Me emrin e Zotit, Bamirës dhe Mëshirues! Të gjitha lëvdatat janë për Allahun e Madhëruar, Zotin e botëve. Atij i falënderohemi për mëshirën e për mirësitë e Tija, prej Tij kërkojmë ndihmë e udhëzim në gjithçka që bëjmë dhe shpresojmë që Ai të na kaplojë me bekimin e Vet. Paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi profetin tonë Muhammedin, mbi pasardhësit e tij të dëlirë dhe mbi shokët e tij të zgjedhur! O robër të Zotit! E këshilloj veten time dhe juve që të keni droje para Zotit dhe t’u bindeni urdhrave të Tij!
Në ligjëratat e kaluara thamë se njeriu përbëhet nga dy dimensione: një material dhe një shpirtëror. Këndvështrimet e ndryshme në lidhje me shpirtin mund të ndahen përgjithësisht në katër grupe:
1. Grupi i parë e mohon krejtësisht ekzistencën e shpirtit, nuk e pranon ekzistencën e qenieve jomateriale dhe gjithnjë i arsyeton fenomenet e supozuara shpirtërore me shpjegime materiale.1
2. Sipas një këndvështrimi tjetër, fenomentet shpirtërore ekzistojnë vërtet, por nuk ekziston ndonjë dëshmi e fortë për ekzistencën e shpirtit si një qenie në vete. Përkrahësit e këtij këndvështrimi bëjnë dallim ndërmjet fenomeneve shpirtërore dhe materiale. Megjithatë, fenomenet shpirtërore i shohin si gjëra që burojnë nga faktorë materialë dhe fiziologjikë.2
3. Një pikëpamje e tretë e pranon ekzistencën e trupit dhe të shpirtit si dy elemente të pavarur nga njëri-tjetri, por që kanë burime të përbashkëta materiale.3
4. Këndvështrimi i katërt thotë se shpirti dhe trupi ndikojnë mbi njëri-tjetrin. Sipas kësaj pikëpamjeje, përveç dimensionit material pranohet edhe një dimension shpirtëror, i cili është përgjegjës për të gjithë fenomenet shpirtërore tek njeriu.4
Një shpjegim i gjithë këtyre pikëpamjeve dhe i argumenteve të secilës palë do t’i tejkalonte kufijtë e kësaj ligjërate. Andaj, këtu do të merremi vetëm me vargjet relevante kur’anore.
Për fillim, duhet të theksojmë se shpirti pranohet nga Kur’ani si një ekzistencë në vete. Kjo shprehet në dy lloje vargjesh. Llojin e parë e përbëjnë vargjet që dëshmojnë për ekzistencën e shpirtit, siç janë vargjet 12-14 të kapitullit Mu’minun, ndërsa në llojin e dytë rradhiten vargjet ku shpirti përshkruhet si një ekzistencë e pavarur, që zgjatet edhe pas vdekjes.
Vargjet e kapitullit Mu’minun i përmendin shkallët e ndryshme të krijimit të trupit, derisa arrijnë tek fjalët: pastaj e bëmë një krijesë tjetër...(Kur’an 23:14) Është e vetëkuptueshme se në këtë “krijim tjetër” nuk bëhet fjalë për një vazhdim të zhvillimit trupor të njeriut. Fakti i “fryrjes së shpirtit”, që përmendet në Kur’an, është një argument i mjaftueshëm se shpirti ka tipare të ndryshme nga materia dhe se zgjatet përtej botës materiale.5
Edhe vargu i nëntë i kapitullit Sexhde dëshmon për ekzistencën e shpirtit tek njeriu dhe e përmend rrëfimin e krijimit të Ademit (paqja qoftë mbi të), sipas të cilit, pasi Ademi i kaloi shkallët e zhvillimit trupor, atij iu fry shpirti nga Zoti:
Pastaj i dha trajtë dhe i fryu nga shpirti i Tij...(Kur’an 32:9)
Në disa vargje përmendet ekzistenca e shpirtit, pavarësia e tij nga trupi dhe vazhdimësia e tij edhe pas vdekjes. Edhe këto vargje mund të ndahen në grupe të ndryshme:
1. Vargjet, ku për vdekjen përmendet fjala “tërheqje” ose “marrje“:
Dhe thonë:”a do të krijohemi nga e para, kur të jemi humbur në tokë?” Por jo! Ata e mohojnë rikthimin tek Zoti i tyre. Thuaj: “ëngjëlli i vdekjes, që është përgjegjës për ju, ka për t’ju marrë dhe pastaj tek Zoti juaj do të ktheheni...(Kur’an 32:10-11)
Fjala e përdorur në këtë varg nënkupton tërheqjen ose marrjen e plotë të diçkaje. Gjatë vdekjes, ëngjëjt e Zotit e marrin atë që e përbën vetë esencën njerëzore, gjegjësisht shpirtin. Kjo është përgjigja që u jepet atyre që e mohojnë ringjalljen. Ky varg thotë qartë se njeriu nuk përbëhet vetëm nga trupi dhe se, përkundrazi, esenca dhe identiteti i tij fshihen në diçka tjetër, të cilën ëngjëlli i vdekjes mund ta tërheqë krejtësisht në çastin e vdekjes. Kjo gjë nuk mund të shkatërrohet me shkatërrimit të trupit gjatë vdekjes dhe vazhdon të ekzistojë pavarësisht tij.
2.Një varg tjetër, i cili flet për pavarësinë dhe për vazhdimësinë e shpirtit, është vargu 93 i kapitullit En’am:
Sikur t’i shihje ata zullumqarë në mundimin e vdekjes, kur ëngjëjt i shtrijnë duart e u thonë: dorëzojini shpirtrat tuaj...(Kur’an 6:93)
Shprehja “dorëzojini shpirtrat tuaj” lë të kuptohet se përveç trupit, ekziston edhe një element tjetër, që e përbën esencën e vërtetë të njeriut dhe që largohet nga trupi pas vdekjes. Megjithatë, në këtë pikë duhet patur kujdes se nuk bëhet fjalë për një fenomen material, njësoj siç nuk ka natyrë materiale bashkimi i trupit dhe i shpirtit.6
3. Vargu i tretë që do të marrim si shembull flet për botën e ndërmjetme (berzah-un) dhe tregon se brenda njeriut ekziston një realitet, i cili nuk mund të përshkruhet nëpëmjet tipareve materiale. Ky realitet ka një ekzistencë të veten.
Dhe kur ndonjërit nga ju i vjen vdekja, ai thotë: “Zoti im! Më kthe prapa, që të bëj vepra të mira nga ato që i kam lënë” Assesi! Kjo është vetëm fjalë goje dhe pas tyre ka një pengesë deri në ditën kur të ringjallen...(Kur’an 23:99)
Të gjithë vargjet që e përmendin këtë botë të mesme janë një dëshmi se kohën ndërmjet vdekjes dhe ringjalljes së tij, njeriu ka për ta kaluar në një botë, në të cilën ose i fiton shpërblimet e Zotit ose dënimet e Tij. Atje ka qortime të ashpra ose lëvdata dhe sihariqe, të cilat qëndrimin në këtë botë mund ta kthejnë në një parajsë ose në një ferr të vërtetë.
Paqja, mëshira dhe bekimet e Zotit qofshin mbi ju!
1: Demokriti, Zenoni nga Elea, Thomas Hobbes, Behavioristët, Xhelafi, As’ariu, Bakilaniu dhe Ebu Bekr Essami ishin përkrahës të këtij mendimi
2: Thomas Henry Huxley ishte një përfaqësues i këtij këndvështrimi
3: Mes tjerësh, William James dhe Bertrand Russel e kanë patur këtë qëndrim
4: Shumica e filozofëve dhe dijetarëve muslimanë janë të këtij mendimi
5: Shih Muhammed Husejn Tabatabai, El-Mizan fi tefsir el-kur’an, vëll.15, fq.19; Edhe në hadithe, ky varg është interpretuar njësoj. Shih Muhammed ibn Husejn el-Hurr el-Amili, Vesail el-Shia, vëll.19, fq.324
6: Shih El-Mizan, vëll.7, fq.285