Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Vargjet kur’anore, të cilat i referohen njeriut, paraqesin dy këndvështrime të ndryshme. Në disa vargje përmendet dinjiteti i njeriut dhe superioriteti i tij karshi krijesave të tjera. Për shembull, thuhet:
Vërtet, i kemi nderuar bijtë e Ademit e i kemi bartuar mbi tokë e mbi det. Ata i kemi furnizuar me të mira dhe i kemi përzgjedhur karshi shumicës së krijesave të tjera. (Kur’an, 17:70)
Në kapitullin Tin (shq.“fiku“; nr.95) thuhet se njeriu është krijuar në trajtën më të bukur e në mënyrën më të mirë.[1] Në një varg tjetër[2] në kapitullin Mu‘minun thuhet sërish se krijimi i njeriut u bë në formën më të mirë dhe përmendet gjithashtu se gjithçka në tokë e në qiej u krijua për të.
A nuk shihni se Zoti sundoi për ju gjithë ç’është në qiej e në tokë dhe i përhapi të mirat e Tija mbi ju, hapur a fshehur qoftë…(Kur’an, 31:20)
Dinjiteti i njeriut është theksuar aq shumë, sa vetë ëngjëjt e Zotit, me urdhrin e Tij, bënë sexhde para njeriut dhe e nderuan atë. Kjo ndodh pikërisht sepse njeriut i është dhënë aftësia për t’i mësuar e njohur emrat e Zotit dhe për të qenë mëkëmbësi i Tij mbi tokë. Gjithçka tjetër që i jepet njeriut është në përshtatshmëri me këtë pozitë të tijën (si mëkëmbës i Zotit) dhe është krijuar për të, në mënyrë që, duke i shfrytëzuar këto gjëra, të mund ta përsosë veten e tij. Kur të studiohen më hollësisht vargjet kur’anore ku flitet për superioritetin e njeriut karshi qenieve të tjera, do të qartësohet se këta vargje vetëm sa e theksojnë dinjitetin e lartë të njeriut.
Megjithatë, duhet theksuar se ekzistojnë edhe vargje të tjera lidhur me njeriun, të cilat i përshkruajnë dobësitë e tija[3], lakminë[4], padrejtësinë e mosmirënjohjen[5], paditurinë e tij[6], hutinë që e bën atë të barabartë me kafshët e madje më të ligë se ato[7] dhe tema të ngjashme si këto, në të cilat shprehet thellësia e greminës së poshtërsimit që mund ta arrijë njeriu nëpërmjet bëmave të tija të liga.[8] Këtu duhet të jetë e qartë se këta dy lloje të vargjeve nuk janë kundërthënëse me njera-tjetrën, por vetëm sa i shprehin dy gjendjet e ndryshme që mund t’i arrijë njeriu.
Dinjiteti i lindur i njeriut
Nga vargjet e Kur’anit mund të kuptohet se dinjiteti i njeriut është dy llojesh. Një lloj i këtij dinjiteti është dinjiteti i tij i lindur, ndërsa tjetri është diçka që ai duhet ta arrijë më pas. Dinjiteti i tij i lindur është diçka e dhuruar, që fshihet në përbërjen e tij trupore, në kapacitetet e tija si njeri, në talentet që i ka dhe në krijimin e tij në trajtën më të mirë. Falë dhembshurisë së Tij, është Zoti që ia dhuron njeriut këtë dinjitet dhe kjo gjë nuk ka të bëjë fare me vullnetin e vetë njeriut. Andaj çdo njeri duhet ta njohë pozitën e tij në krijim dhe të jetë i vetëdijshëm për dhembshurinë dhe bekimin që i është falur nga Zoti. Njeriu duhet të përpiqet për t’i drejtuar hapat e tij në rrugën e humanitetit dhe për t’ia kushtuar gjithë mundin e tij kësaj pune. Dinjiteti i falur njeriut nuk është diçka, me të cilën ai duhet të mburret, por përkundrazi, një potencial e një burim talentesh, i cili duhet të shpaloset e të lulëzojë. Nëse njeriu nuk e ruan këtë amanet që i është falur, ai vetëm sa e ka shkapërderdhur jetën dhe kapitalin që ka në duar.
Dinjiteti i fituar i njeriut
Deri në këtë pikë thamë se dinjiteti i lindur i njeriut buron nga krijimi i tij dhe nga aftësia e tij për ta njohur të vërtetën, gjë që Zoti i Madhëruar ia ka falur. Si rrjedhojë, njeriu duhet t’i kuptojë këto dhunti hyjnore e të përpiqet për t’i kthyer në thesare të vërteta duke i kultivuar më tej.
Në kategorinë e dinjitetit të fituar radhiten ato të mira, të cilat mund të arrihen nëpërmjet besimit dhe që janë të ndërlidhura me përpjekjen, gatishmërinë për të sakrifikuar, me vlerat shpirtërore dhe me afërsinë e individit me Krijuesin. Dhe ngase këto të mira burojnë nga vendimet e vetëdijshme të njerëzve, ato mund të vlejnë si kritere për t’i kategorizuar individët e ndryshëm në bazë të pozitës dhe të vlerës së tyre. Ai që fiton më shumë nga këto të mira, do të shihet nga Zoti si një njeri i virtytshëm dhe i çmueshëm. Disa vargje kur’anore e kanë qartësuar rrugën drejt arritjes së këtyre mirësive, duke theksuar se ai që është më i druajtur para Zotit (ar. muttakin) është më i lartësuari.
Vërtet, në mesin tuaj, më të mirët pranë Zotit janë ata që janë të druajtur para Tij. (Kur’an, 49:13)
Në të vërtetë, të gjithë vlerësimet, analizat dhe vrojtimet lidhur me njeriun mund të kategorizohen në bazë të kësaj. Kur njeriu të mos zotërojë asnjë mirësi, kur t’i jetë i pavëmendshëm karshi gjërave që e bëjnë njeri dhe kur ta shesë veten e tij për diçka krejt të pavlerë, ai nuk ka dallim prej një kafshe ose prej një qenieje që është akoma më e ulët. Një njeri të tillë Kur’ani, në kapitullin Anfal, e përshkruan si “më e liga e krijesave”[9], e cila, në ditën e gjykimit, do të dëshironte të kishte qenë “veç pluhur e hi”.[10] Kështu, Kur’ani na qartëson se njeriu duhet ta shfrytëzojë potencialin e dhënë nga Zoti, sepse, në të kundërt, ai do të ketë pasojë nga kjo gjë. Vargjet kur’anore që flasin për këtë temë, i përmendin besimin dhe veprat e mira si një shpëtim nga këto pasoja:
Vërtet i humbur është njeriu, përveç atij që beson e që bën vepra të mira...(Kur’an, 103:1-2)
Përveç kësaj, Kur’ani e përmend edhe kujdesin e treguar për namazin si një mjet të shpëtimit nga të ligat dhe nga lakmia:
Vërtet njeriu është i krijuar i padurueshëm...përveç atyre që falin namazin. (Kur’an, 70:19-22)
Nga vargjet që flasin lidhur me dinjitetin e fituar të njeriut mund të kuptohet se një shkallë e arritur nëpërmjet përpjekjes, mundimit, besimit dhe veprave të mira është një shkallë e vërtetë shpirtërore dhe jo thjesht një titull ose rang formal. Me këtë duam të themi se kjo pozitë nuk është diçka që mund të përcaktohet nga ndonjë lloj kornize shoqërore dhe nuk është diçka që mund të përkufizohet në tituj të krijuar nga urtarët e mendimtarët. Ajo që fiton njeriu e ka burimin tek realiteti i tij. Kjo gjë nuk mund t’i jepet nga dikush tjetër dhe nuk mund të merret prej tij. Ai i arrin këto pozita nëpërmjet besimit dhe nëpërmjet orientimit sipas vlerave të mirëfillta. Dhe më pas, në Ditën e Gjykimit, ai ka për t’u përballur pikërisht me atë që ka fituar nëpërmjet përpjekjeve të tija dhe që nuk mund të ndahet prej tij. Ata, të cilët në jetën e kësaj bote i janë kushtuar mohimit, idhujtarisë e përçarjes, në ditën e gjykimit do të bashkohen me këto gjëra dhe më kot do të përpiqen për t’u distancuar prej tyre, sepse me vullnetin e tyre të lirë i janë përkushtuar kësaj rruge, e cila i largon nga të qenit njeri dhe nga përshpirtshmëria, i mbulon kapacitet e tyre të lindura me të liga dhe, më në fund, i lë duarbosh.
Njeriu, pra, duhet t’i shfrytëzojë të gjitha mundësitë, talentet dhe kapacitetet e veta për ta fituar dinjitetin e mirëfilltë njerëzor. Ai duhet të besojë, ta shpërfaqë këtë besim në mendimet e në veprat e tija dhe të veprojë mirë, në mënyrë që ta shfrytëzojë kapitalin që i është falur dhe ta arrijë dinjitetin e vërtetë. Jo më kot, në vargjet e para të shpallura Profetit (s.a.a.), Zoti thotë:
Lexo, se Zoti yt është më Fisniku. (Kur’an, 96:3)
Pikërisht tek Zoti, që është më Fisniku, njeriu mund ta mësojë fisnikërinë e vërtetë dhe rrugën e caktuar për dinjitetin njerëzor. Dhe ngase njeriu ka nevojë për udhëzime në këtë rrugë, atij i është zbritur një libër, i cili i mundëson ta arrijë dinjitetin njerëzor dhe fisnikërinë. Jo më kot, edhe libri i Zotit njihet si Kuran el-Kerim, pra Kur’ani Fisnik. Vetë i Dërguari i Zotit, paqja qoftë mbi të e mbi familjen e tij, është zotërues i kësaj fisnikërie dhe ia përcjell mbarë njerëzimit thirrjen e Zotit drejt saj. Krijesat e botës ëngjëllore, si lajmëtarë të bekimit hyjnor, janë gjithashtu fisnike dhe konsiderohen një pjesë e bujarisë që Zoti ia fal njeriut, në mënyrë që njeriu ta arrijë dinjitetin që meriton dhe t’i përgjigjet thirrjes së Zotit. Por kuptohet, kësaj thirrjeje mund t’i përgjigjet vetëm ai që ka një brendi të lartësuar e fisnike, e cila mund të arrihet vetëm nëpërmjet një zemre të shëndoshë dhe një shpirti të dëlirë.
Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!
[1] Kur’an, 95:4: Vërtet e krijuam njeriun në trajtën më të mirë.
[2] Kur’an 23:14: Lëvduar qoftë Zoti, më i miri i krijuesve…
[3] Kur’an, 4:28: ...sepse njeriu është krijuar i dobët
[4] Kur’an, 70:19: Vërtet njeriu është krijuar i padurueshëm.
[5] Kur’an, 14:34: Vërtet njeriu është zullumqar e mosmirënjohës
[6] Kur’an, 33:72: Vërtet njeriu është zullumqar e i paditur
[7] Kur’an, 7:179: Këta janë si bagëti, por edhe më të humbur akoma...
[8] Kur‘an, 95:5: Dhe e hodhëm atë poshtë e më poshtë.
[9] Kur’an, 8:22
[10] Kur’an, 78:40