Njeriu në Kur′an
Natyra e lindur njerëzore (pjesa IV)
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Epistemologjia thotë se njohuria që njeriu fiton nëpërmjet intelektit, është, në të vërtetë, një talent tashmë ekzistues brenda tij, i cili me kalimin e kohës del në sipërfaqe dhe shndërrohet në veprim. Përkundër kësaj, Kur’ani ka vargje, të cilat mohojnë se njeriu mund të ketë ndonjë lloj diturie (të fituar nëpërmjet intelektit) që në lindje:


Dhe Zoti ju nxori nga barku i nënave tuaja, ndërsa nuk dinit asgjë dhe ju fali veshë, sy e zemra, që të ishit mirënjohës. (Kur’an, 16:78) 


Por a përjashton ky varg çdo lloj njohurie? Ndonëse në pamje të parë mund të duket kështu, kur të shqyrtohet më me kujdes, do të shihet se, në të vërtetë, bëhet fjalë vetëm për diturinë e fituar dhe jo për njohurinë intuitive të njeriut. Disa shkoqitës të Kur’ani janë të këtij mendimi, duke u mbështetur në faktin se mjetet e përmendura në këtë varg, gjegjësisht veshët, sytë e zemra, e kufizojnë kuptimin e vargut pikërisht në diturinë e fituar më pas, sepse dihet se veshi, syri e zemra nuk janë mjete, me të cilat njeriu e arrin njohurinë intuitive. Pra, përveç diturisë së fituar, njeriu posedon edhe një njohuri intuitive, për të cilën do të flasim në vijim të kësaj ligjërate. 


Ekzistojnë pohime të caktuara, të cilat nuk është e nevojës të argumentohen. Për pohime të tilla, mjafton që njeriu të ketë një imazh të plotë të subjektit në fjalë dhe të predikatit, sepse çdo gjë është dëshmi për vetë ekzistencën e saj. Për shembull, është një njohuri e vetëkuptueshme se çdo shumë e dy gjërave është më e madhe se pjesët përbërëse të saj ose se dy pohime kundërthënëse nuk mund të jenë njëkohësisht të sakta. Gjërat e tilla nuk kanë nevojë për argumentime e shpjegime të mëtejme dhe pikërisht kjo njohuri e përbën themelin e diturisë njerëzore. Si e tillë, ajo nuk mund të mohohet ose të përgënjeshtrohet.


Në mesin e gjërave që radhiten në sferën e prirjeve dhe njohurive të brendshme njerëzore, është edhe aftësia për të bërë dallim ndërmjet veprimeve etike dhe joetike. Të gjithë njerëzit mund ta dallojnë të mirën nga e liga. Të gjithë njerëzit e çmojnë sinqeritetin, guximin, vetësakrificën dhe drejtësinë, ndërkohë që e urrejnë mashtrimin, shtypjen, gënjeshtrën, tradhëtinë dhe gjërat e ngjashme. Vargu vijues kur’anor flet pikërisht për këtë të vërtetë:


(Betohem në) shpirtin e në atë që i dha trajtë, e pastaj ia mësoi të ligën dhe virtytin. (Kur’an, 91:7-8) 


Në mësimin fetar, njohuria mbi Zotin konsiderohet një njohuri e lindur dhe një prirje e natyrshme e njeriut. Megjithatë, ka një numër interpretimesh të ndryshme për nocionin. Disa mendimtarë kanë thënë se, për ta njohur Zotin, njeriu nuk ka nevojë për argumente dhe dëshmi.[1] Disa mendimtarë të tjerë, ndërkaq, janë të mendimit se me këtë gnosë intuitive nënkuptohet njohuria mbi ekzistencën e Zotit dhe e vërteta se njeriu gjithnjë është i prirë drejt një burimi sipëror, edhe sikur të mos ketë një njohuri të hollësishme mbi këtë prirje të vetën. Në këtë kuptim, Hafiz Shiraziu thotë:


Nuk di kush bun në zemrën time t’lodhur
kush bërtet e qan, kur unë hesht. 


Disa gnostikë janë të mendimit se, duke u mbështetur në principin e ekzistencës së Zotit, edhe besimi në disa cilësi të Tija është një njohuri e lindur dhe intuitive e njeriut. Mes tyre mund të radhiten cilësitë si njëshmëria e Zotit, përsosuria e Qenies Hyjnore etj. Për shembull, ne gjithnjë e konsiderojmë Zotin si një Qenie e vetme sipërore dhe jo si një shumës qeniesh. Po kështu, ne e dimë, në një mënyrë intuitive, se Ai është i përsosur dhe i pastër nga mangësitë në çdo kuptim e, si pasojë, i njohim edhe cilësitë që burojnë nga kjo përsosuri, si: drejtësia, urtia, mëshira etj.[2]


Përcillet se Imam Xhaferi (paqja qoftë mbi të), kur u pyet lidhur me kuptimin e vargut 30 të kapitullit Rum (Dhe ktheje fytyrën tënde drejt fesë, drejt natyrës së lindur, në të cilën Zoti e krijoi njeriun!), tha: Zoti i krijoi të gjithë njerëzit me besimin në njëshmërinë e Zotit brenda tyre.[3]


Shumë mendimtarë e shohin prirjen e njeriut për Zotin si një pjesë të natyrës së tij të lindur e të prirjeve të tija intuitive. Sipas tyre, njeriu, si pasojë e pozitës së tij të veçantë shpirtërore, ka një prirje për Zotin. Vargu 30 i kapitullit Rum nënkupton pikërisht këtë prirje të lindur njerëzore dhe thotë qartë se prirja për Zotin dhe për adhurimin është e pranishme tek çdo njeri, edhe sikur njohuria mbi Zotin dhe dëshmitë lidhur me Të të mos jenë një njohuri e lindur. Ka raste kur njeriu e shpërfill këtë prirje hyjnore dhe e turbullon atë aq sa të mos mund të arrijë të manifestohet në jetën e tij. Megjithatë, kjo prirje e lindur nuk mund të asgjësohet. Në këtë pikë, është me rëndësi që pluhuri të hiqet dhe njollat të largohen nga zemra, që kjo prirje e natyrshme e njeriut të shpërfaqet dhe t’i zbulojë bukuritë e veta. Ja përse Kur’ani thotë se dëlirja e vetvetes ka për ta çuar njeriun drejt lumturisë, ndërkohë që ata që e ndotin dhe e njollosin shpirtin e tyre do t’i vuajnë pasojat e saj:


I shpëtuar është kush dëlir shpirtin e vet dhe i humbur kush e njollos. (Kur’an 91:9-10) 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju! 






[1] Në epistemologji, pohimet mund të ndahen në dy grupe, gjegjësisht: pohimet themelore dhe pohimet e prejardhura. Alwin Plantinga dhe William Aston janë të mendimit se shprehja “Ka një Zot” është një pohim themelor dhe nuk ka nevojë për dëshmi. Sipas Kant-it, ekzistenca e Zotit nuk mund të dëshmohet shkencërisht. Megjithatë, ai është i mendimit se ekzistenca e Zotit është një fakti i vetëkuptueshëm dhe një princip i diturisë praktike. (John Hick, Arguments for the existence of God, përkthimi persisht, fq.167-175)
[2] Khomeini, Dyzet hadithe, fq.179
[3] Kulejni, Usul el Kafi, v.2, fq.13



publikuar më: 06.03.2015

Lexoni gjithashtu..

10.02.2017 Njeriu në Kur′an: Lumturia dhe përsosuria e njeriut (pjesa III)
06.01.2017 Njeriu në Kur′an: Lumturia dhe përsosuria e njeriut (pjesa II)
22.10.2016 Njeriu në Kur′an: Lumturia dhe përsosuria e njeriut (pjesa I)
27.05.2016 Njeriu në Kur′an: Dinjiteti i njeriut
19.12.2015 Njeriu në Kur′an: Njeriu si mëkëmbës i Zotit
03.07.2015 Njeriu në Kur′an: Aftësitë e lindura të njeriut
30.05.2014 Njeriu në Kur′an: Natyra e lindur njerëzore (pjesa III)
02.08.2013 Njeriu në Kur′an: Dallimi nga bota shtazarake
19.04.2013 Njeriu në Kur′an: Cilësitë e shpirtit
22.03.2013 Njeriu në Kur′an: Ekzistenca e pavarur e shpirtit
13.02.2013 Njeriu në Kur′an: Materia dhe shpirti
08.02.2013 Njeriu në Kur′an: Krijimi i njeriut

Kthehu