Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Natyra njerëzore është një degë e antropologjisë, me hulumtimin e të cilës janë marrë shumë mendimtarë.1 Disa janë të mendimit se substanca dhe natyra e vërtetë e njeriut nuk mund të definohet, ndërsa disa të tjerë mendojnë se kjo ndryshon nga një njeri tek tjetri. Në këtë kontekst, me substancë dhe qenie nënkuptohet ajo që është e veçantë për njeriun dhe që nuk është e përbashkët ndërmjet tij dhe kafshëve. Këtu parashtrohet edhe pyetja se si është krijuar specia njerëzore. A është njeriu i aftë për të fituar njohuri e për të perceptuar dhe a posedon ai prirje dhe aftësi që e lartësojnë shumë përtej botës së kafshëve?
Tipari i parë dallues i njeriut dhe ajo që që e dallon atë nga bota shtazarake është fakti se prirjet, perceptimet dhe aftësitë e tjera të tij janë shumë përtej atyre të kafshëve. Njeriu mund të bëjë abstraksione, të arrijë në përfundime logjike dhe ta kërkojë përjetësinë. Kafshët vërtet posedojnë një nivel të caktuar vetëdijeje, por kjo kurrë nuk mund ta tejkalojë vetëdijen njerëzore për nga llojllojshmëria dhe niveli. Për shembull, teknologjia dhe dituria janë diçka e veçantë për njeriun.
Një tjetër cilësi e veçantë e njeriut është fakti se natyra e tij njerëzore nuk është diçka që fitohet më pas, por është e lindur. Këtë natyrë njerëzore ne nuk e fitojmë më pas, nuk e mësojmë nëpërmjet arsimimit dhe nuk mund të ndikojmë mbi të nëpërmjet faktorëve të jashtëm e shoqërorë. Kjo natyrë njerëzore është e pranishme tek çdo njeri, me ç’rast dallon vetëm intensiteti dhe niveli i saj. Përveç kësaj, natyra njerëzore nuk është e përkohshme. Ajo e përbën identitetin e vazhdueshëm dhe themelin e ekzistencës njerëzore, prej të cilës nuk mund të shkëputet. Kjo veçanti e prirjeve, e perceptimit dhe e aftësive njerëzore është e pranishme tek çdo njeri, siç do të qartësojmë edhe në vijim.
Njeriu posedon një sistem të caktuar perceptimi, nëpërmjet të cilit ai i krahason gjërat e perceptuara dhe vjen në përfundime. Pasi të ketë krijuar në mendjen e tij një imazh të objektit në fjalë, njeriu i kupton gjërat më saktësisht, për shembull e di se një vlerë e vendosur më lartë në një shkallë metrike është më e madhe se një vlerë që është më poshtë në këtë shkallë. Për këtë, njeriu nuk ka nevojë për dëshmi shtesë, sepse gjërat e tilla janë të vetëkuptueshme.
Të gjithë njerëzit kanë prirje që janë më të lartësuara se ato të botës shtazarake. Njerëzit kërkojnë diturinë, të vërtetën, përsosurinë, bukurinë, përjetësinë dhe adhurimin. Të gjitha këto janë shembuj të prirjeve të brendshme, të cilat janë pjesë përbërëse e natyrës njerëzore. Përveç këtyre, njeriut ka edhe aftësi të tjera të lindura, si: mësimi i gjuhës dhe komunikimi nëpërmjet fjalëve. Ekzistojnë vargje kur’anore, të cilat i përpunojnë këto prirje, perceptime dhe aftësi të njeriut. Një varg që merret me aftësinë e lindur të njeriut për t’i kuptuar gjërat, është vargu vijues i Kur’anit:
Dhe ia frymëzoi atij aftësinë për ta njohur të mirën e të ligën...(Kur’an 92:8)
Kjo aftësi ekziston tek të gjithë njerëzit dhe nuk ka as edhe një njeri të vetëm, i cili, për shembull, gënjeshtrën e konsideron të mirë dhe të vërtetën të keqe. Kjo njohuri e shoqëron njeriun që nga fëmijëria dhe është e pranishme në natyrën e tij. Ai e di se mirësia është një gjë e mirë dhe se ligësia është e ligë. Kushdo që sheh brenda vetes së tij, e zbulon këtë të vërtetë dhe është i vetëvetëdijshëm.
Në këtë kontekst, duhet të përmendet gjithashtu se njeriu është i vetëdijshëm për disa gjëra të caktuara. Ai është i vetëdijshëm për veten e tij dhe për cilësitë e vetes, ai e percepton veten e tij dhe e kupton atë. Kjo njohuri është e rëndësishme dhe nuk është shpërfillur nga feja. Nga Kur’ani dhe nga hadithet e besueshme mund të mësojmë shumë gjërat në lidhje me njeriun. Njeriu është i aftë për t’i njohur saktësisht talentet dhe kapacitetet e tija dhe për t’u përpjekur për pasurimin e tyre.
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!
1: Paskali është i bindur se metodat konvencionale nuk mund të na japin njohuri në lidhje me njeriun dhe se feja e përfaqëson rrugën e vetme të njohjes së njeriut. (S. Ernst Cassirer, Filozofia dhe kultura, fq.34-36) Përveç tij, edhe filozofë si Friedrich Hegel, S. Leslie Stevenson e të tjerë janë marrë me këtë temë.