Islami dhe liria
Nënshtrimi i dëshirave si një hap drejt lirisë
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni drojë para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Kur’ani i Shenjtë e thekson edhe lirinë e brendshme edhe të jashtmen. Ai ofron metoda të ndryshme për t’i arritur të dy llojet lirisë, në mënyrë që njeriu t’i njohë të vërtetat dhe nëpërmjet një të kuptuari të saktë, ta zgjedhë rrugën e tij në jetë.


Do t’ua tregojmë shenjat Tona në horizonte e në veten e tyre, që të kuptojnë se kjo është e vërteta. (Kur’an, 41:53) 


Ky varg flet për rrugët që çojnë drejt lirisë së jashtme dhe të brendshme e që i mundësojnë njerut ta gjejë të vërtetën. Megjithatë, disa njerëz nuk i shfrytëzojnë mjetet dhe dhuntitë hyjnore që u ofrohen. Aftësinë e perceptimit ata e mbulojnë me një perde dhe ia mohojnë vetes mundësinë për ta gjetur të vërtetën. Lidhur me këtë, Kur’ani thotë:


Dhe u kemi vendosur rreth qafës pranga që u vijnë deri tek nofullat, andaj i sheh kryelartë. Dhe kemi vendosur një mur para tyre e një mur pas tyre, i kemi kapluar nga çdo anë e nuk shohin. (Kur’an, 36:8-9) 


Është vetë njeriu që i vendos vetes pengesa, qoftë në aspektin e brendshëm ose të jashtëm, ndonëse është i aftë t’i largojë pengesat krejtësisht e të fitojë njohuri për gjithçka që do ta afronte me lumturinë e vërtetë. Por disa njerëz e prangosin vetveten, nuk përqëndrohen tek e qenësishmja dhe ia pengojnë vetvetes përparimin. Ata ia pengojnë vetes rrugën drejt besimit, njohjes dhe sigurisë.


Në ligjëratat e kaluara kemi thënë se Kur’ani ka vargje të caktuara, të cilat flasin edhe për lirinë e brendshme edhe për të jashtmen. Kur të shqyrtohen hollësisht këta dy lloje të vargjeve, njeriu mund të zbulojë shumë gjëra brenda tyre. Në mesin e këtyre vargjeve është edhe vargu vijues:


A e pe atë që dëshirat e tija i merr për zot? (Kur’an, 25:43) 


Ky varg tregon se disa njerëz janë aq të dhënë pas dëshirave të tyre, sa mund të thuhet se i adhurojnë ato në vend të Zotit. Ata bëhen skllevër të dëshirave të veta dhe bindjes ndaj tyre i kushtojnë më shumë rëndësi sesa bindjes ndaj Zotit. S’ka dyshim se kjo ka për të shkaktuar që njeriu ta humbë krejtësisht identitetin e vet. Ja përse Kur’ani thekson se njeriu duhet të çlirohet nga dëshirat e tija, të cilat e çojnë atë drejt gjërave të ulta dhe pastaj ia hapin rrugës kryerjen së krimeve edhe më të liga. Andaj, Kur’ani i cilëson dëshirat e njeriut, të përmbledhur nën termin “nefs”, si arsyen përse njeriu u drejtohet gjërave të liga. Andaj thotë:


Dhe nefsi urdhëron të ligën. (Kur’an, 12:53) 


Për ta marrë nën kontroll nefsin është me rëndësi që njeriu të jetë i vëmendshëm karshi atij dhe të gjejë rrugë për ta nënshtruar atë. Për këtë është me rëndësi që njeriu t’i njohë cilësitë e veta të brendshme dhe të jetë i vetëdijshëm për to. Pa i njohur cilësitë e veta të brendshme, njeriu nuk mund të përndritet. Në një hadith thuhet: “Dituria më e nevojshme është ajo që ta tregon rrugën drejt asaj që është e mirë për zemrën dhe t’i mëson gjërat që e prishin atë.”1


Ndaj Kur’ani i Shenjtë thotë se ndjekja e dëshirave është faktori që e pengon njeriun nga arritja e lirisë së brendshme dhe të jashtme. Dëshirat e bëjnë njeriun të verbër e të shurdhër dhe ia mbulojnë atij aftësitë e perceptimit.


Tani që kemi thënë shumë gjëra lidhur me lirinë e brendshme dhe të jashtme, bëhet e qartë se sa ndryshe trajtohet kjo temë në kulturën islame dhe në botëkuptimin liberal. Kjo e fundit lejon që gjithçka që mbështetet në dëshirat njerëzore të kthehet në një ligj, për sa kohë që me këtë pajtohet shumica. Përkundër kësaj, Kur’ani thotë se nëse njeriu nuk i merr nën kontroll dëshirat, do të bëhet moralisht i shthurrur. Kur këto dëshira ta nënshtrojnë njeriun, ai do ta konsiderojë gjithçka të lejuar dhe nuk do të përmbahet edhe karshi kufizimeve të ligjit. Kjo sjell vetëm anarki dhe bën që shoqëria të mos ketë kurrfarë kufizimi, ndërkohë që e gjithë kjo bëhet me qëllimin e vetëm që të sigurohet liria absolute e individit. Kështu vetëm sa ka për t’u penguar çdo lloj rritjeje, përparimi dhe zhvillimi në sferën e dinjitetit njerëzor. Pikërisht ky është rreziku më i madh që i kanoset njerëzimit. 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi ju!


 


1: Gurer’ul hikem ve durer’ul kalam, fq.215

publikuar më: 29.08.2014

Lexoni gjithashtu..

22.09.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa V)
11.08.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa IV)
28.07.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa III)
07.07.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit nga këndvështrimi islam (pjesa II)
03.02.2017 Islami dhe liria: Liria e mendimit në këndvështrimin islam (pjesa 1)
23.12.2016 Islami dhe liria: Liria sipas mësimit moral dhe gnostik
08.07.2016 Islami dhe liria: Kultura e lirisë në Kuran
02.10.2015 Islami dhe liria: Mbi clirimin e brendshëm dhe dinjitetin njerëzor
17.04.2015 Islami dhe liria: E vërteta si një kriter për lirinë
15.02.2015 Islami dhe liria: Qëllimi dhe kufijtë e lirisë
11.10.2014 Islami dhe liria: A është liria qëllim më vete a një mjet drejt qëllimit?
24.01.2014 Islami dhe liria: Liria e brendshme dhe liria e jashtme
31.08.2013 Islami dhe liria: Definicioni islam i lirisë
28.06.2013 Islami dhe liria: Një kritikë e këndvështrimit liberalist
10.05.2013 Islami dhe liria: Hyrje në këndvështrimin kuranor
12.04.2013 Islami dhe liria: Liria pozitive dhe liria negative
05.04.2013 Islami dhe liria: Rëndësia e konceptit të lirisë

Kthehu