson me ngulm se njeriu duhet të shpëtojë nga tundimet e unit (nefsit) të tij. Janë pikërisht këto tundime që e robërojnë njeriun në gjëra të poshtra dhe i japin atij guxim për t’i kryer edhe veprat më të liga. Andaj, Kur’ani e përmend unin (nefsin) njerëzor si faktorin më të rëndësishëm që e çon njeriun drejt gjërave të ulta e të pavlera. Ai thotë:
...sepse uni (nefsi) urdhëron të ligën...(Kur’an 12:53)
Për ta marrë nën kontroll unin, është me rëndësi që njeriu të jetë i vëmendshëm karshi vetvetes dhe të gjejë mënyra për t’i nënshtruar dëshirat. Në këtë kontekst, është e pashmangshme që njeriu t’i njohë cilësitë e veta të brendshme e të jetë i vetëdijshëm për to. Përndryshe, ai nuk mund ta arrijë përndritjen e brendshme. Në hadithe përcillet si vijon: “Dituria më e nevojshme është ajo që të udhëzon drejt asaj që është e mirë për zemrën tënde dhe që të tregon se çfarë e prish atë.”3
Kur’ani i Shenjtë thotë se është pikërisht ndjekja e dëshirave dhe e unit, që e çon njeriun drejt humbjes së lirisë së brendshme dhe të jashtme. Pikërisht kjo ndjekje e bën njeriun të verbër e të shurdhër, duke i mbuluar me një perde aftësitë e tija të të kuptuarit.
Pas gjërave që u thanë më sipër, bëhet e qartë se sa ndryshe përpunohet kjo temë në Kur’an dhe në shkollat e mendimit liberalist. Këto të fundit lejojnë që gjërat, të cilat mbështeten në dëshira e në epshe, të bëhen ligje, kur shumica e njerëzve pajtohen me këtë gjë. Përkundër kësaj, Kur’ani thotë se njeriu bëhet moralisht i shthurur nëse nuk i merr nën kontroll këto dëshira dhe epshe. Nëse ndodh që këto epshe dhe dëshira të unit të dominojnë tek njeriu, gjithçka do të bëhet e lejuar dhe ai nuk ka për të patur drojë para asnjë krimi e veprimi të ligë. Kjo sjell vetëm anarki dhe pamundëson që të vendoset rendi në shoqëri, ndërsa e gjitha bëhet vetëm e vetëm për të mundësuar një liri absolute personale. Një gjë e tillë e pengon çdo lloj rritjeje, kultivimi e zhvillimi të dinjitetit njerëzor dhe pikërisht ky është kërcënimi më i madh që i kanoset njerëzimit.
1: Ajetollah Makarem Shirazi, Tefsiri “Nemuneh” , vëll.2, fq.449
2: Nehxh’ul-Belaga, letra 31
3: Gurer’ul-Hikem ve durer’ul-kalam, fq.215