Njeriu në Kur′an
Lumturia dhe përsosuria e njeriut (pjesa II)
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!


A janë relative lumturia dhe përsosuria e njeriut?


Kur të trajtohet çështja e lumturisë njerëzore, ke edhe dy pika të tjera, të cilat janë tejet të rëndësishme. E para është pyetja në është lumturia e njeriut një çështje relative ose absolute. A është definicioni i kësaj lumturie gjithnjë i njëjtë ose i ndryshueshëm në varësi prej individit, kohës, vendit dhe kushteve? Ndonëse filozofia e moralit merret hollësisht me pyetjen në janë vlerat etike konstante ose relative, jam i mendimit se do të ishte me vend që këtë çështje ta trajtojmë edhe këtu. Në fund të fundit, lumturia nuk është tjetër veçse vetë përsosuria që është caktuar për njeriun. Nëse e kemi parasysh përfundimin, në të cilin na sjell diskutimi ynë i deritanishëm, mund të themi se, meqë të gjithë njerëzit i kanë të njëjtat prirje të natyrshme dhe të njëjtën natyrë të lindur, edhe lumturia dhe përsosuria e tyre duhet të jetë e njëjta gjë. Si i tillë, ky diskutim domosdo ndërlidhet me njerëzimin në tërësi, ndaj është e pamundur të thuhet se lumturia, në një kuptim absolut, është e ndryshme për dy grupe të ndryshme njerëzish. Ky përgjithësim mund të bëhet pikërisht duke u mbështetur në natyrën e lindur, që është e përbashkët për të gjithë njerëzit, paçka se individë të ndryshëm mund të kenë dallime nga njëri-tjetri në cilësitë e tyre.


Natyra e përbashkët njerëzore është një faktor që nuk mund të shpërfillet dhe, si rrjedhojë, gjithçka që mund të themi lidhur me përsosurinë njerëzore domosdo do të jetë e ndërlidhur me tërë njerëzimin. Edhe përkundër kësaj, nuk guxojmë t’i harrojmë shkallët e ndryshme, sepse njeriu mund ta zhvillojë gradualisht përsosurinë dhe lumturinë, të cilat rezultojnë në shkallë të ndryshme të përsosurisë, që dallojnë në varësi prej aftësive dhe kapaciteteve të individëve. Shkallët e përsosurisë dhe të lumturisë njerëzore mund të krahasohen me dritën. Një llambë e lehtë, drita e neonit, reflektori, hëna dhe dielli, të gjitha japin dritë, por shkëlqimi dhe intensiteti i dritave të tyre përkatëse është i ndryshëm. Kështu, edhe lumturia dhe përsosuria njerëzore mund të kategorizohen në shkallë të ndryshme, pavarësisht faktit se bëhet fjalë për një realitet të vetëm. Kur të qartësohet kjo pikë, do ta kemi shumë më të lehtë t’i kalojmë shkallët e ndryshme të përsosurisë. Në Kur’anin e Shenjtë ekzistojnë vargje të ndryshme lidhur me këtë të vërtetë:


Atyre që bëjnë mirë, qofshin burra a gra, do t’u falim një jetë të bukur dhe do t’i shpërblejmë bëmat e tyre me gjëra më të mira akoma. (Kur’an, 16:97)


Dhe për ata që besojnë e që bëjnë vepra të mira, i Mëshirshmi do të krijojë dashuri (në zemra). (Kur’an, 19:96)


Betohem në kohën! Vërtet njeriu është në humbje. Përveç atyre që besojnë, bëjnë vepra të mira dhe e këshillojnë njëri-tjetrin për të vërtetën e për durim. (Kur’an, 103-1-3)


Të tillëve u falet jeta e dëlirë, ata janë të dashur për të tjerët dhe kurrë nuk pësojnë humbje. Është e vetëkuptueshme se njerëzit e ndryshëm kanë besime që dallojnë për nga fuqia edhe intensiteti i tyre, me vepra që janë të ndryshueshme si për nga sasia ashtu edhe për nga cilësia. Të gjitha këto gjëra kanë ndikim mbi afërsinë e njeriut me Zotin. Ata që besojnë dhe që bëjnë vepra të mira vërtet janë të ngjashëm me njëri-tjetrin, por dallojnë në shkallët e tyre dhe, në amshim, do të shpërblehen pikërisht në varësi prej shkallës së tyre të përsosurisë.


Një pikë tjetër me rëndësi është fakti se definicioni i përsosurisë është i lidhur ngushtë me lumturinë.[1] Përsosuria është e ndërlidhur me lulëzimin dhe realizimin e plotë të një gjëje dhe vlen vetëm për gjërat që kanë një potencial të brendshëm. Përsosuria e një peme, për shembull, fshihet në faktin se mund të japë fryte, ndërsa te kafshët e ndryshme në kapacitetet e ndryshme që posedojnë. Kështu, edhe përsosuria e njeriut definohet nëpërmjet tërësisë së potencialeve, nevojave dhe dëshirave të tija. Përsosuria e një gjëje, pra, varet nga ajo vetë dhe nga kushtet në të cilat gjendet.


Për dallim prej përsosurisë, lumturia është diçka që përmendet vetëm në kontekstin e njeriut dhe na shfaqet si shkalla përfundimtare e përsosurisë njerëzore, e cila fshihet në lulëzimin dhe zhvillimin e potencialeve individuale të njeriut. Në diskutimet etike, filozofike dhe gnostike, këta nocione janë të pandashme nga njëri-tjetri, ndonëse përfaqësojnë gjëra të ndryshme. Përsosuria, pra, nuk është tjetër veçse plotësimi dhe realizimi i një gjëje.[2]


Është me rëndësi të mund të bëjmë dallim ndërmjet këtyre nocioneve, duke e kuptuar, megjithatë, lidhjen esenciale që ekziston mes tyre. Lumturia (ar. sa’ada) dhe përjetimi shpirtëror (ar. dhevk) janë të ndërlidhura, por nuk janë e njëjta gjë. Kur njeriu ta arrijë lumturinë dhe, si rrjedhojë, edhe shkallën përfundimtare të përsosurisë së tij, ai do të përjetojë një lumturi racionale dhe lumturinë e të dëshmuarit të Përsosurisë Absolute, në të cilën fshihet lumturia e vërtetë dhe e përkryer.


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!


 


 


 






[1] Mutahhari, Vepra e plotë (persisht), v.7, fq.53-65




[2] Xhafer Saxhedi, Fjalor i filozofisë dhe i teologjisë islame



publikuar më: 06.01.2017

Lexoni gjithashtu..

10.02.2017 Njeriu në Kur′an: Lumturia dhe përsosuria e njeriut (pjesa III)
22.10.2016 Njeriu në Kur′an: Lumturia dhe përsosuria e njeriut (pjesa I)
27.05.2016 Njeriu në Kur′an: Dinjiteti i njeriut
19.12.2015 Njeriu në Kur′an: Njeriu si mëkëmbës i Zotit
03.07.2015 Njeriu në Kur′an: Aftësitë e lindura të njeriut
06.03.2015 Njeriu në Kur′an: Natyra e lindur njerëzore (pjesa IV)
30.05.2014 Njeriu në Kur′an: Natyra e lindur njerëzore (pjesa III)
02.08.2013 Njeriu në Kur′an: Dallimi nga bota shtazarake
19.04.2013 Njeriu në Kur′an: Cilësitë e shpirtit
22.03.2013 Njeriu në Kur′an: Ekzistenca e pavarur e shpirtit
13.02.2013 Njeriu në Kur′an: Materia dhe shpirti
08.02.2013 Njeriu në Kur′an: Krijimi i njeriut

Kthehu