Njeriu në Kur′an
Materia dhe shpirti
Ajetollah Dr. Riza Ramazani

Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!


 Krijimi i pasardhësve të Ademit (paqja qoftë mbi të) është përmendur shumë shpesh në Kur’an, duke i shprehur edhe fazat e ndryshme, të cilat sjellin më në fund deri në krijimin e njeriut. Në Kur’an thuhet:


A nuk kujtohet vallë njeriu se Ne e krijuam atë më parë, ndërsa ishte hiçgjë...(Kur’an 19:67)


 Pa dyshim, ky varg nuk nënkupton se njeriu u krijua pa kurrfarë materieje paraprake. Në shumë vargje theksohet se materia ka ekzistuar para krijimit të njeriut. Kuptimi i këtij vargu është se, kur të shihet në aspektin e substancës prej të cilës u krijua njeriu, nevojitej edhe një realitetit tjetër, i cili duhej t’i shtohej materies, që pa këtë element të dytë, ishte e pajetë, e pakuptimtë dhe pa ndonjë vlerë për t’u përmendur.


Vërtet ka qenë një kohë, kur njeriu s’ishte gjë për t’u përmendur...(Kur’an 76:1)


 Ky varg na e bën të qartë faktin se është shpirti hyjnor që njeriut i jep kuptim dhe realitet. Ka shumë vargje të tjera, të cilat flasin për materien prej të cilës u krijua njeriu. Mes tjerash, përmenden dheu, balta me erë të keqe dhe deltina. Të gjithë këto vargje flasin për fazat e ndryshme të krijimit të njeriut. Përveç këtyre, ekzistojnë vargje që e përmendin ujin si materien e krijimit të tij:


...që e krijoi njeriun nga një pikë uji...(Kur’an 25:54)


 Në këtë varg dhe në disa vargje të ngjashme, me fjalën “ujë” nënkuptohet një ujë i pavlerë dhe që rrjedh me forcë. Ka gjasa që në këto vargje, Kur’ani të nënkuptojë spermën njerëzore, si një mjet të shumimit të njeriut. Megjithatë, Kur’ani e përmend këtë element me tiparet e ndryshme të tij:


Ne vërtet e krijuam njeriun nga një pikë e përzier uji, për ta sprovuar. Pastaj e bëmë të dëgjojë e të shohë...(Kur’an 76:2)


 Këtu flitet për bashkëdyzimin e spermës dhe të vezës, duke nënkuptuar edhe se kjo përzierje mund të përmbajë gjëra të ndryshme. Shkenca ka vërtetuar tashmë se fara e njeriut, përveç spermës dhe vezës, përmban edhe disa përzierje dhe lëngje të tjera. Në këtë kuptim, “gjaku i mpiksur” (siç përmendet në vargun 96:2) është faza e dytë që çon drejt embrionit dhe që përmendet në shumë vargje. Fjala arabe, e cila në këtë kontekst nënkupton “gjakun e mpiksur” ose “embrionin” (pra “alak”) përbëhet nga rrënja ajn, lam dhe kaf, dhe nënkupton ngjitjen ose lidhjen e një gjëje me tjetrën, duke u ndërlidhur si me aspektin material, ashtu edhe me atë shpirtëror, me ç’rast nënkuptohet një prirje shpirtërore. Kjo shprehje është përdorur këtu për të nënkuptuar “gjakun e mpiksur” sepse edhe gjaku i mpiksur, para se të kalojë në gjendje të ngurtë, është një lëng i ngjitshëm.


Përveç kësaj, këtu mund të jetë nënkuptuar edhe ngjitja e embrionit në mitër, si dhe bashkimi i pjesëve të ndryshme përbërëse të embrionit. Kjo është një njohuri e fshehtë, të cilën Kur’ani ia shpalli njerëzimit dhe të cilën njerëzimi e ka zbuluar vetëm në shekujt e fundit nëpërmjet shkencës. Kur’ani flet edhe për shkallët e tjera të krijimit, si: fetusi, zhvillimi i kockave, zhvillimi i muskujve mbi kockat dhe krijimi i njeriut në një trajtë të re, që nënkupton dhënien e shpirtit. Pikërisht kjo përzierje e materies dhe e shpirtit e bën njeriun një krijesë të veçantë dhe të jashtëzakonshme. Pikërisht duke u nisur nga krijimi i njeriut, Zoti vetëquhet “Krijuesi më i mirë” ndërsa njeriu “më i miri nga krijesat”. 


Po të hulumtohen vargjet, të cilat flasin për ekzistencën dhe pavarësinë e shpirtit, që vazhdon të jetojë edhe pas vdekjes, do të shihet se personaliteti i vërtetë i njeriut varet nga shpirti i tij, ndërsa trupi s’është tjetër veçse një instrument ose një enë për shpirtin. Ekzistojnë shumë dëshmi për faktin se shpirti nuk është një ekzistencë materiale. Në mesin e këtyre argumenteve është vazhdimësia e personalitetit njerëzor, pacoptueshmëria e shpirtit dhe e fenomeneve shpirtërore, si dhe pamundësia e kuantifikimit, gjegjësisht e krahasimit të të voglës me të madhen, kur bëhet fjalë për shpirtin njerëzor. Të gjitha këto gjëra janë dëshmi të rëndësishme. Në vijim të diskutimit tonë do të merremi me disa fakte në lidhje me shpirtin.


  Mes tjerash, shpirti është një qenie e vetme, që nuk i posedon tiparet e materies dhe e përbën identitetin njerëzor. Aspekti human i njeriut varet nga shpirti, siç nënkuptojnë edhe vargjet, të cilat thonë se pas zhvillimit të trupit, njeriu bëhet një krijesë tjetër, të cilës i fryhet shpirti. Vetë ky varg mjafton si një dëshmi e faktit se shpirti është një gjë jomateriale dhe se ai është mjeti i vazhdimësisë së njeriut edhe pas vdekjes. Personaliteti stabil i njeriut, i cili manifestohet në çdo fazë të ekzistencës së tij, qoftë në këtë botë, qoftë në jetën e ndërmjetme (berzah) dhe qoftë në amshim, nuk është tjetër veçse shpirti i tij. Gjëja më e rëndësishme që na përcillet këtu është fakti se njeriu, vetëm pasi i fryhet shpirti i Zotit, bëhet i denjë për lëvdatat dhe për madhërimin e ëngjëjve. Vetëm pas kësaj shkalle, njeriu u bë mëkëmbës i Zotit mbi tokë. Kështu, pasi e krijoi njeriun, Zoti tha:


Lëvduar qoftë Zoti, më i miri i krijuesve...(Kur’an 23:14)


 Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!

publikuar më: 13.02.2013

Lexoni gjithashtu..

10.02.2017 Njeriu në Kur′an: Lumturia dhe përsosuria e njeriut (pjesa III)
06.01.2017 Njeriu në Kur′an: Lumturia dhe përsosuria e njeriut (pjesa II)
22.10.2016 Njeriu në Kur′an: Lumturia dhe përsosuria e njeriut (pjesa I)
27.05.2016 Njeriu në Kur′an: Dinjiteti i njeriut
19.12.2015 Njeriu në Kur′an: Njeriu si mëkëmbës i Zotit
03.07.2015 Njeriu në Kur′an: Aftësitë e lindura të njeriut
06.03.2015 Njeriu në Kur′an: Natyra e lindur njerëzore (pjesa IV)
30.05.2014 Njeriu në Kur′an: Natyra e lindur njerëzore (pjesa III)
02.08.2013 Njeriu në Kur′an: Dallimi nga bota shtazarake
19.04.2013 Njeriu në Kur′an: Cilësitë e shpirtit
22.03.2013 Njeriu në Kur′an: Ekzistenca e pavarur e shpirtit
08.02.2013 Njeriu në Kur′an: Krijimi i njeriut

Kthehu