Njeriu në Kur′an
Krijimi i njeriut
Ajetollah Dr. Riza Ramazani

Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!


Çështja e njeriut është një nga ato tema që e kanë tërhequr vëmendjen e të gjithëve dhe në veçanti, të mendimtarëve. Ngase është me rëndësi që kjo çështje të analizohet me të gjithë dimensionet e veta, fetë e shpallura janë marrë hollësisht me analizën e saj. Kur’ani i Shenjtë, siç do të tregojë edhe diskutimi ynë, e ka trajtuar këtë temë në një mënyrë shumë të veçantë dhe universale.


Duhet theksuar se përgjatë historisë njerëzore, duke vazhduar deri në ditën e sotme, janë propozuar mënyra të ndryshme për ta njohur njeriun. Disa e kanë zgjedhur metodën empirike dhe, duke i përfshirë edhe mësimet shpirtërore, e kanë krijuar antropologjinë, si një shkencë për ta njohur njeriun. Disa të tjerë, ndërkaq, në rrugën gnostike dhe në rrugën e vetënjohjes e kanë gjetur çelësin e njohjes së njeriut. Përfaqësuesit e këtij mendimi besojnë se njeriu vetëm nëpërmjet përpjekjes shpirtërore mund t’i njohë aspektet e ndryshme të vetes së tij. Ky është këndvështrimi gnostik.


Një grup tjetër e ka kundruar njeriun nga këndvështrimi filozofik dhe e ka fituar bindjen se njohja e njeriut mund të arrihet vetëm nëpërmjet mendimit dhe arsyes. Ky është këndvështrimi filozofik.


Por të tjerët, të cilët idetë e tyre mbi njeriun i krijojnë duke u mbështetur në Shkrimet dhe në Shpalljet hyjnore, e ndjekinë metodën fetare të definimit e të njohjes së njeriut. Por kur themi “metoda fetare”, nënkuptojmë në formë shumë të përgjithësuar metodat e pranuara nga feja, në mesin e të cilave mund të përfshihen edhe shumë elemente racionalë dhe empirikë, për sa kohë që këta janë të vërtetë e nuk ekziston ndonjë dyshim për vlefshmërinë e tyre.


Në këtë kuptim, edhe metoda empirike dhe racionale mund të cilësohen si përbërës të metodës fetare. Megjithatë, në diskutimin tonë në lidhje me njeriun, në dashtë Zoti, do të përqëndrohemi në burimin kryesor të fesë islame, gjegjësisht në Kur’anin e Shenjtë. Sipas nevojës, do të citojmë edhe nga tefsirët e besueshëm e të njohur të Kur’anit.


Krijimi i njeriut


Është e qartë se ne njerëzit nuk kemi ekzistuar gjithnjë. Ne jemi krijuar në një pikë të caktuar në kohë, jemi shumuar dhe kemi krijuar gjenerata të vazhdueshme. Paraardhës i kemi nënat dhe etërit tanë, ndërsa ne jemi pasardhës të gjeneratave të kaluara. Nga vargjet e Kur’anit mund të kuptohet se gjenerata e parë njerëzore e ka zanafillën tek Ademi (paqja qoftë mbi të), i cili u krijua nga dheu. Në lidhje me mënyrën e këtij krijimi është diskutuar shumë, dhe këtu nuk do të merremi më tej me këtë temë, duke parë se ajo që shprehet nga hulumtimet shkencore, mund ta rrisë dukshëm njohurinë tonë mbi të.


Këtu do të merremi më tepër me pozitën e njeriut në krijim, me kapacitetet e me talentet e tija dhe me detyrimet e ndryshme, duke u përpjekur t’i njohim këto nëpërmjet fakteve të qarta, në mënyrë që të mund ta shfrytëzojmë jetën tonë për ta arritur ekzistencën e mirëfilltë njerëzore. Mbase pikërisht këto diskutime, të cilat na mundësojnë të çojmë një jetë më të mirë, janë më të dobishme se shumë të tjera. Ne duhet të dimë se çfarë qëllimi ka patur Zoti i Madhëruar gjatë krijimit të botës e të njeriut. Njeriu duhet t’i njohë saktësisht këto qëllime, që të mund ta shfrytëzojë më së miri jetesën e tij, që është një lëvizje përpara e pa kthim. Këto diskutime merren me njohuri, të cilat janë këshilluar për të gjithë ne, sepse flasin pikërisht për jetën e mirëfilltë dhe për mënyrën si mund të arrihet ajo.


Të mjaftohemi, për momentin, me idenë se njerëzimi filloi me Ademin (paqja qoftë mbi të):


O njerëz! Kinie droje Zotin tuaj, që ju krijoi nga një shpirt i vetëm dhe prej të njejtit e krijoi edhe bashkëshorten e tij, e pastaj prej tyre bëri shunë burra e gra...(Kur’an 4:1)


...që e nisi krijimin e njeriut nga balta dhe i bëri pasardhësit e tij nga një ujë i pavlerë...(Kur’an 32:7-8)


Pra ky varg thotë se krijimi i njeriut filloi nga balta, ndërsa krijimi i gjeneratave të ndryshme të pasardhësve të tij, nga një “ujë i pavlerë”. Kur njeriu t’i kombinojë këto informata me gjërat që vijnë nga vargjet e tjera, vijmë në përfundimin se Ademi (paqja qoftë mbi të), si njeriu i parë, u krijua nga balta, ndërsa gjeneratat e tjera buruan prej tij. Në një varg tjetër përmenden Ademi dhe Havvaja, si babai dhe nëna e gjithë njerëzimit:


O bijtë e Ademit! Mos lejoni t’ju mashtrojë djalli, ashtu siç i nxori nga parajsa prindërit tuaj...(Kur’an 7:27)


Një pikë tjetër interesante është fakti se Kur’ani e përmend krijimin e Ademit edhe në kontekstin e lindjes së mrekullueshme të Profetit Isa (paqja qoftë mbi të), për të qartësuar se ekziston mundësia e një krijimi të tillë nëpërmjet vullnetit të Zotit:


Vërtet, shembulli i Isës, tek Zoti, është njësoj si shembulli i Ademit. Atë e pati krijuar nga dheu dhe pastaj vetëm i tha “bëhu!” dhe ai u bë...(Kur’an 3:59)


Në analizat historike dhe në Traditën e Profetit përcillet se të krishterët e Nexhranit dërguan një delegacion drejt Medines, për negociata me Profetin (paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij). Mes tjerash, ata e pyetën se kush ishte babai i Musës. Ai tha se ishte Imrani. Pastaj e pyetën për babain e vet dhe ai u përgjigj: “Është Abdullahu”. Kur e pyetën për babain e Isës, ai u ndal për një çast dhe më pas iu shpall vargu i mësipërm.


Të krishterët thonin se Isa (pqmt) nuk kishte një baba njerëzor dhe, si pasojë, duhet të pranohej si biri i Zotit. Vargu i mësipërm u shpall në këtë kontekst, ndërsa Profeti i pyeti të krishterët: A nuk besoni vallë se edhe Ademi nuk kishte baba? Isa është njësoj si ai. Edhe ai nuk ka një baba. Megjithatë, ju nuk thoni kurrë se Ademi është biri i Zotit. Isa vërtet nuk kishte një baba, por u krijua me urdhrin e Zotit.


Ky varg është një argument i përsosur, i cili e thekson faktin se Ademi nuk kishte paraardhës. Kjo është arsyeja përse disa vargje i përmendin dheun dhe baltën si shkallët e ndryshme të krijimit të Ademit, deri në pikën kur përmendet Shpirti, i cili iu fry atij. Vetëm pas kësaj pike, Zoti u urdhëron ëngjëjve të tij që të bëjnë sexhde para kësaj krijese. Në mesin e tyre, vetëm Djalli, i cili nuk ishte një ëngjëll, refuzoi dhe, si pasojë, u dëbua:  


E kur Zoti yt u tha ëngjëjve: Unë do të krijoj një njeri nga balta e një deltine të tharë. Kur t’ia kem përsosur trajtën e t’i kem fryrë nga Shpirti Im, ju bini në sexhde para tij! (Kur’an 15:28)


 Ky varg tregon shumë qartë, se jo të gjithë njerëzit janë krijuar drejtpërdrejt nga balta, në shkallët e ndryshme të krijimit, të përshkruara në vargjet e mësipërme. Ëngjëjt nuk ranë në sexhde para të gjithë njerëzve, por vetëm para Ademit (paqja qoftë mbi të), si njeriu i parë. Ai është njeriu i vetëm i krijuar nga dheu.


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju! 


  


VAZHDON

publikuar më: 08.02.2013

Lexoni gjithashtu..

10.02.2017 Njeriu në Kur′an: Lumturia dhe përsosuria e njeriut (pjesa III)
06.01.2017 Njeriu në Kur′an: Lumturia dhe përsosuria e njeriut (pjesa II)
22.10.2016 Njeriu në Kur′an: Lumturia dhe përsosuria e njeriut (pjesa I)
27.05.2016 Njeriu në Kur′an: Dinjiteti i njeriut
19.12.2015 Njeriu në Kur′an: Njeriu si mëkëmbës i Zotit
03.07.2015 Njeriu në Kur′an: Aftësitë e lindura të njeriut
06.03.2015 Njeriu në Kur′an: Natyra e lindur njerëzore (pjesa IV)
30.05.2014 Njeriu në Kur′an: Natyra e lindur njerëzore (pjesa III)
02.08.2013 Njeriu në Kur′an: Dallimi nga bota shtazarake
19.04.2013 Njeriu në Kur′an: Cilësitë e shpirtit
22.03.2013 Njeriu në Kur′an: Ekzistenca e pavarur e shpirtit
13.02.2013 Njeriu në Kur′an: Materia dhe shpirti

Kthehu