Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Në diskutimet e mëparshme kemi dëshmuar me ndihmën e vargjeve të Kur’anit se njeriu, përveç trupit dhe të gjithë fenomeneve materiale të ndërlidhura me të, përbëhet edhe nga një realitet tjetër, gjegjësisht nga një qenie e pavarur nga trupi që quhet shpirt. Pikërish shpirti është faktori që e definon personalitetin e njeriut dhe i fal atij identitet, ndërsa trupi s’është tjetër veçse një instrument për këtë qenie. Për t’u thelluar edhe më tej në këtë temë, do të përmendim këtu disa argumente të logjikshme, ndërsa diskutimet më të hollësishme të kësaj teme mund të gjenden në librat e lëmive përkatëse.
Vazhdimësia e personalitetit njerëzor
Askush nuk ka dyshim për ekzistencën e vete, sepse gjithkush e percepton veten e tij dhe është i bindur për sigurinë dhe vërtetësinë e këtij perceptimi. Vetëdija e njeriut për veten e tij (vetëvetëdija) është njëra nga gjërat më të rëndomta dhe nuk kërkon kurrfarë argumenti. “Vetja” ose “uni” e shoqëron njeriun në të gjitha fazat e jetës dhe është një gjë stabile dhe e vazhdueshme. Cilësitë e unit i përjetojmë gjatë gjithë jetës dhe nuk kemi dyshim për to. Ekzistencën e unit tonë mund ta perceptojmë nëpërmjet shqisave tona, fuqia shqisore e të cilave është e ndryshueshme. Fuqinë e shqisave tona dhe faktin se ato ndryshojnë vazhdimisht dhe se nuk janë të vazhdueshme, ne e kuptojmë nëpërmjet pjesës së vazhdueshme dhe të pandryshueshme të ekzistencës sonë. Prej kësaj mund të vimë në përfundimin se uni ynë, që është një pasqyrim i shpirtit, është një realitetit i ndarë nga trupi dhe i pavarur prej tij. Ndërsa përjetësia dhe vazhdimësia e unit dëshmon se ky realitet është një realitet metazifik.
Pavarësi e shpirtit nga hapësira
Qeniet materiale kanë nevojë për dimensione materiale, gjegjësisht për një vend ose hapësirë ku do të vazhdojë ekzistenca e tyre. Si pasojë, çdo ekzistencë materiale kaplon një hapësirë. Përkundër kësaj, shpirti dhe fenomenet shpirtërore janë të pavarura nga hapësira dhe nuk kanë nevojë për të. Andaj është e pamundur që unit ose shpirtit tonë t’i caktojmë një hapësirë të caktuar brenda ose jashtë trupit. Shpirti nuk është një materie dhe nuk është një cilësi e materies. Si i tillë, ai nuk ka nevojë për hapësirën. Ai nuk krijohet brenda trupit por i fryhet trupit nga jashtë. Pikëllimi, lumturia, mendimet, përfundimet logjike, vendimet, vetëdija dhe gjërat e ngjashme me këto, nuk mund të kufizohen në një hapësirë të caktuar materiale. Lumturia, për shembull, nuk mund të ndërlidhet me dorën, gjuhën ose syrin dhe të thuhet se dora, gjuha ose syri është i lumtur. Lumturia është e ndërlidhur me një realitet që është përtej materies.
Shpirti dhe pacoptueshmëria e fenomeneve shpirtërore
Të gjithë e dimë se krijesat materiale përbëhen nga bashkëdyzimi i materies dhe se janë të ndashme. Çdo qenie materiale, e cila mund të definohet nëpërmjet sasisë, është e ndashme. Për shembull, një gur prej 10 centimetrash ose një dërrasë me gjatësi 1 metër mund ta ndajmë në dy ose katër pjesë, sepse ajo definohet nëpërmjet sasisë. Por kur të përsiatemi në lidhje me unin (egon) tonë, do të kuptojmë se ai nuk përmban cilësi materiale, sepse atë as nuk mund ta zgjerojmë e ta përhapim dhe as nuk mundemi ta ndajmë në pjesë. Ngase nuk është materie, shpirti nuk pasqyron cilësi të materies. Si pasojë, shpirti njerëzor nuk pranon copëtim. Gjërat që i takojnë shpirtit dhe unit njerëzor nuk pranojnë kuantifikim, pra definim sasior. Veprimet si mendimi ose të kuptuarit nuk mund t’i veshen një organi të caktuar të trupit njerëzor dhe të ndërlidhen vetëm me të. Truri njerëzor është vetëm një instrument i të kuptuarit, por subjekti që kupton nuk është truri.
Shpirti njerëzor është një qenie abstrakte dhe metafizike, që e përbën identitetin e vërtetë të njeriut. Kjo është e vërteta që mund të kuptohet edhe nga vargjet e Kur’anit. Vargjet që e përshkruajnë shpirtin flasin për një “krijim tjetër”.
Ky proces fillon me përfundimin e zhvillimit fizik në mitër dhe me fryerjen e shpirtit: ...pastaj e bëmë një krijesë tjetër. (Kur’an 23:14). Vazhdimësia e shpirtit edhe përtej vdekjes, qëndrimi i tij për një kohë të caktuar në botën e ndërmjetme (berzah) dhe shkëputja e tij nga trupi në çastin e vdekjes, të gjitha pranohen si dëshmi për cilësitë metazifike të shpirtit. Sikur karakterin dhe unin e njeriut ta krijonte trupi i tij, do të duhej të pranonim se personaliteti i njeriut shkatërrohet dhe asgjësohet tërësisht pas vdekjes. Por Kur’ani thotë qartës se, pasi trupi të shkatërrohet nëpërmjet vdekjes, shpirti i tij mbetet dhe vazhdon të ekzistojë. Të pranuarit e realitetit të botës së përtejme dhe të jetës pas vdekjes, dëshmon se njeriu përbëhet nga dy dimensione, njëri fizik dhe tjetri shpirtëror. Thënë ndryshe, njeriu përbëhet nga një dimension material dhe nga një dimension tjetër që është përtej materies. Njeriu mund ta kuptojë personalitetin e tij, qoftë në këtë botë ose në tjetrën, nëpërmjet shpirtit që posedon. Ky realitet dhe të gjitha hollësitë e tjera të ndërlidhura me të, e përbëjnë themelin mbi të cilin mbështeten shumë diskutime e shumë pikëpamjen mbi njeriun. Pozita e njeriut si “mëkëmbës i Zotit” (halifetullah) dhe të gjitha pozitat e tjera të tij, që ndërlidhën me të parën, kërkojnë si parakusht pranimin e një dimensioni shpirtëror të njeriut, i cili është përtej materies. Gjithkush, aq sa i lejojnë mundësitë dhe kapacitetet personale, duhet të përpiqet për ta njohur këtë dimension të njeriut.
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!
FUND