Njeriu në Kur′an
Aftësitë e lindura të njeriut
Ajetollah Dr. Riza Ramazani


Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij! 


Në diskutimin tonë të deritanishëm kemi ardhur në përfundimin se njeriu posedon një natyrë të lindur (arab. fitra), e cila ndikon mbi njohuritë, prirjet dhe aftësitë e tija. Në ligjëratën e fundit folëm për ndikimet e kësaj natyre të lindur mbi njohuritë e njeriut, ndërsa këtë javë do të merremi me prirjet njerëzore, të cilat burojnë nga kjo natyrë e lindur.


Pa dyshim, njësoj siç ka prirje që mbështeten në perceptimin shqisor dhe që mund të përndijohen nëpërmje tyre, njeriu ka edhe prirje të tjera, të cilat nuk mund të perceptohen nga shqisat dhe të cilat konsiderohen hyjnore. Nuk mund të thuhet saktë se sa prirje të tilla ka njeriu, megjithatë mes tyre radhitet kërkimi i të vërtetës, të mirës, të bukurës, adhurimit dhe i jetesës fetare. Disa të tjerë e kanë numëruar edhe prirjen e njeriut për jetesën shoqërore në mesin e këtyre gjërave, ndërsa ca të tjerë edhe dëshirën për të pasur një jetë të përjetshme. Njeriun e shqetëson ideja e shkatërrimit të tij dhe frika nga vdekja buron pikërisht nga kjo gjë. Të thuash se dëshira për përjetësi është një prirje e natyrës së lindur njerëzore do të thotë të pranosh se kjo dëshirë e motivon njeriun të përpiqet përherë për një gjë të tillë. Megjithatë, nëse në këtë pikë bëhet fjalë thjesht për dëshirën primitive të mbijetesës, e cila është e përbashkët për njeriun dhe për kafshët, atëherë duhet të pranojmë se kjo nuk ka ndonjë lidhje me natyrën e lindur (arab. fitra).


Prirja më e rëndësishme e natyrës së lindur të njeriut (arab. fitra) është dashuria për Krijuesin e botëve, pra për Zotin e Madhëruar. Kjo dashuri e ka zanafillën tek prirja e njeriut për përsosurinë absolute. Ndonëse në pamje të parë, mund të duket se njerëzit e ndryshëm kërkojnë gjëra të ndryshme në jetë, e vërteta është se të gjithë e kërkojnë të njejtën gjë, që nuk është tjetër veçse përsosuria absolute. Një njeri që e kërkon të bukurën dhe e gjen tek dikush tjetër, menjëherë ndien dashuri për të. Por kur të gjejë një person më të bukur se i pari, ose dashurohet në të dy ose menjëherë e harron personin e parë. Kjo pastaj vazhdon kështu, deri kur të mos mund të gjendet një bukuri më e madhe se ajo, në të cilën dashurohet njeriu. Një kërkues i tillë, në të vërtetë, e kërkon bukurinë më sipërore, atë që është absolute, por nuk e di se kujt i takon kjo bukuri. Prirja për ta ndjekur një qenie të dashur, për të biseduar në vetmi me të, për t’i kërkuar ndihmë asaj dhe për t’i besuar plotësisht, nuk janë tjetër veçse trajta të ndryshme të lidhjes me Zotin dhe burojnë nga dashuria e lindur për Të. Kjo është një pikë që duhet të kundrohet me kujdes dhe të kuptohet mirë.


Njeriu ka edhe aftësi të lindura, mes të cilave është aftësia e tij për të mësuar e për të kuptuar, gjë që e bën të ndryshëm nga të gjitha qeniet e tjera. Njeriu mund të kuptojë nocione komplekse, mund të përgjithësojë, të analizojë hollësitë nëpërmjet intelektit të tij, të përpilojë rregulla të përgjithshme, të krijojë formula, të kryejë llogaritje të koklavitura ose të merret me matematikë e me gjeologji, për shembull. Ai mund t’i perceptojë realitetet e botës dhe t’i interpretojë ato, siç shprehet edhe në pjesën mes vargjeve 31 dhe 33 të kapitullit Bakara. Këta vargje flasin për emrat e Zotit dhe ia mveshin njeriut njohurinë lidhur me ta, një aftësi që nuk e kishin as qeniet ëngjëllore.


Njeriu e posedon edhe aftësinë unike për ta kontrolluar veten e tij dhe për t’i kontrolluar nevojat e tija të brendshme. Ai, pra, mund të marrë vendime që nuk mbështeten në nevojat e tija të brendshme, dhe t’i praktikojë të njejtat. Ja përse Kur’ani, kur flet për njerëzit që janë robër të instinktit të tyre dhe nuk bëjnë gjë për të shpëtuar prej kësaj, i cilëson ata si më të ulët se kafshët[1] dhe madje më keq akoma.[2] Shpjegimi i kësaj pike është i thjeshtë: njeriu posedon intelekt dhe prirje më sipërore, të cilat mund t’i shfrytëzojë për ta zhvilluar vetveten. Ai mund t’u bëjë ballë cytjeve të unit të tij dhe kështu, t’i mundësojë vetes një lulëzim shpirtëror.


Edhe kreativiteti mund të konsiderohet një prirje e lindur e njeriut, po aq sa edhe aftësia për të komunikuar nëpërmjet fjalëve, gjë që radhitet në kategorinë e mendimit intelektual dhe në atë të krijimit të simboleve e të fjalëve.


Megjithatë, aftësia më e rëndësishme e natyrës së lindur njerëzore është aftësia për t’iu afruar Krijuesit. Njeriu mund të arrijë shkallë të tilla pranë Zotit, ku nuk do t’i kushtojë vëmendje asgjëje tjetër veç Tij dhe ku nuk do të ketë dëshirë tjetër, veçse të afrohet gjithë më tepër me të. Nëpërmjet përpjekjes së vazhdueshme dhe përforcimit të besimit të tij, njeriu ka për t’ia arritur këtij qëllimi. 


Paqja, mëshira dhe bekimi i Zotit qofshin mbi ju!





[1] Ata janë si kope, por jo, akoma më keq, të devijuar janë. (Kur’an, 7:179)
[2] Më të ligët e njerëzve, për Zotin, janë ata mohues që nuk besojnë kurrsesi...(Kur’an, 8:55)



publikuar më: 03.07.2015

Lexoni gjithashtu..

10.02.2017 Njeriu në Kur′an: Lumturia dhe përsosuria e njeriut (pjesa III)
06.01.2017 Njeriu në Kur′an: Lumturia dhe përsosuria e njeriut (pjesa II)
22.10.2016 Njeriu në Kur′an: Lumturia dhe përsosuria e njeriut (pjesa I)
27.05.2016 Njeriu në Kur′an: Dinjiteti i njeriut
19.12.2015 Njeriu në Kur′an: Njeriu si mëkëmbës i Zotit
06.03.2015 Njeriu në Kur′an: Natyra e lindur njerëzore (pjesa IV)
30.05.2014 Njeriu në Kur′an: Natyra e lindur njerëzore (pjesa III)
02.08.2013 Njeriu në Kur′an: Dallimi nga bota shtazarake
19.04.2013 Njeriu në Kur′an: Cilësitë e shpirtit
22.03.2013 Njeriu në Kur′an: Ekzistenca e pavarur e shpirtit
13.02.2013 Njeriu në Kur′an: Materia dhe shpirti
08.02.2013 Njeriu në Kur′an: Krijimi i njeriut

Kthehu