Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Ligjet, udhëzimet dhe planet e Kur’anit të Shenjtë e të mësimit islam në përgjithësi kanë të bëjnë me mirëqenie dhe interesin e individit por edhe të shoqërisë. Kur ta shqyrtojmë hollësisht Kur’anin, do të shohim se ai jep udhëzime të shumta lidhur me përparimin dhe zhvillimin e njeriut.
Në anën tjetër shohim se ka udhëzime të qarta, në formë të urdhrave dhe ndalesave, të cilat e ndalojnë atë që është e ligë. Mendimi liberalist, i cili thotë se njeriut i lejohet çdo veprim për sa kohë që nuk i dëmton njerëzit e tjerë, është i gabuar. Njeriu, sipas Islamit, nuk guxon të kryejë as veprime të cilat e dëmtojnë atë vetë.
Ligji islam lejon gjithçka që është në shërbim të përsosjes dhe lumturisë së njeriut. Gjithçka që nuk i shërben këtij qëllimi (dhe që e pengon arritjen e tij) është e ndaluar. Islami nuk i lejon një besimtari ta kënaqë çdo dëshirë të veten ashtu si të dojë. Siç thotë edhe dëshmori Ajetollah Morteza Mutahhari: “Lirinë e njeriut nuk e kufizojnë vetëm liritë dhe të drejtat e të tjerëve, por edhe mirëqenia e vetë atij.”[1]
Kur’ani nuk e miraton çdo vendim dhe veprim të lirë të njeriut. Ai e lejon vetëm atë që është në interes të tij:
A thua do ta përgënjeshtronit e do ta vrisnit me mendjemadhësi çdo profet që do t’u sillte porosi që nuk ju pëlqejnë? (Kur’an 2:87)
Ky varg flet se besimtarët duhet të jenë të bindur ndaj urdhrave hyjnorë, edhe kur vetë të mos pajtohen me këta udhezime e të mos u pëlqejnë ato. Një besimtar nuk guxon të jetë mendjemadh karshi udhëzimit hyjnor.
Njerëzit e mirë dhe të sinqertë ndiejnë përgjegjësi edhe ndaj shoqërive të tyre dhe i ftojnë të tjerët drejt të mirës, duke u përpjekur për t’i larguar nga e liga. Sipas Kur’anit, të tillët përbëjnë një shoqëri të përsosur dhe janë populli më i mirë. Ndjesia e përgjegjësisë dhe vetëdija e tyre i bën të tillët që t’i përmbushin përgjegjësitë individuale dhe shoqërore. Kur’ani thotë:
Ju jeni populli më i mirë i sjellur mes njerëzve. E urdhëroni të mirën, e pengoni të ligën dhe besoni në Zotin. (Kur’an, 3:110)
Kur’ani i jep një rëndësi të madhe udhëzimit të njerëzve. Prirjet e njeriut duhet të lulëzojnë e të zhvillohen në kontekstin e përsosjes së tij dhe të arritjes së lumturisë së vërtetë. Qëllimi i lirisë është që t’i mundësojë njeriut zhvillimin e talenteve të tija dhe nuk nënkupton se njeriu mund të bëjë çdo gjë që ka dëshirë.
As edhe kafshët nuk tepërojnë kur bëhet fjalë për kënaqjen e instinkteve dhe prirjeve të brendshme dhe u përmbahen rregullave të caktuara. Njeriu, i cili, për dallim nga kafshët, posedon intelekt dhe ka aftësi për të menduar në mënyrë racionale, duhet të përpiqet për t’i mbajtur nën kontroll dëshirat e tija.
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!