Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Njeriu si mëkëmbës i Zotit
Një aspek tejet i rëndësishëm në aktin e krijimit të njeriut të parë, i cili nuk duhet të lihet pa përmendur, është çështja e mëkëmbësisë (arab. khilafa) së Zotit mbi tokë. Kur’ani thotë:
Dhe kur Zoti yt u tha ëngjëjve: “Kam për të krijuar një mëkëmbës në tokë”, ata thanë: “A do vendosësh atje një që të bëjë trazira e të derdhë gjak, ndonëse ne të lartësojmë e të madhërojmë me lëvdata?” Ai tha: ”Unë vërtet e di atë që ju s’e dini...” Dhe ia mësoi Ademit emrat të tërë... (Kur’an, 2:30-31)
Me fjalën arabe khalife nënkuptohet një mëkëmbës i Zotit, sepse vetë Zoti thotë se po emëron dikënd në tokë, që do të jetë mëkëmbësi i tij. Në këtë kontekst, Zoti e emëron njeriun në këtë pozitë dhe ëngjëjve u kërkohet të jenë të gatshëm për të bërë sexhde para kësaj qenieje. Sikur me fjalën khalife të mos nënkuptohej vërtet një mëkëmbësi e Zotit, atëherë ëngjëjt nuk kishin pse të bënin sexhde para njeriut dhe as pse ta vinin në pyetje vendimin e Zotit duke thënë: “A do vendosësh atje një që të bëjë trazira e të derdhë gjak?”. Sipas kësaj, sikur Zoti të mos ia kishte mësuar njeriut të gjithë Emrat, nuk do ta kishte paraparë atë si mëkëmbësin e Vet. Këtu duhet kuptuar se roli i njeriut si mëkëmbës i Zotit nuk duhet të kuptohet sipërfaqësisht dhe vetëm si një “emërim”. Kjo pozitë është një realitet ontologjik dhe kjo mund të shihet nga vargu “dhe ia mësoi Ademit emrat të tërë.”, si dhe nga urdhri i mëpasëm drejtuar ëngjëjve, që ta nderojnë njeriun.
Ajo që nënkuptohet me “Emrat” është diskutuar hollësisht dhe janë dhënë interpretime të shumta, veçanërisht nga gnostikët dhe filozofët. Megjithatë, ajo që dihet qartë është se vetëm njohja e të tërë Emrave i mundëson një qenieje të jetë mëkëmbëse e Zotit. Kur njeriu t’i pranojë Emrat e Zotit me tërë qenien e tij, ai bëhet një manifestim i këtyre emrave dhe sundues i botës së krijuar. Në këtë mënyrë, ai ka për t’i njohur rrugët e të mirës në këtë botë dhe ka për të ditur si duhet vepruar. Nga vetë kjo mund të kuptohet se këta “Emra” nuk janë thjesht fjalë, të cilave u ngarkohen kuptime të caktuara. Të njohurit e këtyre emrave nuk nënkupton mësimin e tyre përmendësh dhe një gjë e tillë nuk e bën njeriun mëkëmbës të Zotit. Ajo që nënkuptohet dhe kërkohet, është zbulimi i realitetit të gjërave dhe aftësia e lindur e njeriut për t’i njohur gjërat dhe emrat e Zotit. Pikërisht ky është realiteti i pozitës së lartësuar të Ademit (a.s) karshi qenieve të tjera. Pasardhësit e Ademit (a.s), tek të cilët lulëzon kjo njohje potenciale dhe të cilët, nëpërmjet kësaj, bëhen manifestime të Zotit, konsiderohen mëkëmbës të Tij. Kjo pozitë është e paarritshme për një njeri tjetër, pavarësisht se cilët janë principet, mendimet dhe bindjet e tija. Kjo pozitë mund të arrihet vetëm nga ata që e arrijnë afërsinë e Zotit dhe që bëhen robër të vërtetë të Tij.
Mëkëmbësia e Zotit ka shkallë dhe kategori të ndryshme, të cilat çdo njeri mund t’i arrijë në përshtatshmëri me kapacitetet e veta. Për nga përgjegjësitë që ngërthen, të qenit mëkëmbës i Zotit dallon nga të qenit mëkëmbës i një personi zyrtar, edhe atë në një pikë tejet të rëndësishme. Një mëkëmbës i rëndomtë zakonisht e merr përsipër përgjegjësinë kur përgjegjësi i vërtetë mungon. Për dallim prej kësaj, Zoti kurrë nuk mungon dhe është i gjithëpranishëm, në një mënyrë që nuk lejon as të paramendohet mungesa e Tij. Të qenit mëkëmbës i Zotit nënkupton të vepruarit me vullnetin e Zotit dhe të qenit një manifestim i emrave të Tij. Kjo pozitë nënkupton njohjen dhe zotërimin e realiteteve të botës. Fuqia, e cila i përcillet kështu njeriut, nuk është tjetër veçse një formë e manifestimit të fuqisë së Zotit. Ja përse njeriu është qenia më e lartësuar e Zotit dhe përse qenia e tij duhet të nderohet dhe madhërohet edhe nga bota ëngjëllore. Çdo njeri duhet ta njohë pozitën dhe vlerën e tij, si dhe t’i shfrytëzojë kapacitetet dhe talentet që ka.
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qoftë mbi ju!